Futboll Sport

PIATEK NUK MJAFTON/ Torino përmbys Milanin në 45 minutat e dyta

Pas humbjes në derbi, pritej që Milani i Giampaolos të bënte kthesën në transfertën ndaj Torinos dhe sinjalet ishin mjaft të mira në fund të 45 minutave të para, por pjesa e dytë nxori në pah limitet e kuqezinjve, që dolën të humbur me rezultatin 2-1 nga kjo sfidë.

Përveç Leaos, Giampaolo kishte hedhur nga minuta e parë edhe dy futbollistë të tjerë të afruar këtë verë, si Theo Hernandez dhe Bennacer, ndërsa Milani mori menjëherë kontrollin e lojës dhe filloi të shohë nga kuadrati i Sirigut.

Sfida do të zhbllokohej në minutën e 18’, kur portugezi Leao u ndal me faull në zonë nga De Silvestri, ndërsa arbitri akordoi një 11-metërsh, të cilin e mori përsipër polaku Piatek dhe e çoi në rrjetë, duke mposhtur Sirigun.

Milani vazhdoi të mbajë kontrollin e lojës, duke limituar maksimalisht sulmet e vendasve dhe duke i shkuar pranë golit të dytë, por herë për gabime të Piatek e herë për meritë të Sirigut, pjesa e parë përfundoi vetëm në shifrat 0-1.

Tatëpjeta për Milanin nisi në minutën e 57’, kur në fushë u fut Cristian Ansaldi, i cili filloi të zbresë shpesh nga krahu i majtë dhe të sjellë krosime kërcënuese në zonë, ndërsa shifrat u barazuan vetëm në minutën e 72-të, kur Andrea Belotti gjuajti nga distanca dhe “theu” duart e Donnarummës, duke dërguar topin në rrjetë.

Protesta të shumta të kuqezinjve, që pretenduan një faull në nisje të aksionit, ndërsa “Silent Check”-u i VAR-it la në fuqi golin dhe arbitri Guida ndëshkoi me karton të kuq Pepe Reinën, për protesta të shumta nga pankina.

Vetëm 4 minuta më vonë, Torino shfrytëzoi entuziazmin e golit të parë dhe “black out”-in e Milanit, për të shënuar edhe golin e avantazhit, sërish me kapitenin Belotti, që tentoi dy herë, për të dërguar topin në rrjetë me një roveshiatë me portën e boshatisur.

Kuqezinjtë nuk i mbajnë nervat, ndërsa Giampaolo luan edhe kartën Rebiç dhe Milani hidhet në sulm për të gjetur golin e barazimit, të cilit i shkoi shumë pranë në minutën e dytë shtesë, kur Kessie u shfaq i vetëm me portierin dhe vetëm dy metra larg portës, e dërgoi topin në parkingun e stadiumit.

Tentativën e fundit e bëri Piatek në sekondat e fundit, por goditja e tij nga fare pranë portës ishte e pasaktë, me topin që u përplas në trupin e Sirigut, duke u sfumuar kështu edhe mundësia e fundit e kuqezinjve për të shmangur disfatën.

Torino rikthehet kështu te suksesi, pas dy humbjeve radhazi dhe ngjitet në kuotën e 9 pikëve, ndërsa Milani mbetet në kuotën e 6 pikëve, me 3 humbje e dy fitore në 5 javët e para të kampionatit.

Related posts

KËSHILLOI MARSELON TE DREJTUESIT E JUVENTUSIT/ Ronaldo “sponsorizon” edhe futbollistin tjetër të Realit

Isa.Autor

KUPA E ITALISË/ Publikohen datat e edicionit të ri. Ja ku pritet të luhet finalja

Delo.autor

PO LUAN TITULLAR/ Shaw: Kritikat e MOURINHOS më kanë bërë më të fortë

Isa.Autor

Leave a Comment