Futboll Kategoria Superiore Sport

KAMPIONATI DREJT SHTYERJES/ Kryeministri Rama premton: Ja kur do kalohet ligji i sportit

Situata aktuale e futbollit në vend jo vetëm në ekipet e Kategorisë Superiore, por edhe në kategoritë më të ulëta mund të bëjë që të mos nisë kampionati në datat që janë miratuar nga Komiteti Ekzekutiv.

“Panorama Sport” ka mësuar se në prapaskenë, klubet e elitës kanë një akord mes tyre për të nxitur shtyrjen për fillimin e kampionatit të sezonit 2019-2020. Nga sa është diskutuar mes presidentëve të klubeve të Kategorisë Superiore, nën ombrellën e Ligës Profesioniste, do të kërkohet pikërisht shtyrja për nisjen e kampionatit. Me gjasë, do të jetë vetë Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së që do ta miratojë diçka të tillë.

Kjo, për të pritur edhe lëvizjen nga ana e qeverisë, e cila pak kohë më parë në një tryezë me FSHF-në dhe presidentët e klubeve, kanë diskutuar disa pika. Më tej, grupi i punës i ngritur nga FSHF ka kërkuar miratimin e 6 ligjeve që sjellin ndryshime të rëndësishme në sport. Pasi premtimi se do të ishin gati pas 100 ditësh ka kaluar, klubet dhe familja e sportit në vend pret një lëvizje nga ana e qeverisë.

KRYEMINISTRI – Si për koincidencë, apo pararojë e të gjithë kësaj, ka qenë dje deklarata e kryeministrit të vendit, Edi Rama, gjatë bilancit të bërë dje në ambientet e kryeministrisë, premtoi edhe futjen e paketës ligjore për miratim me rinisjen e punës pas pushimeve. “Në shtator do të fusim projektligjin e shumëkërkuar, të shumëpritur dhe shumëpremtuar të sportit duke u dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve dhe kërkesave të komunitetit të sportit, të cilat janë trajtuar edhe në tryezën e përbashkët me Federatën Shqiptare të Futbollit apo me pjesë të tjera të komunitetit të sportit”, ka deklaruar dje kryeministri Rama. Në këto kushte, duket se kreu i qeverisë i ka dhënë dritën jeshile paketës së diskutuar me komunitetin e sportit, ndaj me gjasë, pritet që edhe ky i fundit ta presë miratimin e paketës ligjore, e më pas të startojë garën për edicionin ri.

AFATET – Kategoria Superiore është vendosur që të fillojë më 24 gusht, ndërkohë që Kategoria e Parë më 14 shtator. Gjasat janë që kjo datë, apo edhe një javë më vonë të jenë edhe pikënisja e sezonit të ri futbollistik, teksa të jetë bërë më parë edhe miratimi i paketës ligjore me ndryshimet e nevojshme që janë diskutuar, të cilat sjellin lehtësirat fiskale, tatimore, apo edhe mundësojnë afrimin e financimeve më të shumta nga bota e biznesit, për t’i dhënë zhvillim dhe vazhdimësi sportit në tërësi dhe futbollit në veçanti.

Related posts

Maldini i vendosur: Vetëm Milani ose Italia…

Q.Autor

“NGA INTER PRISJA SHUMË”/ Capello: Juventus do ta ketë të vështirë

Delo.autor

VESHË TË MËDHENJ E DHËMBË TË SHTREMBËR/ Si kanë qenë FUTBOLLISTËT para se t’i hynin kirurgjisë

Sadik.Autor

Leave a Comment