Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

U ZYRTARIZUA “DIVORCI” ME JANINËN/ Andi Lila mban me shpresë: Kurrë mos thuaj kurrë, kam ofertë nga…

Tri vite te Tirana, por Andi Lila e thotë me bindje se është tifoz i këtij klubi dhe se e bën që të ndihet si në shtëpi.

Vendimi i familjes, ofertat, telefonatat, bisedimet dhe marrëveshjet në pritje. Jo vetëm kaq, por Lila ndalet edhe te Tirana, ish-skuadra e tij dhe se si mund të rikthehet të jetë pretendente.

Bën jo pak të ëndërrojë tifozerinë bardheblu, jo vetëm për vendimin për t’u rikthyer te 24 herë kampionët, por mbi të gjitha teksa tregon me bindje se do të rikthehet Tirana e madhe.

Teksa dje është zyrtarizuar “divorci” me Janinën, pas 7 vite e gjysmë bashkëpunimi, futbollisti i Kombëtares ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport” ku ka folur për të ardhmen e tij.

Lila, përfunduat me Pas Janinën. Pas 7 vitesh e gjysmë, pse u larguat?

Kam kaluar pjesën më të mirë të karrierës te Janina, sepse u rrita bashkë me klubin. Në vitin 2011, kur u ngjit në Superligë nga Kategoria e Dytë, në atë periudhë i jam bashkuar edhe unë. Gjatë kësaj kohe kemi shkruar historinë, duke shkuar edhe në Kupat e Europës për herë të parë në historinë e klubit. Ishte një cikël të cilit po i vinte fundi. Duke parë edhe kurbën në rënie të skuadrës, pasi ra në Kategorinë e Dytë, edhe për karrierën time personale nuk doja që të luaja atje dhe menduam se do të ishte më mirë që t’i jepnim fund bashkëpunimit.

Çfarë do të ndodhë me karrierën tuaj?

Menjëherë sapo e mbylla me Pas Janinën, mora një telefonatë nga një skuadër në Superligën greke. Pas Lamia dhe gjithashtu një tjetër skuadër në Athinë, një emër i madh, por nuk jam i autorizuar që të tregoj emrin e saj, më kanë kontaktuar. Oferta e Pas Lamias ishte konkrete.

Çfarë vendosët?

I kam kërkuar një javë kohë që të mendohem se çfarë do të bëj. Realisht nuk i dihet. Kam pasur bisedime edhe në Shqipëri.

Me cilën skuadër?

Tirana është një prej ekipeve me të cilat kam diskutuar, duke ditur që unë atje ndihem si në shtëpinë time. Ndaj ishte edhe një detyrim moral apo edhe nga ana shoqërore, që të bisedoja me presidentin Halili. Përveçse ai është presidenti i klubit, është edhe miku im personal.

Sa mund të shpresojnë tifozët e Tiranës që do të riktheheni bardheblu?

(Qesh…) Pse jo? Kurrë mos thuaj kurrë dhe aty, jua thashë, është shtëpia ime. E ndiej veten shumë mirë. Patjetër! Pse jo, që të mos jetë si mundësi. Mirëpo, siç klubi i Tiranës është profesionist, edhe unë jam një lojtar profesionist dhe do të shohim të gjithë parametrat.

Si kthehet Tirana sërish pretendente, duke lënë mënjanë vendimin tuaj?

Po insistoni në këtë çështje dhe unë po ju them që në rast se do ta mbyll pozitivisht marrëveshjen me Tiranën, do të huazoj një frazë të presidentëve amerikanë. Ata thonë: “Le ta bëjmë Amerikën të madhe”. Unë do të them: “Le ta bëjmë Tiranën të madhe”.

Related posts

Zidane insiston: S’kam asnjë problem me Bale

Sadik.Autor

ATLETICO MERR VENDIMIN PËR DIEGO SIMEONEN/ Çfarë do ndodhi me trajnerin pas eleminimit nga Juventus

F.autor

PAS HUMBJES ME POKER NDAJ VLLAZNISË/ Trajneri Daja merr përgjegjësitë: Gabojmë pasimet elementare, por ka…

Delo.autor

Leave a Comment