Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

DEBUTOI ME KOMBËTAREN/ Rrëfimi i Edi Rejës: Mosha nuk peshon, dua një Shqipëri të ekuilibruar

Edi Reja debutoi zyrtarisht në stolin e Kombëtares Shqiptare, në transfertën ndaj Islandës, ndërsa mbrëmjen e djeshme në “Elbasan Arena” iu gëzua edhe fitores së parë me skuadrën kuqezi.

Gjatë ditës së sotme, italiani u nis për në Itali, për të vijuar më pas me pushimet e tij, por para se t’i hipte avionit, gjeti kohën për të realizuar një intervistë të gjatë dhe special me Supersport.

Tekniku 73-vjeçar rrëfeu gjithçka, duke nisur nga kontaktet e para me Dukën, miqësia me Igli Taren, planet me Kombëtaren Shqiptare, çështjen “Grezda”, grafikun e pushimeve dhe fjalën e parë shqipe, që ka mësuar.

Çfarë dinit për Shqipërinë, para se të vinit këtu?
Kam telefonuar mikun tim Giani De Biasi, i cili më ka treguar një pjesë të aventurës që kishte përjetuar. Kemi folur edhe për mënyrën se si e rreshtonte skuadrën ai, dhe praktikisht nga 26 futbollistë, 16-18 ishin të periudhës së tij. Pastaj qartësisht gjithsecili ka filozofinë përkatëse dhe ai preferon një mënyrë pak ndryshe nga unë, për të vendosur skuadrën në fushë, por jemi të ngjashëm në koncept dhe në mentalitet. Kam folur edhe me Igli Taren, me të cilin kam një raport thuajse të përditshëm, pasi kemi mbetur shumë miq dhe për më tepër, dhe ai më ka karikuar për të pranuar këtë aventurë.

Çfarë mbani mend nga bashkëpunimi me Igli Taren?
Taren e njohim dhe e dimë që prej kohësh po punon në mënyrë të jashtëzakonshme. Ka punuar mjaft mirë edhe me mua, pasi programonim të gjithë fushatën e blerjeve së bashku, gjatë periudhës time 4-vjeçare te Lazio. Është një njeri shumë besnik dhe më ka ndihmuar edhe mua, kur kisha probleme të mëdha në dhomat e zhveshjes. Po bën një punë të jashtëzakonshme, pasi çdo vit nxjerr në qarkullim disa futbollistë që unë nuk e di ku i gjen. Lotito duhet t’i jetë tërësisht mirënjohës, ndonëse Tare e bën sepse e ka pasion dhe ka kapacitetin e duhur për këtë punë. Pati një mundësi të largohej, por unë i dhashë një këshillë. “Ku do shkosh? Je këtu në Romë, ku njeh të gjithë ambientin”, i thashë. Sepse këto gjëra duhet programuar pak më herët. Kemi folur vetëm para pak ditësh, madje më telefonoi edhe para ndeshjes dhe më tha se do fitojmë 2-0. U tregua një profet.

Kur e dëgjuat për herë të parë “Edi Reja, trajner i Shqipërisë”?
I pari më ka telefonuar presidenti Duka dhe më ka pyetur nëse isha i lirë dhe nëse isha i interesuar për këtë skuadër dhe i kam thënë po. Gjatë këtyre dy viteve kam pasur disa telefonata dhe oferta, por i kam refuzuar gjithmonë, sepse kisha vendosur të mos bëja më trajnerin në klube dhe se do të merrja në konsideratë vetëm oferta për kombëtare. Presidentin tani e njoh edhe më shumë dhe është shumë i qetë dhe kur vjen puna për të marrë vendime, kërkon të ketë gjithmonë pak kohë. Kur telefonata nuk po vinte, mendova se nuk do të më thërriste më, pasi mund të kishte gjetur zgjidhje të tjera, por më pas më telefonoi dhe filluam bashkëpunimin.

Kur ishte momenti që të thirri?
Unë erdha të ndjek ndeshjen në Shkodër, përballë Turqisë, pasi punoja për Napolin dhe Atalantën dhe doja të shikoja disa futbollistë, për të vlerësuar gjendjen në të cilën ishin. Kisha dëgjuar që mund të vinte edhe largimi i Panuccit, ndaj shfrytëzova rastin për të ardhur për të parë atë ndeshje. Pastaj takova për pak momente presidentin, i cili më pyeti nëse kisha vendosur diçka. I thashë se nuk kam vendosur ende dhe se duhet të flisnim gjatë javës. Unë ika në shtëpi dhe presidenti më telefonoi vetëm pas 10 ditësh, ku më tha se nëse isha i disponueshëm, mund të flisnim për detajet. Më pas u takuam në Bologna dhe aty mbyllëm marrëveshjen.

Keni qenë gjithmonë trajner klubesh. A keni menduar ndonjëherë se si mund të jetë një kombëtare?
Ka një diferencë të madhe nga stërvitja e klubeve, kjo puna në kombëtare dhe bëhet edhe më e vështirë, pasi nuk bëhet fjalë për një kombëtare si ajo e Italisë, ku thuajse të gjithë futbollistët luajnë brenda vendit dhe i shikon tërë kohës, por e ke të lehtë edhe me filozofinë e mentalitetin. Këtu ka futbollistë që luajnë në Zvicër, në Spanjë, në Kroaci, në Greqi apo në ndonjë vend tjetër dhe të gjithë janë mësuar me një mentalitet dhe sistem tjetër pune, nga i imi. Nga Shqipëria kam parë 2-3 futbollistë interesantë, të cilët do të duhet t’i vlerësoj me kujdes dhe për më tepër, do më duhet të udhëtoj dhe të shkoj të shoh lojtarë të caktuar në skuadrat përkatëse, për të parë se si punojnë dhe si vendosen në fushë. Unë duhet të bëj bashkë futbollistë që luajnë në liga të ndryshme dhe më duhet të di ku japin më të mirën ata, për të gjetur diçka të ndërmjetme. Sistemin e lojës e bëjnë lojtarët dhe ne kemi futbollistë në mbrojtje që janë vërtetë të fortë, ndonëse këtë herë nuk kishim as Gjimshitin. Në prapavijë jemi shumë mirë, pasi në dy ndeshje, nuk kemi rrezikuar thuajse asgjë, ndaj mendoj se në këtë repart kam gjetur ekuilibrin. Sa i përket mesfushës dhe më përpara, duhet akoma të punojmë, por jemi duke u rritur dalëngadalë. Ndeshja e djeshme na ka bërë të vetëdijshëm se mund të rritemi dhe të përmirësohemi. Nuk është e lehtë që të gjejmë menjëherë zgjedhjen e saktë, por jemi në rrugën e duhur dhe shpresoj që më e mira do të vijë shumë shpejt.

A e ndjeni peshën e moshës?
Ka disa të rinj, që plaken që në moshën 20-vjeçare dhe ka disa pleq si puna ime, që ndihen të rinj, pavarësisht moshës. Mosha nuk do të thotë asgjë, pasi vlen kthjelltësia dhe raporti që ke me njerëzit, veçanërisht me futbollistët. Kam edhe një entuziazëm të madh, që nuk më ka ikur asnjëherë, sepse edhe marrëdhëniet që kam vendosur me lojtarët, por edhe përballjet me ta, më kanë dhënë të kuptoj se jemi në pikën e duhur. Tani mungojnë vetëm rezultatet. Njëri erdhi dje, ndërsa të tjerët i presim në ditët në vijim.

A e dinit se cila ishte situata në Kombëtaren Shqiptare dhe a bëtë një plan se si mund të dilej nga ai moment i vështirë?
Plani im ishte të flisja me futbollistët dhe kam bërë një xhiro në thuajse gjysmën e Europës, për të takuar lojtarët, jo për t’i parë, por për të folur me ta dhe për të mësuar se çfarë aspekti mental dhe psikologjik kishin, për të pasur tashmë idenë se çfarë ata mendojnë, para se të niste grumbullimi i parë. Sensacioni i parë ishte që ata kishin disa pasiguri mbi planin e lojës, por edhe për sa i përket linjës mbrojtëse, ku ishte krijuar një situatë që nuk dinin si ta sistemonin. Kështu që plani im i parë ishte t’u jepja siguri, mbi të gjitha mbi planin mbrojtës. Fillimisht fola me Berishën, Gjimshitin, Veselin e Strakoshën, që i njihja më herët dhe që ishin këtu në Itali, pasi më interesonte mendimi që ata kishin për situatën. Pas këtyre bisedave, por edhe një komunikimi me De Biasin, kam tentuar të hyj sa më shpejt në kokën e futbollistëve, për t’u dhënë siguri dhe stimuj për ndryshimin e situatës. Më pas erdhi ajo ndeshje në Islandë, që siç e patë mundi dje Turqinë dhe paraqitja jonë vlen dyfish, pasi arritëm ta vëmë në vështirësi dhe ndonëse nuk konkretizuam rastet, meritonim shumë më tepër në aspektin e rezultatit. Sa i përket lojës, atje u shfaqëm shumë mirë, ndërsa dje vuajtëm më shumë, pavarësisht diferencave mes kundërshtarëve. Le të themi që e kam arritur këtë objektiv, nga pikëvështrimi i karakterit të lojtarëve, të cilët kanë nevojë të besojnë te puna që po bëjnë dhe te trajneri i tyre. Këtë e kanë demonstruar edhe në ndeshjen e djeshme, ku nuk kanë kursyer energjitë, por kanë dhënë gjithçka për të arritur objektivin, ndonëse nuk ishte aspak e lehtë. Nuk kanë luajtur një ndeshje të shkëlqyer, por në planin e angazhimit dhe atë të temperamentit dhe sakrificës, kanë bërë më të mirën e tyre.

Jeni fanatik i skemës 3-5-2. A mendoni se i kemi lojtarët e duhur për këtë rreshtim?
Për momentin po provoj, por nuk jam akoma i sigurt totalisht, pasi kam ende disa dyshime. Duke pasur parasysh skuadrat që do të përballojmë, si Franca e Islanda, por edhe ndaj Moldavisë, pasi mendova se me këtë rreshtim do ta kishim më të lehtë. Unë 3-5-2 e kam përdorur vetëm një vit te Napoli, por më pas edhe te Lazio kam përdorur skemën 4-3-3, që është edhe rreshtimi im i preferuar. Megjithatë për të luajtur me këtë rreshtim, duhet të kesh disa siguri në planin difensiv dhe mbi të gjitha disa lojtarë me karakteristika të caktuara dhe në këtë pikë, nuk mund ta aplikojmë për momentin këtë skemë. Ndoshta në të ardhmen mund ta bëjmë, por nuk mendoj se ka të bëjë skema, pasi çdo rreshtim sjell rezultat, nëse është ai i përshtatshmi, apo efikasi për lojtarët që ke në dispozicion.

Nga Islanda te Moldavia, ndryshuat 5 futbollistë. Kishte të bënte me lodhjen, apo donit të provonit lojtarë?
Doja të provoja ndonjë që nuk kishte luajtur, por kaq ndryshime je thuajse i detyruar t’i bësh kur luan pas 3 ditësh, pasi është e qartë që ndonjëri mund të jetë lodhur, Doja të provoja edhe në zonën e qendrës së fushës, ku aktivizova Ramadanin. Doja të fusja edhe Qosen, që gjatë javës më kishte treguar disa gjëra interesante, por është pak të shohësh një lojtar për 15-20 minuta, pasi duhet një ndeshje e plotë. Kishte disa që i njohja më herët dhe kam bërë këtë zgjidhje, duke ndryshuar dy pykat, pasi në Islandë më duhej skuadër fizike. Më pas në bazë të kundërshtarëve, do të bëjmë edhe modifikime. Dua të saktësoj se si në Islandë, ashtu edhe dje, në shumicën e rasteve luanim me 4 mbrojtës, pasi kishim Hysajn, që është mbrojtësi i djathtë, ndonëse në momente të caktuara duhet të ndihmonte sulmin. Kemi pasur si synim që kur të dalim në sulm, të shkojmë në zonën kundërshtare me 3 apo 4 futbollistë dhe besoj se këtë e kemi bërë mirë.

Roshi dhe Cikalleshi zgjidhën ndeshjen e djeshme. Si ndjehesh kur dy lojtarë të stolit, vijnë dhe zhbllokojnë sfidën?
Në atë moment të ndeshjes, më duheshin dy lojtarë më të fortë fizikisht, pasi po vuanim avancimin e moldavëve. Vendosa të hedh në fushë dy lojtarë të fortë fizikisht dhe për t’i dhënë një tjetër shtysë edhe shpejtësisë së daljes në sulm. Roshi ndryshoi ndeshjen, pasi na dha ritëm në atë zonë të fushës. Ka karikuar skuadrën dhe ka bërë ndryshimin total, me 2-3 zbritje që ka bërë në krahun e tij. Pra ishte një ndryshim marshi dhe ishin vendimtarë që të dy.

Si një italian i vërtetë, kërkoni të mos pësoni asnjë gol dhe më pas të dalë çfarë të dalë në sulm…
Janë diskutime që nuk shërbejnë për asgjë. Unë mendoj që një trajner duhet të ngrejë në këmbë një skuadër të ekuilibruar dhe që duhet të shfrytëzojë lojtarët në maksimum, pavarësisht sistemit të lojës. Ju keni njohur edhe De Biasin, i cili nuk luante kurrë në sulm, por vetëm me kundërsulme. Nuk ka bërë kurrë një futboll të bukur, por ka marrë rezultatet, ato që vlejnë më shumë. Ne tani po gjejmë ekuilibrat dhe do të më pëlqente të rritja pasionin e njerëzve, edhe sa i përket lojës, sepse skuadrat e mia kanë luajtur gjithmonë mirë. Do të më pëlqente të bënim lojë të bukur, por duhen lojtarë të përshtatshëm nga pikëpamja taktike dhe këtu kemi disa mangësi. Por këto mangësi vijnë duke u zvogëluar me agresivitetin, mentalitetin dhe temperamentin e lojtarëve, ndaj mendoj se jemi duke u përmirësuar. Shpresoj që në të ardhmen të mund të shohim një Shqipëri që di të luajë bukur.

Ia vlen ta diskutojmë çështjen Grezda?
Grezda ka bërë një zgjedhje të tijën, pasi kishte disa probleme të vetat. Për shembull Qose ishte gjithmonë jashtë, pasi kisha 24 futbollistë, por qëndroi këtu dhe u tregua i mirë, ndaj i erdhi momenti që të zbriste në fushë dhe të bënte paraqitjen e tij. E njëjta gjë edhe për Roshin, që e kisha vënë mënjanë, sepse provova Balliun dhe Hysajn, por dje luajti dhe ishte vendimtar. Kanë qenë të zotët që të dy, si Roshi, edhe Qose, që pranuan të vijnë këtu, sepse kanë në zemër Shqipërinë. Grezda ka gabuar dhe duhet të marrë përgjegjësitë e tij.

Cili është objektivi që i keni vënë vetes dhe a mendoni se mund të vazhdoni edhe pas muajit nëntor?
Nuk e di pasi asnjëherë nuk kam shkuar të kërkoj punë. Gjithmonë kam zgjedhur dhe nuk jam zgjedhur nga të tjerë. Në nëntor do të më pëlqente të vazhdoja, por që kjo të ndodhë, duhet të jenë mundësitë për të vazhduar, raportet e mira me presidentin, skuadrën, gazetarët dhe shqiptarët. Pra nëse do të jenë mundësitë për të bërë një plan me afat të gjatë, do të flasim për dy vitet e ardhshme, por është diçka që do ta vendosim më vonë. Duhet të vazhdojmë me qetësi, pasi jemi në hapat e parë dhe do të shohim se si do të procedohet me këtë projekt. Mua do të më pëlqente të punoja edhe për të ardhmen, edhe nëse do të më duhet të iki në nëntor. Do të më pëlqente të krijoja disa gjëra për të tjerët që do të vijnë.

Si ju duket Tirana?
Tirana është impresionuese, pasi kam qenë këtu edhe 10 vite më parë, kur isha me Lazion dhe shkuam në Shkodër, por ndaluam në Tiranë. Atëherë nuk ishte kështu, ndaj mund të them që gjatë këtyre 10 viteve ka bërë disa hapa të mëdha, pasi shoh një tjetër gjallëri në orët e vonë, në zonat qendrore. Është shndërruar në një qytet mjaft interesant,. Nuk njoh ende njerëzit, tifozët, pasi kemi qëndruar tërë kohës në Durrës. Atje duhet të them se jemi si në parajsë, pasi jemi jashtë kaosit të Tiranës dhe në moshën time është mirë të gjesh vende të tilla të qeta. Megjithatë në Tiranë ka një gjallëri të njëjtë me metropolet e mëdha, pastaj më kanë entuziazmuar edhe këto ndërtime. Pastaj po ndërtohet edhe stadiumi, të cilin e kam parë nga brenda dhe është diçka shumë e bukur, Mezi po pres të vë këmbët në këtë stadium, pasi shpresoj që me Francën do të jetë gati dhe jam i bindur që do të jetë tërësish i mbushur. Me një tifozëri të shumtë dhe të zjarrtë, do të provojmë të vëmë në vështirësi edhe Francën.

Çfarë ju thanë familjarët kur pranuat Shqipërinë? A do të vijnë ndonjëherë me ju në Tiranë?
Gruaja ime më tha se nëse më pëlqente dhe isha i bindur, atëherë të pranoja. Ajo ka qenë pranë meje edhe në momente të vështira dhe vinte në stadium në çaste të tensionuara, e tymoste shumë,. Tani pi më pak duhan dhe është më mirë, por e ndjen atë presionin e punës që unë bëj, kur vjen në stadium.

Ku do t’i kaloni pushimet?
Tani do të shkoj një javë në Korsikë dhe pastaj do të rikthehem, pasi do të më pëlqente të njihja më shumë Shqipërinë. Më kanë thënë që është shumë bukur në zonën nga Vlora drejt Greqisë dhe dua t’i vizitoj në fund të këtij muaji. Pastaj do të rikthehem sepse do të shikoj kualifikueset e skuadrave si Partizani dhe të tjerat, pasi dua të ndjek disa futbollistë interesantë. Kam parë disa situata të ndryshme dhe besoj se që nga grumbullimi i radhës, mund të ketë në kombëtare disa lojtarë që luajnë në Shqipëri.

Cila ishte fjala e parë shqipe që mësuat?
Kam dëgjuar fjalën “mirë” dhe shpresoj që të përsëritet në mënyrë të vazhdueshme deri në fund të raportit tim me Shqipërinë.

Related posts

Ish-zëdhënësja e FSHF-së i përvishet Panuçit: Vetëm për urdhra e kapriço, koha për një…

Isa.Autor

BËN PARASHIKIMIN PËR “EURO 2020″/ Zambrotta: Kjo mund të jetë surpriza e Europianit

Delo.autor

JUVENTUS NIS KEQ AVENTURËN NË CHAMPIONS/ Futbollisti lë fushën pas vetëm 19 minutash lojë në Kiev

Delo.autor

Leave a Comment