Futboll Sport

ALEGRI-ANJELI/ Nis lufta e shahut, ja kërkesat e trajnerit

Ai që mendohej se do të ishte thjesht një takim formal, duke parë edhe daljet “kurajoze” të të dyve në momentin më të errët të këtij sezoni (pas humbjes me Ajaksin dhe eliminimit nga Champions-i), në të vërtetë mes Masimiliano Alegrit dhe Andrea Anjelit ka nisur prej ditësh një lojë shahu në distancë, e cila lë të hapura shumë skenarë të ndryshëm, që mund të rezultojnë të dhimbshëm sidomos për Juventusin.

Fundja, strategjia e një skuadre nis nga stoli, pasi është trajneri ai që e rreshton skuadrën në fushë, por duke parë se së fundmi kanë nisur të qarkullojnë shumë emra rreth pankinës së Alegrit, ky i fundit ka vendosur të dalë në kundërsulm dhe të mbrojë imazhin e tij.

Kjo pasi Alegri nuk e pëlqen gjithë këtë “rrëmujë” që ka nisur kohët e fundit, teksa po vlerësohen shumë alternativa të tjera. Fundja, në një intervistë të një muaji më parë, vetë Alegri shprehte dëshirën për të qenë “Sër Aleks Fergusoni” i bardhezinjve dhe pikërisht kjo ide vazhdon që të jetë e qartë dhe e fortë në kokën e 51-vjeçarit livornez.

Në të njëjtën kohë, “Konti Maks” kishte nënvizuar se ishte gati që të qëndronte edhe pa rinovim te Juventusi (kontrata i skadon më 30 qershor 2020), por pikërisht emrat që kanë nisur të qarkullojnë si pasues të tij dhe oferta marramendëse e marrë nga PSG-ja (flitet për 15 milionë euro neto në vit), ka ndryshuar kartat dhe planet e Alegrit.

Nëse presidenti Andrea Anjeli nuk duket shumë i bindur për t’i dhënë një tjetër sinjal besimi punëmarrësit të tij, nisur edhe nga fakti se priste më shumë prej tij, pasi i “dhuroi” edhe Kristiano Ronaldon, kushti i vendosur prej “padronit” të bardhezinjve është ai që t’i japë një shans tjetër Alegrit edhe për sezonin e ardhshëm, por rinovimi do t’i garantohej, vetëm nëse livornezi do të sillte trofeun e Ligës së Kampionëve.

Por kjo ide që i është komunikuar menaxherit të Masimilianos, përpara se takimi kokë më kokë mes tyre të bëhet realitet, duket se ka turbulluar edhe më tej ujërat, me Alegrin që ka dashur t’i përgjigjet Anjelit, sërish me anë të menaxherit të tij, se situata ka ndryshuar: trajneri i Juventusit tashmë pretendon me çdo kusht që t’i garantohet rinovimi i kontratës edhe për të paktën tri sezonet e ardhshme (deri kur skadon edhe kontrata e Ronaldos me bardhezinjtë), por në të njëjtën kohë, edhe një rritje page bindëse, sa më pranë ofertës së bërë nga PSG-ja.

E thënë ndryshe, 12 milionë euro neto në sezon ose 10 milionë plus 2 milionë bonuse në rast se fiton Champions-in. Përndryshe, në takimin që është paralajmëruar dhe që pritet nga të gjithë me shumë interes, Anjeli dhe Alegri mund të “shpenzojnë” mes tyre vetëm pak sekonda, aq sa nevojitet për të shtrënguar duart dhe për t’i thënë lamtumirë njëri-tjetrit pas pesë vitesh.

Madje, Masimiliano Alegri, për të nënvizuar edhe më fort idenë e tij se ai është jo vetëm një trajner, por mendon dhe punon edhe si një menaxher “anglez”, nuk do të kënaqet vetëm me zgjatjen dhe përmirësimin e pagës në kontratën e tij, por kërkon të paktën 4 blerje të rëndësishme: dy qendërmbrojtës me çdo kusht, një mesfushor (përjashtuar Aron Ramsejn) dhe një sulmues.

Kjo, sepse livornezi është lodhur që vit pas viti të mendojë gjithmonë ai që të ndryshojë shumë gjëra në skuadër, sidomos në aspektin taktik, ndërsa për sezonin e ardhshëm e në vazhdim, pret nga klubi që ta “përkëdhelë”, siç ndodh me kolegët e tij të tjerë në Europë (tipi Guardiola e Klop). Dhe vetëm më pas mund të nisë të pranojë dhe t’i kërkohet llogari Alegrit për arsyen se përse Champions-i ishte sërish aq i vështirë për t’u sjellë në Torino, edhe me një Kristiano Ronaldo më shumë në grup…

Related posts

PRITET FIRMA DHE PREZANTIMI SI TRAJNER I KOMBËTARES/ Zbuloni prapaskenat se si De Biasi bindi Edy Rejan

Delo.autor

PAS BARAZIMIT ME TIRANËN/ Trajneri Ahmetaj: Duhej të ishim më të ekuilibruar, harxhuam…

Delo.autor

KRYEQYTETASIT MARIN FORMË/ Tjetër afrim për Devollin, Kamza zyrtarizon Sadikun

Isa.Autor

Leave a Comment