Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

SFIDAT NDAJ ISLANDËS DHE MOLDAVISË/ Talenti i Shqipërisë optimist: Me sistemin e ri të Rejës do arrijmë…

Është vetëm 20 vjeç, por talenti i padiskutueshëm që disponon e ka bërë të debutojë zyrtarisht me përfaqësuesen shqiptare në sfidën ndaj Skocisë.

Enea Mihaj është një nga futbollistët ku mund të bazohet e ardhmja e kuqezinjve.

Mbrojtësi e dallon ndryshimin e atmosferës me ardhjen e Edy Rejës dhe shfaq optimizmin e tij në kuadër të dy sfidave të ardhshme kundër Islandës dhe Moldavisë.

“Kemi punuar shumë mirë këto dy javë. Të gjithë jemi fokusuar te puna dhe me trajnerin e ri, po punojmë edhe me një sistem të ri. Duhet të jemi shumë të fokusuar te puna që duhet të bëjmë dhe besoj se do të marrim rezultat të mirë në ndeshje”, tha Mihaj.

Nga informacionet paraprake, gjasat janë që Mihaj të mos e nisë nga minuta e parë duelin ndaj vikingëve, por kjo nuk e ka prekur mendësinë me të cilën lojtari po i afrohet takimit, një mendësi që duhet të jetë shembull për çdo futbollist.

“Të gjithë lojtarët që jemi në kombëtare jemi gati të japim më të mirën, kur të na jepet mundësia të futemi në fushë. Po të jetë radha ime, jam gati të bëj më të mirën, për të ndihmuar Shqipërinë për një rezultat të mirë”, tha mbrojtësi.

Edy Reja do të përshtatë një sistem të ri difensiv me vetëm 3 futbollistë në repartin mbrojtës, por Mihaj, edhe pse ende i ri në moshë dhe me pak vështirësi në gjuhën shqipe, shpjegon vështirësitë dhe anën pozitive të kësaj formule.

“Një sistem me 3 mbrojtës, të jep më shumë siguri në prapavijë, por duhet komunikim shumë i mirë me shokët e repartit, pasi mund të krijohen probleme. Besoj se kemi punuar shumë mirë këto dy javë dhe kemi kuptuar se çfarë do trajneri. Kemi në skuadër futbollistë që luajnë me ekipe të rëndësishme në Europë, që ditë të përshtaten shpejt me idetë e trajnerit”, tregon Mihaj.

Mbrojtësi ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare edhe kur trajner ishte Panucci, ku jo rrallë reparti i prapavijës përfundonte nën akuzë, për gola të shumtë të pësuar.

“Është e vërtetë që kemi pësuar shumë gola, por kur një ekip pëson, nuk është faji vetëm i mbrojtjes. Ne nuk kemi luajtur si grup dhe besoj se ky ka qenë problem, që kemi marrë shumë gola”, tha Mihaj.

Në edicionin që sapo u mbyll u aktivizua në 18 ndeshje si titullar në ligën kryesore helene me fanellën e Panaitolikos, Mihaj zbulon se në drejtim të tij ka disa oferta interesante, ndërkohë që klubi grek pretendon jo më pak se 1.5 milionë euro për kartonin e 20-vjeçarit shqiptar.

“Është e vërtetë që kisha një dëmtim këtë vit dhe nuk luajta në të gjitha takimet. Prej dy sezonesh kam bërë paraqitje të mira në Greqi dhe besoj se ky mund të jetë viti i fundit në kampionatin helen. Kam disa oferta, por menaxheri im po punon me atë pjesë, pasi unë jam i përqendruar te Kombëtarja. Kam oferta nga dy ekipe në Itali, por edhe në Holandë, megjithatë varet se si do shkojnë negociatat edhe me klubin tim, që kërkon 1.5 milionë euro për kartonin tim. Pra momentalisht jam në pritje dhe vijoj të punoj, pavarësisht nëse do vijoj në Greqi, apo do kaloj në një kampionat tjetër”, deklaroi Enea Mihaj.

Related posts

LUFTËTARI-TIRANA/ Të dyja skuadrat kanë si objektiv mbijetesën (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

“ZHBLLOKOHET” RONALDO/ CR7 shënon GOLIN e PARË të këtij sezoni, ja “MAGJIA” (VIDEO)

Delo.autor

Spalletti ende llogarit Mirandën/ Interi i ofron rinovimin

Sadik.Autor

Leave a Comment