Futboll Premier League Sport

TREGON BETEJËN ME DROGËN/ Ish futbollisti: Më bëri të çmendur, më vrau edhe vëllain

Ishte viti 2007 dhe ish-mesfushori i Manchester City, Jeff Whitley, kishte nisur të përdorte pije alkoolike dhe kokainë. Për fat të mirë për të, kjo ishte hera e parë dhe e fundit, që e humbi drejtpeshimin e jetës. “E pashë veten në pasqyrë dhe mendova: nuk e di kush është ky djalë. Po të vazhdoja në atë rrugë, do ta humbja veten plotësisht”, – tha Whitley, 40 vjeç, për “The Sun”.

Për pothuajse 50 ditë, ish-futbollisti i “qytetarëve” ishte në mëshirën e kokainës: “Gënjeja, mashtroja, ndryshova krejtësisht mënyrën se si flisja me njerëzit. Kam qëndruar në shtëpinë e mikut tim, Tommy. Aty kalova disa ditë detoksifikimi, më pas mora guximin për të telefonuar vëllain tim (ish-futbollisti, Jim Whitley). Më kujtohet si tani, kur u takuam. Ai dhe unë ishim të përlotur në kuzhinë, sepse vëllai është njeri zemërthyer për familjen. Aty kuptova se, përveç vetes, po lëndoja edhe familjen përmes veprimeve të pakontrolluara. Kjo ishte keqardhja ime më e madhe”.

12 vite më pas, Whitley, tashmë një këshilltar i kualifikuar futbollistësh, është ulur në zyrën e tij me ngjyra të ndezura, në selinë e Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë (PFA), në qendër të qytetit të Manchesterit. Që prej dhjetorit, ish-lojtari i Irlandës së Veriut është punësuar aty. Si krejt shoqata, ofron asistencë falas për futbollistët e të kaluarës dhe të tashmes mbi çështje që variojnë nga varësia prej ankthit, depresionit dhe drogave.

Pas viteve të marrjes së drogës, njëri prej vëllezërve të tij, Jack, u vetëvra në vitin 2017. Whitley e di se sa i keq mund të jetë abuzimi me substancat e ndaluara psikotrope. Sot, ai po ndihmon në ngritjen e vetëdijes për rreziqet shkatërruese të kokainës dhe ndikimin e saj në shëndetin mendor. “Kur je i ri dhe ke pak nga ajo në xhepin tënd, mund të jetë mjaft emocionuese ta provosh, por bëhesh shumë i varur, – shpjegon Whitley. – Ju do ta shikoni veten nga të qenit super i sigurt në një zymtësi të plotë. Pasi mbaron efekti i kokainës, mbyllesh në vetvete, në izolim të plotë”.

Whitley guxoi, u përball dhe e fitoi betejën torturuese të varësisë nga kokaina. Kujton se e filloi në makinën e një shoku në Cardiff, pasi Dave Jones i kishte përzënë nga trajnimi: “Isha në një vend të errët, nuk kisha asnjë justifikim për ta marrë atë. Nëse do të shkoja rregullisht në stërvitje, nuk do ta provoja drogën. Kur e përdor, në fillim ndihesh mirë, por përfundon në paranojë. Paranoja të çmend. Le të themi se çdo sirenë anije, çdo bori makine, çdo zhurmë, mendon se është pas teje. Është vërtet një situatë e frikshme, ajo që përjeton”.

Whitley e di më shumë se askush tjetër se çfarë pasojash fatale ka hyrja në këtë rrugë. Dy vjet më parë, vëllai i tij vrau veten, pasi përdorte lloje të ndryshme drogash, përfshirë edhe kokainën: “E di se sa e vështirë është për anëtarët e familjes që t’ju ndihmojnë. Nuk ishte e pazakontë, që mos e kontrolloje fare veten. Familjarët nuk ta dalin dot. Unë e provova vetë të gjithë këtë.

E lashë përdorimin e kokainës, u bëra më i matur, pastrova gjakun e trupin nga ato substanca të ndaluara dhe isha në gjendje të bindesha se ka një zgjidhje për problemin. U mundova ta bindja edhe vëllain të hiqte dorë. E pyeta: a do të jetosh me drogën, apo do të vish me mua, të të tregoj si të heqësh dorë prej saj? Për fat të keq, ai nuk ishte i gatshëm dhe sot nuk jeton më”.

Në dy muaj, Whitley harxhoi rreth 30.000 stërlina për pije alkoolike, kokainë dhe dhoma hoteli. Këto para i kishte kursyer për të ardhmen e tij, por i përdori për t’u vetëhelmuar. Pavarësisht se u huazua në vitin 2007, Whitley u largua nga trajnimi për të shmangur testet e drogës: “Unë nuk u paraqita në ndeshjen e fundit të sezonit, sepse e dija që do na bënin kontrollin antidoping. Menaxheri erdhi dhe më gjeti në një bar, më pyeti nëse do të shkoja në stërvitje. Unë i thashë jo. Ai më tha të paraqitesha patjetër të premten. I thashë, ndoshta. E premtja erdhi dhe shkoi, por unë nuk shkova në klub. Kisha nisur ta kuptoja se po hyja në siklet me veten, familjen dhe shokët e ekipit tim”.

Pas kontrollit në “Sporting Chance Clinic”, Whitley u kthye në Wrexham, por një lëndim i përsëritur në gju i dha fund karrierës së tij. Ndërsa ishte në rehabilitim, Whitley mësoi se rrënja e problemit të tij ishte një traumë e pashprehur e fëmijërisë, duke qenë jetim prej moshës 12-vjeçare. “Këto gjëra kanë një ndikim të madh mbi ju, – thotë ai. – Ju jeni duke kërkuar figura të babait të munguar dhe, për fat të keq, disa prej tyre janë modele me të vërtetë të këqija, përfshirë ato që përdorin dhe shesin drogë”.

Whitley është i pastër nga droga, që kur u largua nga rehabilitimi, 11 vite më parë. Qysh atëherë, ish-lojtari i Sunderland dhe gruaja e tij mahnitëse, Imogen, kanë sjellë në jetë dy fëmijë, 9 dhe 11 vjeç. Ata janë paralajmëruar për rreziqet e drogës, sepse prindërit iu kanë folur për të haptazi. Për Whitley, mendimet e errëta (të këqija) zvarriten herë pas here, por zhduken shpejt:

“Nuk mund ta ndaloj atë, që më vjen në mendje. Ajo që më ka lënë kjo histori është obsesioni mendor. Dallimi është se mendimet e këqija nuk qëndrojnë gjatë me mua. Është një mendim që vjen dhe largohet, ia lë vendin një tjetër mendimi. Nuk e kam mbyllur plotësisht derën për këtë pjesë tepër të vështirë të jetës. Dera ime do të mbetet gjithmonë pak e hapur, sa për të kujtur se në çfarë ferri isha një herë e një kohë…”(Telesport)

Related posts

“TË GJITHË NE MARRIM PËRGJEGJËSINË”/ Trajneri Arteta nuk dorëzohet: Projekti i Arsenalit është ky

Delo.autor

ATALANTA PREK HISTORINË/ Heroi i mbrëmjes ka kushtuar vetëm 1 milion euro

F.autor

Gjermanët “qajnë” eleminimin/ Oliver Kahn: Grumbullimi i Nojerit ndikoi…

Isa.Autor

Leave a Comment