Futboll Seria A Sport

ANALIZA/ Pesë “motrat” në Serie A, “luftë” e ashpër për një vend në Champions

Lufta për një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm bëhet gjithnjë e më e ndezur. Duke lënë mënjanë Interin, disi të shkëputur, për vendin e katërt luftojnë pesë skuadra.

Pesë ekipe në gjashtë pikë, me Lacion që duhet të rikuperojë një ndeshje (ndaj Udinezes) dhe Atalantën që luan sot kundër Empolit. Ecuria flet qartë, me pesë motrat që ecin, por asnjëra nuk vrapon e as habit.

Milan 55, Rino ka Piontekun

Një pikë në katër ndeshje përpara fitores me Lacion. Donaruma dhe Paketa jashtë për shkaqe dëmtimesh, teksa edhe Romanjoli e Kalabria kanë problemet e tyre. Suso shënon hapa prapa në çdo paraqitje, teksa mbrojtja, pika e fortë kuqezi, është shndërruar në të dobët. Për fatin e Xhenaro Gatuzos dhe të Milanit, në skuadër është Kristof Piontek. 21 gola në sezon për polakun dhe tetë në 100 ditë si kuqezi. Lacio mund të rezultojë një ndeshje vendimtare dhe tri pikët e së shtunës i japin qetësi ambientit dhe ekipit.

Roma 54, por sa shumë dyshime

Nën drejtimin e Ranierit, verdhekuqtë rilindën një javë më parë ndaj Sampdorias dhe të shtunën konfirmuan progreset e bëra me një fitore tjetër, sa të vyer, aq edhe të vuajtur, kundër Udinezes. Mbetet për të kuptuar se këto dy suksese do të mjaftojnë për të shtyrë dhe mbajtur Romën deri në fund në garë për një “biletë” në Ligën e Kampioneve. Në fundjavë i pret Interi. Skuadra e Spaletit zhvillon një fundsezoni më vete, por as zikaltrit nuk mund t’i lejojnë vetes hapa fals, sepse vendi i tretë ofron qetësi, ndërsa i katërti shumë rrëmujë. Pas çështjes “Ikardi” dhe kontratës së Spaletit, tek Interi nuk duan telashe.

Atalanta 52, më në formë

Skuadra ku militojnë Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm. Sot i pret një sfidë delikate ndaj Empolit të Frederik Veselit. Zikaltrit e Bergamos janë ndër ekipet më në formë në këtë moment të Serisë A. 15 fitoret i mbajnë në vend të pestë dhe sot kanë shansin të barazojnë Milanin. Vendi i katër i kuqezinjve nuk preket sepse Atalanta vuan pasojat e përballjeve direkte. Skuadra e Gasperinit është edhe ajo që ka humbur më shumë sfida gjatë sezonit (9), por me formën që po kalon dhe golat e Zapatës, mund të shpresojmë. Napoli, Lacio dhe Juventus janë në kalendarin e tyre për gjashtë sfidat e mbetura, por kjo Atalantë ka treguar se mund të fitojë kudo e ndaj kujtdo.

Torino 50, solid por pa vazhdimësi

“Toro”, ekip solid, por shpesh i hutuar. Dje kishin një shans të artë për t’iu afruar vendit të katërt, por ndalën në shtëpi ndaj Kaljarit në një barazim 1-1. Liga e Europës është synimi, por me Champions-in kaq pranë Torino ka të drejtë të shpresojë. Ekipi i Maxarrit ka pasur mundësi të përfitojë në transfertë ndaj Fiorentinës e Parmës, por fitoret vetëm janë përkëdhelur duke mos u konkretizuar në pikë. Me Belotin jashtë rendimentit të së kaluarës, ekipi torinez kapet pas shifrave të mbrojtjes, që me 29 gola të pësuar është prapavija më pak e ndëshkuar nga pesë motrat në garë për Ligën e Kampioneve.

Lazio 49, e padeshifrueshme

E paqartë kjo Lacio. Fiton në “San Siro” ndaj Interit, por më pas ngeci ndaj Spalit dhe Sasuolos, duke marrë një pikë nga 6 të mundshme. Ndaj Milanit mund të bënte më shumë, por rezultati favorizoi “Djallin”. Ndeshja për të rikuperuar ndaj Udinezes mund të shndërrohet në një shans të mirë për t’u rikthyer në garën për vendin e katërt. Bardhekaltrit kanë nevojë për një shkëndijë, Alberto dhe Saviç po mbajnë gjallë skuadrës, e cila ka nevojë për golat dhe një formë më të mirë nga bomberi Çiro Imobile.

Related posts

Mourinho thumbon Pogban: “Pyeteni atë pse po dështon – jo mua!”

Sadik.Autor

ARSENALI KALON NË EPËRSI/ Shënon një gol fantastik Lcezette (VIDEO)

Delo.autor

Analiza e Hafizit: Futbolli shqiptar, në një rrugë pa krye. Duhet kampionat me 16 ekipe

Q.Autor

Leave a Comment