Futboll Kategoria Superiore Sport

NDESHJA ME SKËNDERBEUN/ Flet trajneri Starova: Do të ketë garë të fortë, por…

Sulejman Starova beson te kthesa e Laçit. E megjithatë, në asnjë moment nuk dëshiron që ta anashkalojë Skënderbeun.

Përtej ndryshimeve radikale që kundërshtari ka pësuar, ai mendon se kanë cilësi dhe mbi të gjitha moralin pas asaj fitoreje që morën në fund ndaj Flamurtarit. Trajneri paralajmëron se do të bëjë disa ndryshime të vogla në 11- she dhe zbulon se pret një tjetër sulmues në merkato.

Pas startit të hidhur, prisni reagim ndaj Skënderbeut?

Ekipi ka luajtur mirë edhe në Shkodër. Vërtet nuk jam i kënaqur me pjesën e parë, por në të dytën reaguam. Krijuam edhe 3 raste të pastra për shënim. Mundësitë i kemi dhe skuadrën gjithashtu. Por, ka një faktor psikologjik që kushtëzohet edhe pak nga ajo ndjenja e të qenit favorit. Na duhet me patjetër që të fitojmë dhe ta stampojmë atë besimin, që na është krijuar që prej Europës apo fazës përgatitore.

Keni marrë ndonjë masë për t’i ndrequr ato që nuk shkuan siç duhet në Shkodër?

Masat janë marrë që gjatë fazës përgatitore për të përballuar një kampionat që, siç po duket, do të ketë 3-4 skuadra që do të pretendojnë. Do të ketë garë të fortë, por edhe ekipet që kanë vuajtjet e veta, nuk duhen anashkaluar. Për momentin, kush luan me ato që kanë pasur probleme, do të ketë disi siklet, edhe pse shembulli i Flamurtarit në Korçë është tregues i një skuadre të pastërvitur, që has vështirësi.

Me masa nënkuptojmë ndryshime në formacion…

Ndonjë lëvizje e vogël mund të bëhet herë pas here.

Keni marrë sot Ymerin, por a prisni të tjera surpriza nga merkatoja?

Jo, me merkaton nuk merrem unë. Por, nga sa kam dijeni, drejtuesit janë në përpjekje për të marrë një sulmues cilësor. Nuk e di sa do të realizohet.

Skënderbeu nuk është më ai që ka qenë. A do ta keni më të thjeshtë për ta përballuar?

Unë nuk jam magjistar, por i di anët pozitive dhe negative të Skënderbeut. Di që kanë marrë Pollozhanin me shumë përvojë, kanë mbajtur Muzakën e Krasniqin, në sulm kanë Bregun apo edhe Gripshin, Dita pa e harruar. Lojtarët i kanë, por kanë edhe një “bonus”: trepikëshin e siguruar në fund. U ka dhënë moral dhe janë më pak të ngarkuar psikologjikisht.

Do të jetë një duel interesant edhe në pankinë, Satova përballë Dajës…

Këto detaje i shihni ju të medias. Ne kemi rolin tonë në skuadër, por në fund të fundit janë lojtarët ata që luajnë në fushë. Pjesa tjetër është më shumë për shou.

Besoni ende që mund të garoni për titull?

E kam shpjeguar që paraqitja e mirë në Europë, forma e ekipit gjatë fazës dhe miqësoreve të verës më bënë të mendoja që jemi një skuadër që nuk kemi pse të kemi drojë ndaj çdo kundërshtari. Pretendimet tona janë që t’i marrim ndeshjet me radhë, vështirësi do të ketë dhe gara do të jetë e fortë. Llogaritë nuk bëhen tani. Çdo trajner dhe çdo skuadër apo lojtar përpiqet vetëm për takimin e radhës. Kështu rritet morali, në vazhdimësi. Nuk i kemi xhiruar akoma mirë “gomat”, pasi për fat të keq është një javë shumë e ngjeshur dhe temperaturat shumë të larta. Nuk ka ardhur ende ajo shija e kampionatit, ndaj tani duam vetëm ato pikët. Ngjeshja bën të vetën. Por, le të shpresojmë që çunat të japin maksimumin dhe të kemi pak fat.

Related posts

Kukësi gjen sulmues në Shkodër, arrihet marrëveshja

Sadik.Autor

PËSOI DËMTIM “HORROR”/ Mesfushori shqiptar publikon pamjet e këmbës së tij në rrjetet sociale (FOTO)

Delo.autor

LËVDATAT NGA RAMOS/ Kapiteni i Realit “ngre në qiell” kroatin Modriç

Isa.Autor

Leave a Comment