Futboll Sport

INTERVISTA/ De Biazi, nga telefonata me Rejan te italiani i Partizanit: Në rrugën e duhur

Shqipëria është në rrugën e duhur me Edi Rejan. Për këtë garanton Xhani De Biazi i cili sigurisht që njeh mirë kuqezinjtë. Edhe pse po kalon ditë të ethshme me përgatitjet për hapjen e kampit stërvitor të futbollit në Itali më datë 22 qershor, ish-trajneri i kuqezinjve sigurisht që ka gjetur kohën për të ndjekur paraqitjet e tyre të fundit.

Mbi të gjitha, siç tregon për Vip Sport, ka ndihmuar Edi Rejan në këtë grumbullim të parë ku koha nuk ishte edhe aq në favorin e teknikut, Ai është i bindur që tashmë kuqezinjtë janë në rrugën e duhur me trajnerin e ri dhe ndryshimi ka filluar të shihet.

Mister, si po shkojnë përgatitjet, gjithçka gati për datën 22?
Jemi te përgatitjet e fundit por mund të them se është një sukses i madh në Kortina ku do të jetë kampi unë. Kemi 70 fëmijë dhe na është dashur të kthejmë disa mbrapsht pasi plani ynë në fillim ishte vetëm 60. Nuk mund të marrim më shumë, se duam të bëjmë punë cilësore më ata që afrohen.

Besojmë se ka edhe shqiptare? Do të vini edhe këtu me një kamp të tillë?
Këtu janë shumë shqiptarë por që jetojnë në Itali. Do të më pëlqente shumë që vitin tjetër të vij në Shqipëri për të bërë të njëjtën gjë. jam i sigurt se ka interes, mund ta bëjmë pikërisht aty ku grumbullohet zakonisht kombëtarja.

Mes gjithë këtyre përgatitjeve, keni pasur kohën të ndiqni Shqipërinë?
Sigurisht, kam ndjekur nga minuta e parë deri në të fundit ndeshjen me Moldavinë. Fatkeqësisht nuk ndoqa dot takimin me Islandën, ishte shumë herët. E mendoja pasdite, por pastaj doli se ishte shumë herët në drekë, e pakuptueshme.

Si ju duk ndeshja me Moldavinë?
Ishte një ndeshje e luajtur mirë. Ekipi u paraqit mirë në një duel të vështirë, duke llogaritur këtu edhe periudhën. Është e vështirë për ekipet kombëtare të luajnë mirë në këtë periudhë të vitit, pasi është fundi i sezonit dhe ndjehet lodhja. Por me një fitore, me 2 gola të shënuar e zero të pësuar, them se kjo mund të cilësohet një paraqitje pozitive dhe ecuri në drejtimin e duhur.

Trajneri Edi Reja pas ndeshjes ju falënderoi për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe tha se falë këshillimit me ju, pjesa më e madhe e lojtarëve ishte nga grupi i De Biazit…
Edi është një mik, me të cilin kam komunikuar shpesh. Jemi takuar këtu në Itali në Pordenone, i kam treguar disa gjëra për lojtarë e veçantë apo mënyrën e lojës, gjëra për Shqipërinë. Flas shpesh me të, edhe ditën e ndeshjes, të martën në mëngjes, komunikuam në telefon. Ai është një trajner i cili ka eksperiencën e duhur dhe jam i bindur se do të bëjë mirë në drejtimin e Shqipërisë.

Përtej skemave ndryshe, shihej ndryshimi me të kaluarën e afërt?
Sigurisht, ishte i dukshëm, për aq sa mund të bëhet për një kohë kaq të shkurtër sa kishte ai në dispozicion për të punuar e përçuar idetë e tij.

Mister, e dini që një italian tjetër mund të zbarkojë në Shqipëri? Franko Lerda mund të bëhet trajneri i Partizanit…
Nuk e njoh personalisht, e di që ka pasur disa eksperienca të rëndësishme më përpara në karrierë por nuk e kam ndjekur mirë karrierën e tij që të flas për të. Megjithatë, jam i bindur se Olsi dhe drejtuesit e Partizanit kanë bërë vlerësimet e duhura për emrin që do të jetë në krye të skuadrës pasi mendoj se po punojnë për të mirën dhe të ardhmen e klubit.

Related posts

Skënderbeu si ekip elitar, ja sa ndeshje ka zhvilluar deri tani

Sadik.Autor

“YLLIN BROJA E KRAHASOJ ME RONALDON DHE MESSIN”/ Lala: Ai është i frikshëm, duket i ftohtë por…

Delo.autor

Mourinho befason pas barazimit: Jam i lumtur me karakterin e lojtarëve të mi

Q.Autor

Leave a Comment