Futboll Seria A Sport

SKEMA ME DY SULMUES/ Historia “Zikaltër” i jep të drejtë Contes, ja zgjedhja taktike

Dy sulmues? Shumë herë më mirë sesa me një. Futbolli nuk është një shkencë ekzakte, por Antonio Konte është i fiksuar për një modul me dy sulmues dhe nuk heq dorë prej tij. Ajo që i jep të drejtë edhe më shumë kësaj ideje të trajnerit të ri, konfirmonhet edhe nga historia e 30 viteve të fundit e zikaltërve, e cila shtyn mbi konfirmimin e kësaj zgjedhjeje taktike.

Prej vitit 1989 e në vazhdim, thuajse të gjithë Interat fitues janë të lidhur me një dyshe sulmuese, e cila ka garantuar cilësi dhe gola. Pikërisht në 1989-ën, 30 vite më parë, Interi festonte titullin e rekordeve, të fituar me Xhovani Trapatonin në pankinë, i cili i dha besim absolut dyshes Aldo Serena e Ramon Diaz. Një dyshe prej 34 golash në total (22 për italianin dhe 12 për argjentinasin), e cila duke marrë parasysh edhe faktin se atëherë kampionati ishte me 18 skuadra, i lejonte Interit mesatarisht që ta niste takimin në avantazh 1-0 gjithmonë… Por nuk mbaron këtu, sepse historia përsëritet edhe në vazhdim, siç tregohet më poshtë:

Sezoni 1990-1991

Interi, sërish me Trapatonin në stol, rikthehet në çatinë e Europës në vitin 1991, duke fituar Kupën UEFA, në dopiosfidën e “Olimpikos” kundër Romës. Në kampionat, zikaltrit humbën duelin kokë më kokë me Sampdorian, por dyshja zikaltër e sulmit, Klinsman-Serena, ishin ata që me golat e tyre tërhoqën skuadrën në suksesin europian. Në fazën finale, shënuan të dy kundër Rapid Vjenës, ndërsa me Aston Vilën dhe Sportingun e Lisbonës, realizonte vetëm gjermani. Ndërkohë, dyshes KlinsmanSerena iu shtua pas shpatullave edhe një tjetër sulmues i fshehur si Lotar Mateus, i cili i dha një marsh më shumë Interit në Europë.

Sezoni 1993-1994 

Një tjetër Inter me dy sulmues, një tjetër afirmim në Europë, ndonëse në kampionat zikaltrit rrezikuan edhe zbritjen nga kategoria. Dyshja e sulmit në këtë periudhë formohej nga Denis Bergkamp dhe Ruben Sosa, të cilët edhe pse nuk e donin aspak njëri-tjetrin, gjithsesi e kompletonin njëri-tjetrin në fushën e lojës. Holandezi shpallej golashënuesi më i mirë i sezonit, me 18 realizime, ndërsa amerikano-jugori ishte kryegolashënuesi në Itali, me 16 gola. Së bashku nuk dialogonin me fjalë, por ditën të dialogonin në fushë, duke ngritur në qiell të dytën Kupë UEFA të historisë së Interit.

Ronaldo fenomeni

Sezoni 1997-1998

Viti i Ronaldos… Por edhe një fenomen si braziliani nuk luajti i vetëm në repartin e avancuar. Për të vrapuar, për të sakrifikuar dhe për t’i krijuar hapësira Ronaldos u desh infiltrimi i Ivan Zamoranos, që kaloi në histori edhe për fanellën e famshme, “1+8”, duke qenë se ia kaloi 9-ën Ronaldos. Dyshja latine garantoi gola dhe spektakël, pasi që të dy ishin protagonistët e fitores 3-0 ndaj Lacios që dhuroi të tretën Kupë UEFA për Interin.

Sezoni 2006-2007 

Në fund të këtij sezoni, Interi i Masimo Moratit, më në fund u rikthye të fitonte titullin kampion. Sezoni post-“Calciopoli”, me Roberto Mançinin në “timonin” e skuadrës, ishte një grup që shtynte shumë drejt sulmit, ku dyshja kryesore ishte ajo e formuar nga Ibrahimoviç-Krespo. Me këta të dy, Interi ofroi 17 fitore radhazi në kampionat, ku suedezi u shpall edhe golashënuesi më i mirë me 15 realizime, ndërsa Krespo e mbylli sezonin me 20 gola në të gjitha kompeticionet. Përfundimi, Interi kampion Italie, 5 javë përpara fundit të Serisë A.

MILITO ETO

Sezoni 2009-2010

Në verën e 10 viteve më parë lindte një Inter i destinuar për të hyrë në historinë e futbollit italian. Murinjo lejonte largimin e Ibrës dhe i beson dyshes Milito-Eto, ndonëse afrikani luante në një pozicion më hibrid, si sulmues anësor në modulin 4-2-3-1, por që në çdo rast dinte sesi të ekzaltonte cilësitë e argjentinasit. Rezultati, 30 realizime për Militon dhe gola me peshë në fitoren e titullit, Kupës së Italisë dhe Ligës së Kampioneve. Eto do të kënaqet me 12 gola në kampionat dhe 2 në Europë.

Related posts

Dështon Feyenoordi, Venlo fiton me gol të Leemans

Q.Autor

Andre Silva, çelësi i Milanit për të shkuar te sulmuesi i Monakos

Sadik.Autor

“AI ËSHTË NË MESIN E 4 LOJTARËVE MË…”/ Recoba e sulmon ashpër Barcelonën për trajtimin që po i bën Suarez

Delo.autor

Leave a Comment