Futboll Kategoria Superiore Sport

PARA NDESHJES NDAJ FLAMURTARIT/ Shkëmbi beson: Jemi brenda objektivit, do të marrim fitoren për…

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, beson se skuadra e tij do fillojë kthesën duke filluar nga takimi i të mërkurës ndaj Flamurtarit në Vlorë. Shkëmbi dhe skuadra e stafi i tij janë duke e përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme takimin me vlonjatët në transfertën delikate që luhet në stadiumin “Flamurtari”. Numri një i durrsakëve u shpreh i bindur se skuadra ka një grup të fortë që do të bëjë mirë në tetë javët e mbetura të kampionatit. Kujtojmë që Teuta vjen pas një humbjeje drithëruese me pesë gola në fushën e Laçit dhe një humbje me Flamurtarin do të thotë “lamtumirë Europë”.

A është e motivuar skuadra juaj për të ndryshuar gjendjen pas humbjes në Laç?

Në këtë situatë që po kalojmë, mendoj se nuk ka nevojë për fjalë dhe për pyetje, pasi motivimi duhet të vijë natyrshëm. Dhe duhet të jetë supermotivim për situatën që po kalojmë. Kemi humbur fitoret.

Keni bërë një takim me presidentin. Çfarë diskutuat?

Patjetër që në këtë situatë që kaluam ne, me presidentët takohemi shpesh. Duhet ta pranoj se ishte një situatë jo e mirë, ku secili duhet të bëjë diçka për ekipin. Kjo bisedë ka qenë pikërisht për këtë arsye. Të gjithë bashkë me ekipin dhe presidentët kemi marrë besimin për të vazhduar deri në fund. Pavarësisht këtyre rezultateve negative, vazhdojmë të jemi brenda objektivit dhe duhet të rikthehemi të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim fitoren për të mbajtur vendin e 3-të në klasifikim.

A keni ndonjë kusht nga klubi për vazhdimësinë?

Jo, nuk ka asnjë kusht. Kushti i vetëm dhe dëshira e vetme që kanë drejtuesit është që ne do vazhdojmë të luajmë për Europë. Për fat të mirë, për të hyrë në Europë nuk zgjidhet me një ndeshje. Do të hysh apo jo, për fat të mirë kemi dhe 8 ndeshje, të cilat duhet t’i shohim si finale dhe prej të cilave duhet të sigurojmë Europën. Me çfarë synimi shkoni në Vlorë? Synimi i parë është të rikthejmë lojën e mirë, pastaj besoj që në momentin që kthejmë lojën e mirë, patjetër që rikthejmë edhe fitoret dhe rezultatet pozitive.

Si është situata me dëmtimet, sepse keni vuajtur në Laç?

Në fakt, kemi probleme dëmtimesh. Kemi pasur gjithë këto javë edhe nesër (sot) gjithashtu do të kemi, por shpresoj që lodhja e gjithë këtyre ndeshjeve dhe dëmtimet të mos na penalizojnë në Vlorë për të marrë një rezultat pozitiv. Dëmtimet janë të shumta. Osmani ka qenë i sëmurë gjithë këto ditë. Me probleme ka qenë Traore. Një tjetër lojtar, Sidibe sot(dje) është kthyer në stërvitje. Pra, kemi disa lojtarë të rëndësishëm që nuk janë në maksimumin e tyre.

A mendoni se Latifi është gati të luajë? Besoni se mund të jetë ai shpëtimtari i Teutës?

Jo, unë mendoj se shpëtimtar në këtë moment është ekipi. Ne duhet të shpëtojmë veten në kuptimin e mirë të fjalës, ku secili duhet të japë maksimumin. Nuk mendoj që në Shqipëri apo ndoshta dhe më tej të ketë një lojtar që mund të jetë shpëtimtar i ekipit, kështu që shpëtimtarët janë të gjithë bashkë, duke futur dhe Latif. Shpresoj se nëse i jepet rasti, të na e shpërblejë.

Është Vlora prova e së vërtetës për Teutën?

Javë pas jave kemi thënë që çdo ndeshje është provë. Mendoj se është një sfidë shumë e rëndësishme për vazhdimësinë. Luajmë kundër Flamurtarit, një ekipi që për mua meriton komplimente të mëdha për vetë faktin e problemeve që ka klubi. Stafi dhe futbollistët për mendimin tim këtë vit meritojnë komplimente maksimale. Kjo sepse pavarësisht situatës së vështirë që ata ndodhen, vazhdojnë të marrin rezultate pozitive.

Related posts

POLEMIKAT PËR LARGIMIN E SULMUESTI NGA ARSENAL/ “Shpërthen” Lazarette: Kjo është e vetmja e vërtetë…

Delo.autor

MIQËSORE/ Inter triumfon me “POKER”, Calhanoglu gjen rrjetën e parë me fanellën “Zikaltër”

Delo.autor

Pochettino: Paratë në futboll janë si puna e lumturisë së miliarderit

Sadik.Autor

Leave a Comment