Futboll Kategoria Superiore Sport

SKËNDERBEU I TRONDITI TË GJITHË/ Gjoba 1 milion euro mban peng Superioren, ja skuadrat që përfitojnë

Skënderbeu ka tronditur të gjithë futbollin shqiptar. Klubi shqiptar më i suksesshëm në Europë nuk ka mundur t’ia dalë mbanë në gjyqin me UEFA-n në KAS. Rrjedhimisht, i mbeten edhe shtatë vite për të shlyer nga dënimi 10-vjeçar për mospjesëmarrje në Europë.

Efektet e dënimit të korçarëve prekin gjithë kampionatin. Bie konkurrenca në luftën për titullin, preket direkt tregu i futbollistëve dhe pa dyshim ka një kosto të madhe edhe për imazhin e futbollit shqiptar. Përtej kësaj, tani ka edhe një problem tjetër që është lënë disi mënjanë, por që mund të ketë efekte të menjëhershme dhe tronditëse për kampionatin tonë. Bëhet fjalë për gjobën 1 milion euro. Po, ky është një problem më vete që mund të diktojë ndryshime të mëdha gjatë javëve të ardhshme.

Gjoba, si hanxhar mbi kokë për Skënderbeun

Skënderbeu u dënua me 10 vite mospjesëmarrje në Europë dhe 1 milion euro gjobë. Vendimi nuk ndryshoi as në KAS, që është edhe shkalla e fundit e gjykimit sportiv, çka do të thotë se tani klubi i Skënderbeut duhet të paguajë edhe 1 milion euro gjobë. Këtu nis gjithë problemi… A mundet që pas gjithë këtij kalvari me shpenzime të mëdha, Skënderbeu të paguajë edhe gjobën 1 milion euro? Është një shifër pothuajse sa buxheti vjetor i tetë herë kampionëve të Shqipërisë.

Nëse bardhekuqtë do të vazhdojnë të garojnë në elitën e futbollit shqiptar, pra të luajnë në Kategorinë Superiore, atëherë do të jenë të detyruar ta paguajnë. Në varësi të afateve kohore që do të vendosë UEFA, por ama do të jenë të detyruar ta paguajnë. Nëse nuk e shlyejnë, atëherë ndiqet procedura standarde me heqje pikësh deri në rrëzim nga kategoria. E thënë shkurt: Nëse Skënderbeu do të luajë në Superiore, atëherë duhet të paguajë edhe 1 milion euro gjobë. Nëse nuk e likuidon, rrezikon ta zbresin nga kategoria.

Zgjidhja optimale…

Nëse Skënderbeu e paguan gjobën 1 milion euro, nuk do të ketë asnjë problem me UEFA-n. Thjesht do të jetë një sakrificë e jashtëzakonshme e Ardjan Takajt për të mbajtur një ekip konkurrues në elitën e futbollit shqiptar, por edhe të shlyejë gjobën e majme.

Takaj sk

Varianti tjetër…

Nëse Takaj vendos të mos e paguajë gjobën, atëherë UEFA mund t’i kërkojë FSHFsë t’i heqë pikë sipas rregullores (fillimisht 3 pikë, më pas 6 dhe pastaj rënien nga kategoria). Nëse ndodh kjo, rrezikohet të komprometohet gjithë kampionati. Ose FSHF ta paguajë vetë gjobën, por 1 milion euro janë shumë dhe ka thuajse zero shanse që të paguhen 1 milion euro për një klub që ka edhe 7 vite dënim për të shlyer.

Ndërhyrja e FSHF-së…

Në rrethana të tilla, federata ka edhe një zgjidhje tjetër. Ndoshta duke bërë edhe një kompromis me presidentin e korçarëve. Mundësia është kjo: Nëse Takaj ka ndërmend të krijojë një skuadër me emër tjetër në Korçë, atëherë FSHF mund t’i marrë masat që tani, duke dhënë një vendim të formës së prerë për ta dënuar edhe ajo Skënderbeun. Klubi shpall falimentin dhe shmang gjobën 1 milion euro.

Duka-Takaj

Me këto para, Takaj ka mundësi që të investojë për të ngjitur sa më shpejt në Superiore ekipin e ardhshëm dhe ndërkohë FSHF-ja shpëton kampionatin nga një skuadër që do të merrte pjesë sa për numër dhe që do të rrezikonte seriozisht rënien për shkak të urdhrave që do të vinin nga UEFA.

Cili e zëvendëson Skënderbeun nëse rrëzohet?

Edhe kjo është një çështje e nxehtë që ha shumë diskutim. Varianti më korrekt do të ishte që dy vendet e dyta të secilit grup të Kategorisë së Parë (Dinamo dhe Besa) të zhvillonin një ose dy ndeshje “play-off” mes tyre me qëllim që të ngjitet njëra në Superiore. Natyrisht që e gjithë kjo është një mundësi hipotetike, por ama mbetet real shqetësimi i federatës se çfarë do të ndodhë tani me klubin korçar.

Dinamo Besa

Gjoba 1 milion euro mund të bëhet vërtet problem. Situata në Superiore është jashtëzakonisht e vështirë. Me Skënderbeun e dënuar, me Tiranën, Flamurtarin, Luftëtarin dhe Vllazninë që kanë probleme serioze me borxhet dhe që kanë marrë ultimatume nga FSHF-ja, rrezikohet që të nisë një sezon futbollistik sa i çuditshëm, aq edhe i paragjykuar.

I paragjykuar, sepse lufta për Europë mund të jetë fiktive, ashtu si sezonin e kaluar, ku për shkak të të njëjtave rrethana u mor vesh që në dhjetor se cilat ishin klubet që mund të shkonin në Europë. Prandaj, është momenti që zyrtarët e FSHF-së në këto ditë të nxehta korriku të gjykojnë me ftohtësi dhe të marrin vendime që do të minimizonin dëmet për edicionin që vjen.

Related posts

FITORJA E TRETË RADHAZI/ Rikthehet instikti “vrasës”, Man City 4 pikë diferenë nga “Të Kuqtë”

Delo.autor

CAHMPIONS LEAGUE/ Pas një asist nga Laimer, Szoboszlai ndëshkon Manchester City-n (VIDEO)

Delo.autor

KATEGORIA E PARË/ Vllaznia rikthehet te fitorja, Bylis nuk i ndahet Besës

Isa.Autor

Leave a Comment