Futboll Kategoria Superiore Sport

CEREMONI FESTIVE PËRPARA SFIDËS ME KUKËSIN/ Olsi Rama: Tifozët s’e lanë kurrë ekipin jetim…

Partizani po përga titet për ndeshjen e javës së 35-të me Kukësin, ku të dielën, FSHF do t’u dorëzojë edhe trofeun e kampionit të edicionit 2018-2019. Të gjendur pa asnjë presion, “të kuqtë” kanë luksin që të përgatiten edhe me fëmijët jetimë përpara duelit me kuksianët. Nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të klubit, Olsi Rama, Partizani ka organizuar dje një ceremoni festive me një grup jetimësh të kryeqytetit, zhvillim i cili vinte në kuadër të Ditës Kombëtare të Jetimëve.

Përveç axhendës argëtuese me skuadrën, drejtori Rama u ka dhënë një këshillë fëmijëve të vegjël, që duke qenë pranë kampionëve më të rinj të futbollit shqiptar, edhe ata të jenë kampionë në jetën e tyre. “Partizani është shpallur kampion, siç e dini fëmijë të dashur. Por, realisht, kampionët e vërtetë jeni ju, që duhet të rriteni me shembullin e kampionëve të Partizanit.

Duke ndjekur shembullin e kampionëve, ju duhet të bëheni kampionë në jetën tuaj dhe të nderoni shkollën që bëni dhe gjithë shoqërinë”, u është shprehur mes të tjerash drejtori Rama fëmijëve të vegjël. Më pas, drejtuesi i të kuqve ka folur edhe për mediat, ku u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Rama ka sqaruar se tifozët kanë qenë ata që e bënë Partizanin të mos ndihej jetim, si dhe ka hedhur pak dritë edhe për merkaton e skuadrës, kryesisht për pjesëmarrjen në Champions, ku duhen lojtarë ekspertë. Ai ka dhënë një përgjigje edhe përMigjen Bashën, ku pohon se zyrtarisht se nuk ka bisedime mes palëve. Në fund, Rama sqaron edhe çështjen e stadiumit, ku do të luajnë “demat” në edicionin e ardhshëm. Ja intervista e drejtorit të kuq për mediat:

Vite më parë, Partizani ngjante si një skuadër jetime, por në Ditën e Jetimëve, jeni më të kompletuar se kurrë në të gjitha drejtimet?

Asnjëherë Partizani nuk është ndjerë jetim ndër vite dhe për këtë duhet të falënderojmë tifozët tanë, të cilët kurrë nuk kanë braktisur ekipin, edhe në ditët më të vështira.

Çfarë mesazhi sillni në ditë si këto?

Sporti dhe futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit dhe duhet të bëjnë që të ndihen afër, sidomos për jetimët, të cilët duhet të mësojnë të sillen si kampionë se ndoshta mund ta bëjnë një gjë të tillë në fushat e jetës ku do të operojnë.

A mund të quhet me shaka kjo ndeshje me jetimët para përgatitjeve për Kukësin dhe si i komentoni deklaratat për “gjunjët” e Partizanit?

Të shkuara, të harruara, respektojmë çdo rival dhe shpresojmë të jetë një ndeshje e bukur. Partizani është zyrtarisht kampion, por kemi detyrim ndaj tifozëve të luajmë për të fituar. Shpresoj që stadiumi të jetë plot, sepse do jetë dhe ceremonia e titullit kampion.

Cila do jetë strategjia juaj si klub në merkato?

Kemi identifikuar disa lojtarë dhe po shikojmë të përforcohemi aty ku kemi më shumë nevojë. Normalisht, unë kam shumë dëshirë të fokusohem te të rinjtë, por Liga e Kampioneve është një aktivitet që kërkon edhe gërshetim të lojtarëve me eksperiencë. Ndaj do operojmë me kujdes në këtë sektor.

A është Migjen Basha një opsion?

Nuk kemi bisedime zyrtare me Bashën. Ai doli një foto me lojtarët e Partizanit, të cilët janë grumbulluar në Kombëtare, por kjo nuk do të thotë se do jetë lojtar i Partizanit.

Në cilin stadium do të luajë Partizani sezonin e ardhshëm?

Duke shpresuar që shumë shpejt të përfundojë stadium ynë, do shikojmë me qetësi nëse “Selman Stërmasi” apo “Arena Kombëtare” do të na ofrojnë kushtet më të mira në gjithë drejtimet. Shpresojmë të kemi dhe më shumë tifozë në sezonin pasardhës.

Related posts

EMIGRANT I RI KËRKON GOLIN E JETËS/ Lojtari i “Fenomenit” sfidon “Pleshtin”: Është “ZOTI” i futbollit, por shënova në…

Delo.autor

“LAMË DY PIKË ME VLLAZNINË”/ Frashëri: Luajmë vetëm finale, ja si e mposhtim Kastriotin

Delo.autor

LIVE/ Po luhet ndeshja miqësore PSG-Inter. Nis pjesa e dytë

Delo.autor

Leave a Comment