Futboll Seria A Sport

LUHEN DY PËRBALLJE PËR MILIONA EURO/ Inter dhe Milan, gjithçka ose asgjë në 90 minutat e fundit

90 minuta për një dëshirë dhe dy ekipe, por mbase edhe katër. Atalanta, Inter, Milan dhe Roma luajnë sot ndeshjet që do të vendosin sezonin e secilës, me fatet që mund të ndërthuren në çdo moment brenda një ore e gjysmë. Të flitet për minuta vendimtare do të ishte banale. “Djalli” sot ndaj SPALit luan për parajsën, por mund të provojë edhe ferrin. Gjithçka për Milanin varet nga çfarë do të bëjnë Interi dhe Atalanta.

Nga vendi i tretë te i gjashti, janë të gjitha mundësi që kuqezinjtë mund t’i provojnë. Ligë Kampionesh apo Europë. E para do të thoshte miliona dhe thyerjen e një tabuje që zgjat prej 6 vitesh. E dyta, një kompeticion të stërprovuar në vitet e fundit, nga i cili drejtuesit e “Djallit” mund të heqin dorë për të kënaqur UEFA-n, e cila i ka dënuar me përjashtim në vendimin e dhjetorit të kaluar. Avokatët e “Djallit” janë ankuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, por ndeshja e sotme do të qartësojë vendimet e kuqezinjve për të ardhmen.

REVOLUCION KUQEZI Megjithëse në “Casa Milan” nuk e cilësojnë si dështim, një renditje jashtë katër të parave në Serinë A do të prekte të gjithë ambientin kuqezi. Leonardo është i pari që ka “paguar” ecurinë e ekipit të Gatuzos, duke qenë se braziliani do të largohet sapo të mbyllet sezoni. Edhe trajneri rrezikon nëse nuk kap Champions-in. Në dyshim janë edhe disa yje të skuadrës, të cilët mund të sakrifikohen në merkato për të rimëkëmbur financat e klubit. Shpëtimi i vetëm do të ishte një renditje që kualifikon Milanin në Ligën e Kampioneve. Me të paktën 50- 60 milionë euro që siguron kompeticioni madhor europian në rang klubesh, drejtuesit kuqezinj do të kishin një pozicion më komod përballë UEFA-s dhe syrit të saj kritik për financat.

100 MILIONË ARSYE Një fitore sot në mbrëmje (20:30) ndaj Empolit në “San Siro” ka shumë kuptime edhe për Interin. Liga e Kampioneve, në rast kualifikimi garanton 63 milionë euro, ku përfshihen të drejtat televizive dhe fitimet nga sponsorët. Miliona të tjerë premton stadiumi, në varësi të rivalëve që mund të rezervojë shorti dhe pjesëmarrjes së tifozërisë, me atë zikaltër që nuk e ka kursyer kurrë praninë e saj. Të gjitha të ardhurat e sipërpërmendura mund të shërbejnë për të përforcuar ekipin, teksa manovrat e para kanë nisur. Me tri pikë, edhe Federik Veseli me shokë do të garantonin qëndrimin në Serinë A dhe të paktën 10 milionë euro (shpërblime dhe sponsorë), ndaj dueli i sotëm mund të thuhet se në total vlen 100 milionë euro.

DREJTUES ZIKALTËR Ndryshimet në rang drejtuesish Interi i kreu disa muaj më parë, duke afruar Bepe Marotën. Ish-juventini është përgjegjës për të gjitha strategjitë e klubit, teksa aftësitë e tij si menaxhues i tregoi që në shfaqjet e para të çështjes “Ikardi”. Ndryshimi i trajnerit është një tjetër aspekt i ambientit zikaltër. Ardhjes së Antonio Kontes i mungon vetëm zyrtarizmi, por trajneri i ri e ka bërë të ditur listën e dëshirave. Lukaku e Danilo janë vetëm dy emra, teksa mediat italiane flasin edhe për Edin Xhekon. Të gjithë profile me peshë, ardhja e të cilëve do të vendoset pikërisht në 90 minutat e sotme kundër Empolit, që gjithashtu luan sezonin e tij në ndeshjen e mbrëmjes. Panorama

Related posts

“ZHDUKET MORATA”/ Sulmuesi spanjoll kthehet në një PROBLEM tek Chelsea (VIDEO)

Isa.Autor

SHPJEGON REFUZIMIN TEK “KUQEZINJTË”/ Ibrahimovic: Ja përse nuk u riktheva tek Milan…

Isa.Autor

TIRANA PUBLIKON ÇMIMET/ Ja sa kushtojnë biletat për sfidën ndaj “Korçarëve”

Delo.autor

Leave a Comment