Futboll Kategoria Superiore Sport

PARTIZANI NIS ME SPASTRIMET NË VERË/ Trajneri Lerda përgatit listën për të “sakrifikuarit” në merkato

Partizani, edhe pse riktheu titullin pas 26 viteve, sërish i mbetet besnik traditës së fillimsezoneve. Që pas rikthimit në Superiore në verën e 2013-ës dhe deri më sot, çdo edicion e ka nisur me trajner të ri, i cili fillimisht punon me grupin e mbartur nga sezoni paraardhës.

Pas disa seancash stërvitore nisin skarcimet dhe të larguarve u jepet motivacioni: Nuk jeni në planet e trajnerit të ri. Pra, çdo trajner është i detyruar ta nisë punën me “mëkate” te Partizani.

Kjo praktikë do të vlejë edhe për trajnerin Franko Lerda, i cili zyrtarisht e nisi punën në fazën përgatitore në Slloveni. Pjesë e fazës do të jenë edhe lojtarët që u skadon kontrata më 30 qershor, si dhe kandidatët e rinj, të cilët do të vëzhgohen nga afër. Klubit i duhet të rinovojë me qendërmbrojtësin Egzon Belica, pasi Sodiq Atanda quhet i ikur. Sa u përket largimeve, emrat pak a shumë janë të rrethuar, por “libreza e punës” do u jepet në dorë pas kthimit nga Sllovenia.

Pjesë e seleksionimit do të jenë edhe ata që janë nën kontratë, por që nuk kanë bindur dhe zgjidhja e kontratës do të jetë sërish e njëjtë edhe për këtë kategori: Nuk jeni në planet e trajnerit. Gjatë fazës në Slloveni do të testohen edhe disa lojtarë që mendohen si përforcime, ku mes tyre është lakuar Jozef Ekuban.

Spastrimet te Partizani do kapin edhe hallkat e klubit, madje nga aty nisi fushata, pasi u larguan dy trajnerë, Skënder Gega dhe Florian Ristani. Në vijim pritet që Partizani të zyrtarizojë ndryshimet në klub, si në lojtarë, por edhe në drejtues dhe zyrtarë.

BLEDAR HAJDINI- Partizani ka lejuar gjatë kësaj periudhe të lakohen emra pa fund si përforcime të mundshme, por klubi nuk ka bërë asnjë zyrtarizim. Së fundmi, në skenë ka dalë edhe një portier, Bledar Hajdini, i cili vjen nga futbolli kosovar.

24-vjeçari ka luajtur më herët edhe një ndeshje me Kombëtaren e Kosovës dhe thuhet se vjen si një konkurrent për portierin Hoxha. Dashamir Xhika ka një jetë si portier i dytë te Partizani, që nga viti 2006 dhe më 30 qershor i mbaron kontrata. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i klubit për portierin 30-vjeçar, që ka dalë nga akademia e kuqe. Edhe në këtë rast, vendimi do të merret pas përfundimit të fazës në Slloveni.

Related posts

VAZHDON BINDSHËM KRYESIMIN/ Penalltia e dyshimtë shpëton Liverpoolin

Delo.autor

Neymar nis kontaktet me topin, por përfundon i rraskapitur (VIDEO)

Sadik.Autor

ZYRTARE/ Largime para janarit, klubi i Egnatias shpall “divorcin” me dy lojtarë

Delo.autor

Leave a Comment