Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, doli në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të sfidës ndaj Skënderbeut. Tekniku i skuadrës verilindore analizoi situatën në të cilën ndodhet ekipi, teksa nuk preferoi të fliste për akuzat që rëndojnë për humbjen ndaj Luftëtarit. Gjithashtu Gjoka nuk la pa përmendur edhe çështjen “Rexhinaldo” si dhe të ardhmen.
“Nuk kam koment dhe nuk më pëlqen të futem në këtë vorbull fjalësh. Jemi mësuar, edhe kur fitojmë, edhe kur humbasim, e njëjta gjë. Për sa i përket finales, dua të sqaroj se nuk e kemi bërë ne kërkesën për afrim të finales, ishte propozim i FSHF-së. Ne dhamë OK, që finalja të luhej në 31 maj. Më vonë doli që disa klube refuzuan dhe nuk u ndryshua asgjë.
Për lojtarët dhe kontratat, në duam që të vijojmë me këtë grup lojtarësh. Presidenti është OK me këtë ide, sepse grupi aktual ka cilësi dhe vitin tjetër do jetë edhe më cilësor. Ky vit shërbeu për konsolidim dhe asimilim mentaliteti, vitin e ardhshëm do të synojmë titullin”.
E ardhmja e Rexhinaldos? Është pjesë e planeve të klubit edhe për sezonin e ardhshëm. Sigurisht, flas për pjesën e klubit, pastaj çdo lojtar vendos në varësi të interesit dhe ofertave. Për ne është shumë i rëndësishëm. Në datën 2 për finalen ai do jetë në dispozicion, absolutisht”.
Deri tani jam shumë i kënaqur, ekipi ka reaguar mirë. Shkurtaj dhe Shameti nuk do të jenë të gatshëm ndaj Skënderbeut për shkak të dëmtimeve. E ardhmja? Në futboll nuk ka asgjë të sigurt. Unë varem nga rezultatet. E kam gjetur ekipin në një moment jo të mirë psikologjik, kemi punuar shumë dhe duam të arrijmë synimet që kemi, para se të flasim për vazhdimësinë me presidentin”, u shpreh Gjoka.