Futboll Seria A Sport

U ZYRTARIZUA TEK STOLI I MILANIT/ Perfeksionist dhe teknologjik. Ja si punon trajneri i ri “Kuqezinjve”

Lidhja me Sarrin është e fortë, pasi përveç kursit në “Koverçiano”, kohët e fundit kanë ndryshuar edhe famulli. Marko Xhampaolo dhe trajneri i Juves janë “diplomuar” së bashku si trajnerë në vitin shkollor 2006-’07. Ishte Sarri që e sugjeroi si pasardhës tek Empoli, ndërsa Milanit thuhet se ia ka këshilluar Alegri.

marko xhampaolo

MISIONI – Duke qëndruar te vitet akademike, teza e diplomës së teknikut të ri të Milanit kishte si titull “Java tipike e një trajneri”. Ia vlen të hidhet një sy mbi mënyrën dhe risitë që do të sjellë “timonieri” i ri kuqezi. Pikat kyçe ku është bazuar eseja e 51- vjeçarit janë figura e trajnerit dhe “misioni” ku pikërisht figura e trajnerit është thelbësore. “Një lideri i duhet filozofia, por duke mbajtur në mendje se taktika është ajo që zbret në fushë nëpërmjet lojtarëve. Objektivisht një trajner nuk ka një javë tipike, ndaj gjatë sezonit, ditët ndjekin njëra-tjetrën, e po ashtu qëllimet”, shkruante Xhampaolo në tezën e tij.

PERFEKSIONIST DHE TEKNOLOGJIK – Nuk do t’i dëgjoni ndonjëherë lojtarët e Milanit të ankohen për stërvitje të ashpra nga ana e Xhampaolos, por ndonjëri syresh me siguri që do të shqetësohet nga përsëritja e ushtrimeve taktike. Puna e trajnerit të ri të “Djallit” ka të bëjë më shumë me mendjen sesa muskujt. Më të kujdesshëm duhet të jenë mbrojtësit, mbi të cilët puna e 51-vjeçarit do të jetë asfiksuese, por edhe mesfushorët me detyra ndërtuese nuk do të jenë të qetë, duke qenë se modeli “Guardiola” do të jetë gjithnjë i pranishëm në stërvitje.

Një nga ushtrimet që Xhampaolo përdor më së shumti është “11 kundër 0”, çka parashikon zhvillimin e një faze sulmuese pa rivalë. Qëllimi është të arrihet sa më shpejt te porta, teksa gjithçka do të monitorohet me dronë. Teknologjia është një tjetër përbërës i mënyrave të Xhampaolos, i cili në tezën e tij shpjegon: “Përdorimi i imazheve të seleksionuara përfaqëson një mënyrë trajnimi për mua, madje e konsideroj si të barasvlershme me një seancë normale stërvitore”. Sipas tij, duhet studiuar vetja, e më pas rivali.

MJEKËT DHE GAZETARËT – Në tezën e tij shpjegon se fjalët nuk shërbejnë shumë në pushim të ndeshjeve, madje edhe pas ndeshjeve nuk i duket fort e volitshme të bisedojë për taktikë me lojtarët.

Tema të tilla do të diskutohen në ditën pasuese të ndeshjeve. Një tjetër “merak” i Xhampaolos është komunikimi me stafin. Ka nevojë të dijë gjithçka për këdo, sepse i duket e vetmja mënyrë për ta zhvilluar sezonin. Sa u përket mediave, në temën e diplomimit Xhampaolo kërkon transparencë me gazetarët, por njëkohësisht këshillon që lojtarët apo stafi nuk duhet të japin ide mbi qëllimet e trajnerit, sidomos me formacionin e ndeshjes së radhës. Dita e ndeshjes është pronë e gjithkujt dhe e askujt, sepse sipas trajnerit të ri kuqezi, gjithsecili e përballon tensionin në mënyrën e tij, praktikisht pak fjalë e shumë fakte. Pikërisht ajo që i duhet Milanit.

Related posts

PSV-ja pragmatiste, mjafton një gol për të “thyer” Spartën

Q.Autor

U MBYLL FAZA E PARË NË SUPERIORE/ Vllaznia me hap kampioni, kurrë kaq mirë në 10 vite. Ja statistikat…

Delo.autor

KUPA E SHQIPËRISË: GRUPI B/ Surprizë e Egnatias me Kukësin, Flamurtari në “Paqe”. Marshojnë Laçi me Vllazninë

Delo.autor

Leave a Comment