Futboll Seria A Sport

NGA CIGARJA TEK POLITIKA/ Ja “alfabeti” i trajnerit Maurizio Sarri

Mbiemri i tij është shndërruar në një fjalë që i përket gjuhës italiane tashmë, “sarrizëm”, e cila specifikon një term sportiv për lojën e bukur. Gjithsesi, ajo e Mauricios, “komandantit” të ri juventin, është një botë e gjitha për t’u zbuluar, prandaj le të bëjmë një “zhytje” në “alfabetin” e trajnerit të ri të “Zonjës së Vjetër”.

KRAHË – Ky është “password”-i lojës së Sarrit. Me atë, lojtarët anësorë shënojnë dhe krijojnë. Goditje, krosime, inkursione diagonale drejt zonës. Te Juventusi, vjen apo jo Kieza, nuk do ta ketë problem që të gjejë lojtarë me këto karakteristika, mes grumbullimit të kampionëve që e pret. Por një tjetër pyetje që ngrihet është: Po sikur atij t’i rikthehet në modë ideja e fantazistit?

BANKA – Një mbrojtës krahu modest (nuk ka luajtur asnjëherë në rangje profesioniste) u shndërrua në një punëtor të pamëshirshëm në bankën “Montepaschi”. Merrej me transaksione dhe ndoshta aty, bankieri-trajner mësoi organizimin dhe vendimmarrjen e rreptë.

ÇELSI – Nuk u deshën kurrë, pasi ishin shumë të ndryshëm. Ai ishte një klub snod i Londrës, ndërsa ai një toskan province. Por në fund, edhe blutë u bënë paksa “sarrianë”. Sepse ndryshe nuk do të kuptohej vështirësia dhe zgjatja e kohëve që deshën për ta lënë të lirë.

Sarri-tifozet

DRONË – Vizionari Mauricio urdhëronte që në grumbullimet e Napolit të ngriheshin në qiell “aeroplanë” pa pilotë, për të studiuar lëvizjet e repartit të mbrojtjes. Kjo nuk është asgjë, për njërin që në vitet ’90, edhe kur stërviste në rangjet amatore, kuronte edhe mënyrën e të ekzekutuarit të rivënieve anësore me dorë.

EUROPA LIGË – Me këto dy fjalë, ai bëri të heshtin të gjithë ata që thoshin: “Po, Sarri është i zoti, por nuk fiton”. Dhe kjo kupë e ndihmoi që të thyente edhe skepticizmin që ekzistonte në planetin Juventus, për t’i besuar atij pankinën e post-Alegrit. Fundja, Juvja po investon fort, vetëm për t’u rikthyer pikërisht te suksesi europian.

PROVINCIAL – Plaçido, është një qytezë në Valdarno me vetëm 17 mijë banorë. Aty, Sarri struket sa herë që ka mundësi, pasi aty ka lënë dhe sa herë ka mundësinë gjen afeksionin e miqve dhe popullit të tij. Për këtë arsye, fjala “provincial” nuk quhet kurrë një ofendim për atë.

GOLA – Mauricio transformon në gol gjithçka që prek. Nën drejtimin e tij, është e vështirë të numërosh lojtarët e shumtë që kanë thyer rekordin e festimeve (edhe Kulibali madje). Por sivjet do të ketë në dorë edhe një armë bërthamore të fabrikuar në Portugali, si Ronaldo.

HIGUAIN – Sa të largëta duken kohët në të cilat Gonzalo shënonte 36, në një sezon të vetëm. Sarri dhe “Pipita” kanë një marrëdhënie prej graniti, por argjentinasi ka humbur goditjen magjike që e dallonte në Napoli, prandaj duket e vështirë që të punojnë sërish së bashku në Torino.

sarri kafe

IKARDI – Numri 9 mbi shpatulla është “shoku më i mirë” i qendërsulmuesve. Paratiçi po punon prej kohësh për t’i blerë Ikardin, pasi Sarri çmendet pas tij. Dhe ndoshta, bashkëjetesa e argjentinasit me Ronaldon mund të jetë sfida e dytë më e madhe torineze për Mauricion, pas fitimit të Ligës së Kampioneve.

FJALORI – Ai është një mitraloz i fjalëve të “pista”, të cilat nuk i ka kursyer kurrë në pankinë, që kur nisi karrierën në Stia. Te Juvja sigurisht që i duhet t’i limitojë, por të qenit i drejtpërdrejtë dhe i ashpër është pjesë e personazhit të tij. Ndryshe, nuk do ishte Sarri!

MUZIKA – Dashuron muzikën xhaz, pasion i kultivuar që në rini. Tregojnë se shtëpia e tij në Napoli ishte e mbushur me disqe të këtij zhanri, shumë prej të cilave të 4-5, apo më shumë dekadave më parë. Fundja, edhe loja që ai ofron në fushë, i ngjason ritmit të trombës.

sarri

NAPOLI – Është qyteti ku u rrit dhe ku e dashuruan si të çmendur. Por edhe pse ai mbetet pjesë e zemrës së tij, mbetet gjithsesi i kthjellët mbi realitetin që vuajti mbi shpatulla: “Nuk mund t’i qëndrosh besnik një bashkëshorteje nga e cila je divorcuar”. Gjithsesi, napolitanët e quajnë këtë lëvizje si një tradhti.

PUNËTOR – Nga ana karakteriale, i ngjason babait. Ashtu si ai ndan pasionin për çiklizmin, por ndan edhe të njëjtin këndvështrim kundrejt ideve të majta politike. Por tani mbizotëron disiluzionizmi: “Italia vazhdon të shpërdorojë mundësitë që i paraqiten”.

NË PRESIDENCË – “Po ta kisha unë në dorë, do të isha gati të pushtoja presidencën, për të marrë pushtetin qoftë edhe me forcë”, thoshte Sarri në mars të vitit 2018, me një “pikë” bolshevizmi. Në atë periudhë Sarri luftonte për ngjyrat e Napolit dhe në presidencë bëri vizitë, siç e do tradita, përpara luajtjes së Kupës së Italisë. Por ndoshta do të rikthehet sërish aty, jo më si një zjarrvënës, por fundja as si zjarrfikës. Fundja, Sarri është vetëm një profesionist…

CILËSI – Mes rezultatit dhe dëfrimit, Sarri ka zgjedhur këtë të fundit si idenë e lojës së tij, ndryshe nga Alegri, i cili kishte zgjedhur rezultatin dhe ishte një as në menaxhimin e grupit. Prandaj, pyetja e madhe që ngrihet tani është: A do të arrijë Mauricio të ecë në gjurmët, apo pse jo ta kalojë Alegrin, duke ndjekur futbollin e bukur?

CIGARET – Është një gllabërues “Merit”-ësh (marka e cigareve që konsumon). Tabloidët anglezë, si gjithmonë me dozën e lartë të ekzagjerimit, kanë bërë llogaritë: 80 cigare në ditë minimumi, një çdo 12 minuta, për një total prej 29 mijë të tilla në vit. Shkurt, dhjetëra mijëra euro të shpenzuara, për të kënaqur vesin e tij.

TUTAT – Është një ikonë e modës, sipas mënyrës së tij. Ai mendon se tuta jo më kot edhe superheronjtë veshin tuta, por në të njëjtën kohë justifikohet: “Bëj një punë fushe…”. Gjithsesi, pasi i kishte premtuar Juves, ai pranon se mund të bëjë një përjashtim: “Xhaketë dhe kollare, pse jo?! Por vetëm nëse do të ma kërkojnë…”.

I FUNDIT – Ishte 14 dhjetor 2011. Sarri kishte humbur ndeshjen e katërt radhazi, me Sorrenton ambicioz, në Lega Pro (Kategoria e Tretë). Rufiti një kafe dhe piu dhjetëra cigare radhazi, ndërsa presidenti e kritikonte. Mbeti shumë keq, por pas atij momenti, karriera e tij njohu vetëm suksese. Ai ishte shkarkimi i fundit.

I MOSHUAR – Do të jetë trajneri më i vjetër i Serisë A, një 60-vjeçar në klubin që ka në drejtim 30-40 vjeçarë. Gjithsesi, mosha është vetëm një shifër, sepse Sarri është i kthjellët nga mendimet dhe ushqen ide “adoleshenciale” në fushën e lojës.

ZONAL – Futbolli i Sarrit jeton me mbrojtjen zonale: linjë me katër mbrojtës, që duhet të ndjekin topin, rregulla strikte, njësoj sikur të ishin ligjet e kushtetutës. Pjesa tjetër është vetëm kurim detajesh, lojë fluide dhe korale.

Related posts

MILAN-NAPOLI/ I mjaftojnë 5 minuta lojë, Elmas ndëshkon “Kuqezinjtë” (VIDEO)

Delo.autor

NUK U NDËSHKUA NGA GJYQTARI/ ​Ja ndërhyrja e ashpër ndaj Pogbas (VIDEO)

Delo.autor

MILANI MBETET “THATË”/ Fabregas pranë rikithimit në La Liga, ja klubi i ri

Isa.Autor

Leave a Comment