Kombëtarja Shqipëri Sport

“GJITHË FAMILJA IME KUNDËR”/ Rrëfehet mesfushori Basha: Ja pse i dhashë fund me Kombëtaren

Shumë pak herë kemi parë futbollistë që të largohen nga Kombëtarja shqiptare dhe të mos bëjnë polemika. Një pjesë e mirë i janë përveshur trajnerit të radhës që i kanë lënë jashtë, ndërsa disa të tjerë e kanë mbytur zemërimin me heshtje, duke u zbrazur vetëm nëpër tavolina.

Migjeni i futbollit ishte “poetik” edhe për mënyrën se si u largua. Befasishëm, me një falënderim për të gjithë dhe me shumë finesë. Po ç’e shtyu 33-vjeçarin e mesfushës që të tërhiqej nga Kombëtarja? Si e pritën familjarët e tij dhe çfarë planesh ka për të ardhmen? Në intervistën për “Panorama Sport”, Basha tregon edhe disa nga momentet më të mira me kuqezinjtë.

Pse e morët vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja?

Së pari, ky vendim nuk është marrë kur jam zgjuar një mëngjes dhe kam vendosur që të ndahem nga Kombëtarja… E kam menduar mirë dhe ky vendim është marrë në qershor.

Kujt ia treguat të parit?

Të parit ia kam treguar arsyet trajnerit Edi Reja, të cilin e falënderoj shumë për tri javë që kemi kaluar së bashku. Më ka lënë një përshtypje shumë të mirë.

Po më pas?

Më pas ia kam thënë edhe presidentit Duka.

Basha

Dakord, po pse e morët këtë vendim?

Arsyeja e parë ishte mosha. Po bëhem 33 vjeç dhe besoj që Kombëtarja ka nevojë për dikë më të ri. Nuk mendoj se është produktive as për mua dhe as për trajnerin që unë të vij e të jem aty në ekip e të zë një vend pa arsye. Duhet një çun i ri që të punohet për të ardhmen e kombëtares, sepse me mua nuk do shkojnë larg. Ja sot, ja nesër do më largonin… Arsyeja e dytë është familja dhe lindja e fëmijës që ishte për në fillim të shtatorit. Këto dy arsye ia kam thënë që të dyve: trajnerit dhe presidentit të FSHF-së. Nuk ka asnjë arsye negative ose polemikë ndaj shokëve, trajnerit, tifozëve ose federatës. Ishte thjesht vendim personal.

Çfarë ju thanë familjarët kur e diskutuat me ta?

Më thanë të gjithë që mos ta lë.

Po, vëllai juaj, Vullneti, gjithashtu dikur pjesë e Kombëtares, si reagoi?

U mundua ta kuptojë për çfarë arsyesh po e merrja këtë vendim. Fillimisht ai mendoi se mos ka ndodhur diçka e keqe, por pasi ia tregova se kishte ardhur momenti, nuk e zgjati shumë. E mbylli menjëherë telefonin…(qesh)

basha memushaj

Kush mendoni se ka qenë ndeshja juaj më e mirë me fanellën kuqezi?

Nuk më intereson paraqitja personale, por më intereson ajo që kemi arritur së bashku. Këtu veçoj dy ndeshje: me Francën në miqësore dhe Rumaninë në Europian. Do t’i kem gjithë jetës këto kujtime.

Cili është momenti më i bukur me Shqipërinë?

Festa për kualifikimin në Europian. E paharrueshme.

Nëse FSHF ose FFK një ditë do t’ju propozonin postin e drejtorit të ekipeve kombëtare, ju kë do të zgjidhnit?

Do jem gjithmonë në dispozicion që të ndihmoj futbollin shqiptar, pavarësisht pozitës. Por së pari ta mbyll karrierën dhe pastaj filloj hapin tjetër të karrierës. Gjithsesi, do përgatitem edhe për atë që më pret pas karrierës si futbollist.

Kush ka qenë shoku juaj më i mirë në Kombëtare?

Që nga fillimi deri në fund, me të gjithë kam pas raporte të mira. Jo vetëm me futbollistët, por edhe gjithë personat rreth Kombëtares.

Na thuaj ndonjë emër…

OK, meqë këmbëngulni, po ju them disa emra: Loriku, Etriti dhe Mërgimi.

Related posts

KORONAVIRUSI/ “Infektohet”edhe La Liga, Ezequiel Garay pozitiv me Covid-19 (FOTO)

Delo.autor

“GJITHÇKA NDODH PËR NJË ARSYE”/ Thiago Silva “shkund” Chelsea-n: Duhet punë, djersë dhe gjak

Delo.autor

“CARABAO CUP”/ Guardiola mposht Chelsean dhe “rrëmben” trofeun e parë sezonal

Delo.autor

Leave a Comment