Futboll Seria A Sport

NJË MUAJ “AGJERIM” PËR “BOMBERIN”/ Piatek nuk “shkrep” më, Gatusso i ndryshon “karikatorin”

Prej disa ditësh, dhoma ku zgjohet Kristof Piontek është ajo e qendrës stërvitore, meqenëse së bashku me shokët janë në grumbullim ndëshkues duke përgatitur sfidën e nesërme kundër Bolonjës. Klubi bëri shembull Bakajokon, por edhe polaku është ndër ata, të cilëve u kërkohet të shpëtojnë Europën e Milanit.

23-vjeçari nuk shënon prej katër ndeshjesh, teksa ekzaktësisht nesër bëhet një muaj nga hera e fundit që gjente rrugën e rrjetës (kundër Juventusit). Skenari duket i pabesueshëm për dikë si Kristofi, që kishte shënuar tetë herë në 9 ndeshjet e para me “Djallin” dhe synonte për tjetër fundsezon.

PËRMBYS

Në këtë muaj “agjërimi” të numrit 18, ekipi ra nga vendi i katërt në të shtatin me mesataren e pikëve (0.7 për ndeshje), që ngjason me atë të një skuadre që lufton për të mos rënë nga kategoria. Një fitore në katër takimet e fundit në Serinë A është shumë pak e në njërën syresh, Piontek mungoi.

Kjo ishte hera e parë që “shijonte” stolin që nga zbarkimi i janarit në Milanon kuqezi (në Kupë ndaj Napolit). Në muajin e fundit Milani ka shënuar katër gola, dy nga të cilët polaku. Sapo pistoletat ngecën, edhe skuadra e pësoi.

ZGJIDHJE

Katër ndeshje në krizë goli, por po aq për të kaluar momentin negativ personal dhe ekipor. Sulmuesi ka folur edhe me Gatuzon, i ndërgjegjshëm se pjesa tjetër e ekipit nuk e furnizon. Problemi kryesor përveç manovrës janë bashkëlojtarët e vijës së parë. Me Suson e Çalhanoglunë, 19-ta kuqezi nuk shënon.

Ndaj, nesër ndaj Bolonjës, përveç skemës (4-3-1-2), do t’i ndryshojë dhe partnerët. Teksa turku do kthehet në mesfushë krah Bakajokos dhe Kesit, me Piontek në sulm do të jetë Kutrone, i aftë për të injektuar adrenalinën e nevojshme për gola. Pas tyre Lukas Paketa në rolin e fantazistit, që siç thonë është ai që i përshtatet më shumë.

FJALA, SULMIT

Renditja lëngon për pikë, por për fitore duhen gola. Gatuzo e di këtë dhe lajmet e fundit nga “Milanello” flasin për një Milan me tendencë ofensive. Rino ndryshon interpretuesit, teksa Piontek duhet shënojë rritje në gola, por edhe aktivitet. Në pesë ndeshjet e fundit, polaku ka prekur 22 topa në zonat rivale, kundrejt 28 të Xhekos, 31 të Mertensit dhe 50 të Zapatas. Pakësimi bëhet më i dukshëm nëse llogarisim që Kutrone ka rënë në kontakt 19 herë me sferën, megjithëse ka luajtur vetëm dy herë si titullar.

Goditjet në portë janë një shifër edhe më negative, me Piontek që ndaj Lacios, Parmës dhe Torinos ka mundur të shënjestrojë vetëm në një rast kuadratin. Duke shpresuar të rindezë nervin goditës të 19-shit, Gatuzo do t’i vendosë në krah Kutronen, që edhe ai është në krizë goli, duke qenë se nuk shënon që prej janarit (në Kupë ndaj Sampdorias).

Në rast se ekipi nuk reagon, Gatuzo ka testuar edhe 4-2-3-1 me Piontek të mbështetur nga Çalhanoglu, Paketa dhe Suso, por forma e këtij të fundit nuk lejon eksperimente, e aq më pak guxim në të tilla rrethana.

Related posts

Ylli i Milanit vazhdon kontratën me skuadrën deri në vitin 2022

Q.Autor

TELENOVELA VAZHDON/ Xhaka “tërbon” Romën, “verdhekuqtë” gati ta braktisin për objektivin e ri

Delo.autor

CHAMPIONS LEAGUE/ “Zorro” Heynckes, heroi dhe rreziku numër një për Real Madrid

Sadik.Autor

Leave a Comment