Futboll Seria A Sport

MIQËSIA, DHIMBJA DHE MODA/ Ja kush është Stefano Pioli jashtë fushës

Ndoshta nuk është nga ata trajnerët që ka lënë gjurmë në historinë e futbollit italian, duke qenë se arritja më e madhe në karrierë është vetëm një kualifikim në Champions me Lacion (vendi i tretë në kampionat), por Stefano Pioli është një figurë që pëlqehet shumë në panoramën e Serisë A.

pioli

Vlerësohet së tepërmi për thjeshtësinë e tij, por edhe për një anë humane, ndonëse edhe shumë moderne që lidhet edhe me përditshmërinë e 53-vjeçarit.

Por se cili është Stefano Pioli brenda dhe sidomos jashtë fushës, panoramën totale ia bën e përditshmja “Gazzetta dello Sport”, e cila zbulon hobit, por jo vetëm, të trajnerit të ri të Milanit.

MIQËSIA – Shoqërohet gjithmonë më të njëjtët miq, ata me të cilët është rritur që në vegjëli dhe me të cilët edhe sot i pëlqen të kalojë ditët e lira dhe pushimet. I mjafton pak për t’u relaksuar: një “xhiro” e shpejtë në piceri, disa batuta, ndonjë barsoletë me miqtë dhe “retë” largohen menjëherë. Fundja, gjërat e thjeshta janë edhe më të bukurat…

MUZIKA – “Sa bukur është të xhirosh me krahët poshtë këmbëve, nëse ke një Vespa që të largon problemet…”. Është ky një prej vargjeve të suksesit muzikor të Çezare Kremoninit, kënga e preferuar e Piolit, e cila e çtensionon përpara se të ulet në pankinë, por që nuk ngurron asnjëherë që ta këndojë, sa herë që del me shoqërinë për karaoke.

DHIMBJA- Data 4 mars 2018 do të mbetet përgjithmonë në memorien e tij. Në një dhomë hoteli në Udine u gjet trupi i pajetë i Davide Astorit. Por pas kësaj drame që ka lënë shenjë te të gjithë lojtarët dhe tifozët vjollcë, ishte pikërisht Pioli, trajneri i Fiorentinës, që e mori skuadrën mbi shpatulla dhe e kaloi përtej tragjedisë.

EKUILIBËR – Kur i kërkojnë se cila është skema që e personalizon, përgjigjet gjithmonë: “Nuk ekziston një modul më fitues sesa një tjetër, ndryshe do ta përdornin të gjithë. Ajo që ka vërtet rëndësi në një skuadër është ekuilibri. Duhet thjesht të zbatosh sa më mirë fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese.

pioli

VËLLEZËRIT – Tre meshkuj, tre futbollistë, tre trajnerë, edhe pse në nivele të ndryshme. Leonardo, Stefano dhe Danilo… I pari ishte më teknik, i dyti më kokëfortë (jo më kot ka bërë edhe më shumë karrierë), ndërsa i treti kishte shumë talent, por u ndal thjesht te fushat e provincës.

GRUPI – Ka besuar gjithmonë se skuadra duhet të jetë si një shkëmb graniti. Dhe Pioli e jep prej vitesh këtë shembull, duke qenë se prej një jete ruan të njëjtin staf bashkëpunuesish. Prej më shumë se 10 vitesh punon me të njëjtët njerëz, pak a shumë si një familje shumë e gjerë…

HOBIT – Basketbolli është pa dyshim dashuria e dytë sportive e Piolit. Aq sa, nga dëshira për të ndjekur dhjetëra mijëra ndeshje të NBA-së, ka studiuar edhe taktika dhe skema që më pak i ka përshtatur dhe rimodeluar për botën e futbollit.

INTERKONTINENTALJA – 8 dhjetor 1985, “National Stadium” i Tokios, finalja e Kupës Interkontinentale mes Juventusit dhe Arxhentino Zhunjors. Në minutën e 19-të të pjesës së dytë Shirea dëmtohet. Trapatoni “peshkon” në pankinë 20-vjeçarin Pioli dhe e dërgon në fushë. Përgjegjësia është e gjitha mbi shpatullat e këtij vogëlushi, peshon shumë, por basti është i fituar, sepse në fund ishin bardhezinjtë që e ngritën kupën.

DËRRASA E ZEZË – Qoftë elektronike si në kohët e sotme, me lapustil apo edhe me shkumës si në hapat e parë që ai nisi të stërvisë, Pioli kalon shumë kohë në vizatimin e skemave dhe shpjegimin e tyre përballë lojtarëve. Dhe ai që i jep një “dorë” në këtë punë që mbi të gjitha bëhet më së shpeshti edhe për dëfrim, është djali i tij, Xhanmarko, që analizon ndeshje pas ndeshjeje dhe më pas ia shpjegon të atit.

pioli

E ËMA – Zonja Maria Luiza është specialistja e vërtetë e futbollit në familjen Pioli. Pas çdo ndeshjeje, Stefano shkon në shtëpinë e saj dhe ulet: “Jepi mami, tani pres të më bësh gjyqin… Çfarë kam gabuar?” Dhe ajo nxjerr listën e gjatë të shënimeve të gabimeve, sepse siç e nënvizon ajo: “Nga fëmijët e mi kam pretenduar gjithmonë maksimumin”.

GJYSH – Në pritje për të festuar 54-vjetorin (i mbush më 20 tetor), Pioli bëhet dysh në punët jashtë futbollit, sepse përveç babait është edhe gjysh i nipit Vitorio (djali i vajzës së tij), një rol për të cilin deklaron: “Më pëlqen shumë të bëj gjyshin, sepse më transmeton emocion dhe qetësi”. Dhe tani me siguri që do t’i dhurojë një bluzë kuqezi, për të pasur një tifoz më shumë te Milani.

KRENARI – Provën e vërtetë e dha në pranverën e vitit 1984, kur tërhoqi i vetëm Parmën, skuadrën e qytetit të tij, te fitorja në transfertë kundër Sanremezes dhe ngjitjes në Serinë B. Ishte pikërisht një gol i tiji që i dha lavdi një qyteti të tërë.

PROVIMI – Një ditë vëllezërit Leonardo dhe Stafano Pioli u dërguan që të bënin një provim te Bolonja. Stefano markoi Roberto Mançinin në fushë dhe nuk i lejoi që ta shihte në asnjë moment topin. Por trajneri i Bolonjës e skarcoi: “Nuk do të bësh kurrë karrierë”. Sigurisht që u zhgënjye, por nuk u dorëzua, madje iu kundërpërgjigj: “Mos ki merak, unë do të luaj në Serinë A.

KARTONI – 1 miliard lireta. Ishte kjo vlera që Juventusi pagoi në vitin 1984 për të blerë nga Parma shërbimet e mbrojtësit të ri, pas një beteje shumë të ashpër me Interin.

RANIERI – Në eksperiencën e parë në Serinë A, me Parmën e tij u shkarkua. Ishte janari i vitit 2007. Por i pabesueshëm ishte fakti se ishte pikërisht Pioli ai që ia sugjeroi presidentit Girardi emrin e pasardhësit të tij, Klaudio Ranieri, ndaj të cilit është nxjerrë gjithmonë si nxënës.

MODA – Gjithmonë ka qenë i apasionuar ndaj modës, aq sa prej pak kohësh ka hapur një dyqan rrobash për meshkuj, në qendër të Parmës, së bashku me një mik. Fundja, stili i të veshurit është pjesë e rëndësishme e jetës së Piolit.

FITORJA – Si trajner, fitoren më të thellë e ka vendosur si trajneri i Interit: më 12 mars 2017 mposhtte 7-1 Atalantën dhe menjëherë pas saj u duk sikur mes tij dhe ambientit zikaltër shpërtheu një dashuri e madhe. Por pas saj pasoi një seri prej 5 humbjesh dhe 2 barazimesh, të cilat sollën shkarkimin, ende pa u mbyllur kampionati.

Related posts

FITORJA NË DERBI/ Drejtuesit e Tiranës hapin “thesin”. Zbulohet premio për lojtarët bardheblu

Delo.autor

“NUK ISHTE GJË E KEQE PËR NE”/ Lojtari Barçës i gëzohet largimit të CR7

Delo.autor

DO TË LUHET NË “ELBASAN ARENA”/ UEFA cakton gjyqtarët e sfidës Shqipëri-Islandë, ja emrat

Delo.autor

Leave a Comment