Futboll Sport

NDESHJA ME BRIGHTON/ Guardiola komenton shortin: S’e premtoj dot fitoren…

Me shtatë pikë në tri ndeshjet e para të Premier Ligës, ku menjëherë do i duhet që të vihet në ndjekje të Liverpulit, e vetmja skuadër me pikë të plota në Angli, trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, komenton përpara sfidës me Brajtonin edhe shortin e Champions-it.

Strategu spanjoll, pavarësisht një grupi që kushdo do ta ëndërronte, duke parë se rivalët si Shahtjor Donetsk, Dinamo Zagreb dhe Atalanta nuk është se frikësojnë miliarderët anglezë, gjithsesi mban ulët euforinë, madje ngre dhe duart mbi ata që i kërkojnë suksesin në Europë sivjet.

“Mund ta kuptoj tifozin, i cili është i fiksuar me idenë për të fituar Ligën e Kampioneve, të shohë skuadrën e tij të zemrës në çatinë e Europës, por personalisht një trofe si ky nuk është se më largon gjumin natën. Po, unë premtoj se do të jap më të mirën time për të shkuar sa më larg dhe pse jo për të tentuar që të arrijmë te një sukses shumë i madh siç mund të jetë Champions-i, por më vjen keq nëse nuk ua premtoj dot fitoren e këtij trofeu. Edhe nëse fitojmë, personalisht nuk është se kjo kupë do të më ndryshonte jetën”.

Guardiola

 

“Unë punoj çdo ditë për të arritur objektiva të ndryshëm. Champions-i është një prej tyre, por ndërkohë na presin një mori me ndeshje edhe në Premier Ligë, ku kemi fronin për të mbrojtur, kemi ‘FA Cup’-in, ‘Carabao Cup’… Na pret një sezon që nëse i shkojmë deri në fund çdo turneu të mundshëm, do të luanim 65-70 ndeshje. Një çmenduri, e cila duhet menaxhuar me kujdes dhe duhet shijuar ndeshje pas ndeshjeje. Prandaj, pavarësisht shortit tonë fatlum në Europë, do të kemi kohë për të menduar për rivalët tanë. Objektivi im primar janë tri pikët e radhës në kampionat, ndaj Brajtonit, një skuadër shumë fizike, e cila mund të na bëjë keq. Prandaj, le të përqendrohemi te kampionati dhe të mos mendojmë për asgjë tjetër”.

mancester siti

Në fund, lidhur me blerjen e re, Zhoao Kanselo, i cili nuk ka bërë ende debutimin e tij, pavarësisht një investimi prej 65 milionë eurosh, Pep Guardiola thekson. “Unë jam i lumtur nga ajo çfarë më ka treguar Kanselo në stërvitje, por edhe vetë lojtari e di se, duke qenë i fundit i ardhur në skuadër, atij do i duhet ende pak kohë për të hyrë në mekanizma. Për momentin, Kail Uoker e njeh totalisht idenë time të lojës dhe kërkesat që unë kam për mbrojtësit anësorë. Gjithsesi, Kanselo është një lojtar shumë i zgjuar, po mëson çdo ditë dhe shpejt do të vijë edhe dita e tij për të bërë debutimin me Mançester Sitin”, përfundoi spanjoll.

Related posts

RRËFEN DUELIN E DYTË NDAJ HOLYFIELD/ Mike Tyson: E kafshova në vesh pasi doja ta vrisja

Delo.autor

ZYRTARIZON AFRIMIN E TRETË/ Christian Eriksen firmos me Inter deri në 2024, ja sa do të përfitojë

Delo.autor

Sot e quajti më të mirin e të gjitha kohërave,ja si e cilësonte VIDALI më parë për MESSIN

Isa.Autor

Leave a Comment