Sport Të tjera

TRIUMFI HISTORIK NË CHAMPIONS LEAGUE/ Rrëfehet Erblira Bici: Mendoja se ishte ëndërr…

Erblira Bici, një ditë pas triumfit his torik në finalen e Champions League në volejboll për femra, rrëfen për eksperiencën e paharrueshme të Berlinit.

Erblira Bici

Mendoja se isha në ëndërr, tregon kapitenia 23- vjeçare e kombëtares kuqezi, e cila më pas flet për sezonin fantastik që kurorëzoi skuadra e Novarës. Një mbrëmje e artë për volejbollisten tonë, që futet në histori si lojtarja e parë shqiptare, e cila shpallet kampione Europe.

Erblira, një sukses historik për ju dhe për Novarën, si ndiheni tashmë që jeni kampione Europe?

E vërtetë, për herë të parë Novara shpallet kampione Europe, pavarësisht viteve të fundit pozitive falë investimeve. Nuk mund ta përshkruaj kënaqësinë, është e pabesueshme. S’kam fjalë, kishte momente që mendoja se isha duke ëndërruar.

E kishit menduar që do të arrinit kaq lart kur firmosët në verë?

Nuk e kisha menduar kurrë. E dija se ishte ekip  me potencial, por asnjëherë s’e kisha menduar që do të ngjiteshim në majën e volejbollit europian.

erblira bici

Çfarë përjetuat në momentin kur u shënua pika e fundit?

Fatmirësisht, kishim mundësinë e 3 ‘match point’ dhe shpërdoruam vetëm një prej tyre. Në njëfarë mënyre, po pritej të shpërthente festa. Atmosfera ishte fantastike.

Kujt ia dedikoni këtë sukses?

Këtë sukses dua t’ia dedikoj vetëm vetes dhe dua ta shijoj në maksimum. Nuk besoj se do më jepet mundësia përsëri të fitoj një Champions League.

Mund të na tregoni ndonjë detaj nga festa?

Festa ishte e mrekullueshme, hera e parë që zhvillohen ‘Superfinals’ si eveniment, qe një risi dhe festimet ishin ndryshe nga normalja. Ku të dyja ekipet, meshkujt dhe femrat, ngritën njëkohësisht trofetë respektivë.

Çfarë ju tha presidenti?

Presidenti që në momentin kur dolëm në finale ishte i fokusuar në këtë objektiv. Nuk e them për të justifikuar humbjen kundër së njëjtës skuadre në kampionat, sepse asnjë nuk ta siguron fitoren në Champions, por këtë javë të fundit mund të them se jemi stërvitur me shumë se gjithë vitin.

erblira bici1

A do të keni premio për këtë arritje?

Premiot janë subjektive dhe vlera financiare nuk është asgjë para vlerës që ka ky trofe për secilën nga vajzat e ekipit.

Keni marre urime nga Shqipëria?

Normalisht, nuk munguan dhe urimet nga Shqipëria, gjë që të bën të ndihesh sadopak vlerësimin e njerëzve që ndjekin sportin dhe volejbollin në veçanti, sepse pjesa më e madhe nuk e kuptojnë rëndësinë e këtij titulli.

Duke u kthyer te ndeshja, e prisnit një fitore kaq bindëse?

Të them të drejtën, nuk e prisja, por e shpresoja një rezultat të tillë. Skuadra e Konelianos është e kompletuar, por mendoj se vetëbesimi i tepruar pas fitores së kampionatit jo vetëm që ndikoi tek ato negativisht, por na dha ne shtysën e duhur.

A keni menduar ndonjëherë që edhe mund të mos ia dilnit?

Normalisht, suksesi me dështimin ndahen nga një linjë e hollë dhe në finale mund të pritet gjithçka. Sporti prandaj është i bukur, sepse është i paparashikueshëm.

Si ndiheni tashmë që jeni e para dhe e vetmja lojtare shqiptare që arrini një sukses të tillë?

Ndihem krenare nuk mund të shtoj asgjë më shumë. Jam vërtet shumë e lumtur.

Related posts

KËRKON PËRFORCIME NË EKIP/ Arsenal ndjek portierin e dytë në Francë. Një gjigant nga Islanda për…

Delo.autor

De Vrij: Ja pse zgjodha Interin, ndeshja e fundit me Lazion…

Isa.Autor

“MILANIN E KAM NË ZEMËR”/ Pato: Dua të rifitoj kombëtaren dhe të luaj në Botëror

Delo.autor

Leave a Comment