Futboll Sport

TALENTI QË PO “ÇMEND” EUROPËN/ Nga rekordet me Ajax tek sportet e tjera, ja sekretet e De Ligt

Me trofeun e kampionatit holandez në njërën dorë e në tjetrën një mikrofon, falë të cilit komunikonte sië bën një mbret me popullin e tij. Është ky imazhi i fundit i Matijs De Ligt me fanellën e Ajaksit gjatë festës për titullin kampion të një muaji më parë.

Vetëm 19 vjeç, por kapiten i “harkëtarëve”. Personalitet dhe talent, dy cilësi që po çmendin Europën e futbollit. Barcelona dhe PSG-ja e ndjekin prej kohësh, por Juventusi mund të jetë “mbretëria” e radhës. Matijs do të ndërrojë skuadër. Tek Ajaksi ka dhënë gjithçka dhe po largohet mes lavdisë. “Johan Cruijff Arena” nuk mund të jetë më fusha e tij, por do të mbetet gjithmonë “shtëpia”.

Kur sot shkëlqen, pa dallim, mes fanellave të Ajaksit dhe Holandës, bëhet e vështirë që të besosh se De Ligt hapat e parë si sportist i hodhi në fusha hokeji dhe tenisi. Ishte mbipeshë dhe “djalë mamaje”, por dukshëm është rritur shpejt. Vetëm 18 vjeç pranoi përgjegjësin e rolit të kapitenit tek Ajaksi, skuadër të cilën e shpalli kampione Holande, ndërkohë që paralelisht mundohej ta udhëhiqte deri në finalen e Ligës së Kampioneve. Pasi shkërmoqën Juventusin në Torino, askush nuk do ta besonte se “banda” e Ten Hag do të ndëshkohej në shtëpi nga Totenhemi. Futbolli është i bukur, këtë edhe Matijs e di.

de ligt

Tashmë, rivalen e mposhtur në Champions mund ta ketë destinacion të radhës, ku do të gjejë edhe idhullin Ronaldo. Çështjet ekonomike ia ka lënë Raiolës, i vetëdijshëm për aftësitë e menaxherit. Aktualisht mendon të pushojë dhe të jetë gati për aventurën e re. Aftësitë e veta, De Ligt dukshëm i njeh. E di që do të gjendet gati për ekipin e radhës, por edhe për Europianin, ku së bashku me Holandën do të mundohet të tregojë se futbolli holandez, sot nuk është më vetëm i bukur….

1- Rekordet 

Kapiten në Champions 19 vjeç dhe me Holandën debutoi 17 vjeç

Është shumë i ri, megjithatë ka arritur të hyjë disa herë në histori. De Ligt u emërua kapiteni me moshë më të re që ka luajtur një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve (19 vjeç e 261 ditë, në sfidën mes Totenhemit dhe Ajaksit, e luajtur më 30 prill të këtij viti). Ndër të tjera, është debutuesi më i ri i kombëtares holandeze në epokën pasluftës (17 vjeç, 7 muaj e 10 ditë, në sfidën Bullgari-Holandë, e vlefshme për fazën kualifikuese të Botërorit 2018, e luajtur më 25 mars 2017).

2- Familja

Mamaja Vivian, babai Frenk dhe binjakët. Familje speciale

Mbrojtësi më i dëshiruar në botë ka lindur në qytetin Leiderdorp, në jug të Holandës: është djali i parë i mamasë Vivian dhe babait Frenk. Ka një vëlla dhe një motër, binjakët Vuter dhe Fleur. Në familje është shumë i lidhur me mamanë dhe me vëllanë Vuter (të portretizuar së bashku në fotografi), vizitoi për herë të parë stadiumin e Ajaksit (në atë periudhë i quajtur “Amsterdam Arena”, përpara ndërrimit në “Johan Cruijff Arena” vitin e kaluar): rezultoi dashuri me shikim të parë.

Matthijs-de-Ligt-Early-Life-Story

3- E fejuara

Modelja me Ajaksin në gjak, babai Keje ka luajtur me Krojfin

Bukuroshja me Ajaksin në gjak: Aneke Molenar, e fejuara e De Ligt (së bashku në foto, gjatë disa pushimeve në Bahamas), si profesion bën modelen dhe është vajza e Keje Molenar, sot 60 vjeç, ish-mbrojtës i klubit holandez mes viteve 1980 dhe 1984 (81 ndeshje të koleksionuara dhe 16 gola), ku ka zhvilluar disa sezone përkrah legjendës Johan Krojf (në periudhën e dytë, 1981- ’83, të ish-fantazistit në Amsterdam). Shumë aktive në rrjetet sociale, është imazh edhe i disa fushatave publicitare.

Naamloos-6

4- Pseudonimi

Miqtë e quajnë ende “diki” prej disa kilogramëve të tepërt

Në fushë shokët e skuadrës e quajnë të gjithë “Mata”, shkurtim i emrit Matijs. Pseudonimi i tij mes familjarëve dhe shoqërisë më të afërt, megjithatë është “diki”, që i përkthyer në gjuhën holandeze do të thotë “topolak”: një nofkë kjo e fundit që i ka mbetur nga një moshë shumë e re, kur ishte më i fortë dhe me disa kilogramë më tepër në krahasim me fizikun dhe lojtarët e tjerë të moshës së tij. Por, De Ligt nuk e ka cilësuar kurrë si diçka ofenduese. Përkundrazi: tani është i dashuruar.

5- Sportet e tjera

Prindërit e shikonin si tenist, provoi edhe hokejin në bar

Prindërit e tij, të dy tenistë, pavarësisht se jo në nivele të larta, i dhanë menjëherë një raketë në dorë. Matijs u përpoq për disa kohë ta ushtronte si sport, por kuptoi shumë shpejt se nuk ishte i duhuri për të. Testoi edhe hokejin (e fejuara e tij luan hokej në fushë me bar), megjithatë kur zbuloi futbollin ndaloi të praktikonte çdo lloj sporti tjetër: u regjistrua në akademinë e Ajaksit në moshën 9 vjeç duke u larguar nga klubi lokal Abkoud, jashtë Amsterdamit; fillimisht ishte i ngadaltë, por me kalimin e kohës u perfeksionua.

matthijs-de-ligt-tennis

6- Mitet

Nga Kielini te Nesta, me CR7 në rolin e “këshilltarit”

De Ligt duket si produkt i shkollës italiane të mbrojtësve. Është nga ata lojtarë që nuk t’i ndajnë sytë nga kaviljet. Për holandezin, dyshja Bonuçi-Kielini janë një pikë referimi, së cilës mbase së shpejti i bashkohet. Barezi dhe Nesta janë dy modele të tjera që frymëzojnë 19-vjeçarin, por kur bëhet fjala për mite, atëherë në fushë “zbret” Kristiano Ronaldo. Herën e fundit që e pati përballë, portugezi i këshilloi transferimin në Torino, e që aty De Ligt reshti së menduari për Barcelonën, me vëmendjen që u orientua drejt Juves.

7- Ajaksi

Dashuri që në djep, Matijs e njeh historinë e “harkëtarëve”

Gjithçka nisi në Abkude, një fshat jashtë Amsterdamit, por vetëm pesë kilometra larg “Johan Cruijff Arena”. Ajaksi ka qenë ngaherë në fatin e tij e këtë e dëshmojnë jo vetëm fotot e shumta, por edhe një shkrepje me Luis Suarezin. Kur ishte ende fëmijë, klubi i dhuroi një libër për historinë e futbollit holandez. Matijs e përpiu në pak ditë dhe sot di përmendësh të gjithë historinë e “harkëtarëve”. Jo vetëm në intervista, por edhe në fjalimin për titullin nuk harroi të përmendte mes lotësh emocioni lavdinë e Krojfit dhe të klubit ku bën pjesë.

Matthijs-de-Ligts-The-Luis-Suarez-Encounter-1

8- Një mik

Lidhja me “Apin”, De Ligt fiton edhe për shokun e ngushtë

Abdelhak Nuri, i njohur në ambientin e Ajaksit (lojtarë dhe tifozë) me nofkën “Api”. Ishte shoku i parë i De Ligt në ekipin e paratërinjve të “harkëtarëve”. Në fotografi janë duke i mbajtur dorën njëri-tjetrit, në fushë e jashtë saj gjithmonë kanë qenë shumë të afërt. Në vitin 2017 “Api” pati një aritmi, për shkak të së cilës përfundoi në gjendje kome nga e cila u zgjua pas një viti, por me dëme të shumta në tru. Shoqëria nuk është prekur nga sëmundja e shokut, të cilit De Ligt i kushton çdo fitore duke deklaruar: “‘Api’, kjo është për ty”.

9- Përgatitësi

Ish-sprinteri Duglas e ktheu në një “rrufe”

Kur ishte ende pjesë e ekipeve zinxhir, De Ligt cilësohej si një lojtar me shumë talent, por me këmbë të ngurta. U duhej shkathtësi atyre muskujve të fortë. Zgjidhja ishte Troi Duglas, ish-kampioni holandez i 100 metrave. Prej dy vitesh punojnë së bashku dhe karriera e De Ligt ka pasur benefite të dukshme. “Sapo e pashë, kuptova se i nevojitej që të ndryshonte frekuencën e hapave”, deklaronte Duglas pak kohë më parë. Me mendimin ra dakord edhe 19-vjeçari që tashmë e ka treguar me fakte se në repertorin e tij është edhe shpejtësia.

10- Mino Raiola

Menaxheri e bindi me një fjali: “Të vlerësoj, së bashku shkojmë larg”

Një superfutbollist meriton një supermenaxher. E kush më mirë se Mino Raiola mund të kujdesej që talenti dhe cilësitë e De Ligt të merrnin vlerësimin e merituar. Prej dy vitesh bashkëpunojnë dhe këtë e dëshmon fotoja e mësipërme ku janë edhe Nedved e Enco Raiola, kushëri i Minos. Takimi i parë mes tyre ndodhi në vitin 2017. Asokohe Matijs ishte ende minoren, por Raiola e bindi duke i thënë vetëm një fjali: “Të vlerësoj, së bashku shkojmë larg”. De Ligt është ende tek Ajaksi, por duke parë interesin ndaj tij, nuk do qëndrojë edhe shumë gjatë.

Related posts

“LARGIMI IM, LAJM I RREMË”/ Marotta: Më mërzit fakti që Kumbulla zgjodhi Shqipërinë

Delo.autor

FORMULA 1/ Pengoi rivalët, Vettel penalizohet me 3 pozicione në startin e garës

Sadik.Autor

NË KOHË KORONAVIRUSI/ Tare blindon Strakoshën, arrihet akordi për rinovimin me Lazion!

Delo.autor

Leave a Comment