Futboll Seria A Sport

“IBRAHIMOVIC MË MËSONTE NË AUTOBUS”/ Rrëfen Romelu Lukaku: Nëse gabon me Conten…

“Një fillim i mirë? Po, ka qenë. Deri tani ka shkuar gjithçka mirë, por dua të bëj akoma më shumë dhe, ndonëse statistikat janë pozitive, e di që mund të përmirësohem akoma”.

Intervistën e parë në Itali ia ka dhuruar prestigjiozes “Corriere dello Sport”, ku Romelu Lukaku, sulmuesi i Interit, ka treguar anën e tij më pak të njohur të karakterit, një formë dashurie që objektivisht të godet. Preferon të përgjigjet në anglisht, edhe pse në italisht shprehet mirë prej kohësh. “Motivimi im më i madh është të ndihmoj skuadrën dhe shokët të fitojnë ndeshjet duke shënuar. Siç kam bërë gjatë këtyre tre muajve të fundit. Synoj majat, nuk harroj të punoj, të shtyj çdo ditë shumë në stërvitje”.

Goli është specialiteti juaj. Cili është më i bukuri deri tani?

Këtu në Itali, ai kundër Breshas. Më pëlqeu edhe ai që shënova me kokë kundër Milanit, por goli kundër Breshas më kujtoi disa të ngjashëm që kam realizuar në Angli dhe atë me Belgjikën në ndeshjen e fundit të fituar me Rusinë.

Ai numër 52 në kombëtare. 

Janë shumë, vërtet.

Serinë A, si e prisnit?

Sa më shumë e frekuentoj, aq më shumë gjej zona të fushës ku mund të jem efikas. Vëllai im, Xhordan, më kishte folur për një kampionat të madh që vendos në provë sulmuesit. Këtu luajnë mbrojtësit më të mirë, të përgatitur për çdo situatë loje. Për këto arsye, futbolli italian më pëlqen kaq shumë. Në televizion shoh shumë ndeshje dhe nga secila mësoj diçka të re në nivel taktik, po ashtu si nga puna e Kontes. Dhe nëse një sulmues shënon shumë në Itali, mund të shënojë në çdo turne tjetër të Europës.

Nga momenti që jeni transferuar, mendoni se jeni përmirësuar?

Taktikisht jam rritur shumë sepse gjatë karrierës kam luajtur thuajse gjithmonë si sulmues i vetëm, ndërsa tani te skema 3-5-2 kam për krah kampionë si Lautaro, Sançez, Espozito, Politano. Me ta raporti rritet vazhdimisht, duhet vetëm të memorizoj lëvizjet e duhura. Nuk mund të improvizoj apo të lëviz duke dëgjuar vetëm instinktin tim si në Angli. Duhet të jem i sinkronizuar me pjesën tjetër të skuadrës për të qenë në pozicionin e duhur, të marr topin dhe t’u krijoj vështirësi kundërshtarëve.

Mund të fitoni klasifikimin e golashënuesve?

(Qesh). Imobile po bën shumë, është një sulmues i madh dhe po i jep shumë Lacios. Për mua situata po ecën mirë, ambiciet personale duhet të mbeten të tilla. Nuk jam tipi i lojtarit që mendon për titujt individualë. Mendoj së pari për skuadrën.

Ju peshon fakti i të qenit lojtari më i paguar i historisë së Interit?

Nëse do më krijonte probleme, do dallohej nga paraqitjet e mia. Kam luajtur për vite të tëra në Angli, ku kam shënuar shumë gola. Mançesteri më pagoi shtrenjtë dhe atje realizova 42 gola pas 86 të Evertonit, por kam statistika të mira edhe me kombëtaren, edhe në Botëror. Kjo është puna ime: të jap maksimumin në fushë.

Në gusht ju nervozuan komentet mbi formën?

U dëmtova në javën e parë të stërvitjeve në Mançester, mungova pothuajse në gjithë fazën përgatitore dhe nuk luajta asnjë ndeshje në turneun e Azisë. Interi dhe Junajtid po diskutonin për transferimin tim dhe edhe për këtë arsye, dy javët e fundit në Angli nuk u stërvita shumë. Vrapoja 40 minuta i vetëm në fushë dhe rikthehesha në dhomat e zhveshjes. Kur iu bashkova Interit, e dija për çfarë kisha nevojë, më përgatitën një skedë pune prej 2-3 javësh dhe ditë pas dite ndihesha gjithmonë më mirë. Tani mund të them se jam në 100%, por nuk ndalem. Mbi të gjitha, për transferimin më kanë ndihmuar motivimet.

Në çfarë kuptimi? 

Gjithmonë kam pasur dëshirën të luaj tek Interi. Porsa e mësova që klubi zikaltër më dëshironte, mora vendimin tim dhe ia komunikova menaxherit. Isha një tifoz i madh i Adrianos kur vishte këtë fanellë, po ashtu edhe i Ronaldos: shënoi në finalen e parë që kujtoj nga fëmijëria, në Kupën UEFA kundër Lacios në 1998-ën. Mendoj se i ngjasoj Adrianos. Edhe ai ishte i madh, i fortë, i shpejtë dhe godiste me të majtën. Shikoja ndeshjet e tij me Interin dhe ëndërroja të isha si ai.

Ju bindi edhe Konte.

Më telefonoi vetëm në fund të negociatave, kur po merrja aeroplanin për në Milano. Më tha: “Përgatitu të punosh”. Iu përgjigja: “Asnjë problem”. Me të, kur gabon, e ke punën pisk.

Konte dhe Murinjo janë të ngjashëm? 

Janë dy trajnerët më të mirë që kam pasur. Kanë karakteristika të njëjta, edhe pse përdorin sisteme loje të ndryshme.

Kur vendosët të largoheshit nga Junajtid? 

Pas ndeshjes kundër Uest Hemit në shtëpi. Atje nuk u ndjeva plotësisht i dashur. Ndaj i komunikova dëshirën për t’u larguar.

Tek Interi keni marrë vendin e Ikardit, 124 gola. Ju ka kushtëzuar? 

Janë shumë, por krahasimi me Ikardin nuk më ka krijuar asnjë problem. Ka bërë gjëra të mëdha me Interin e tij dhe me mua u tregua i sjellshëm. Jemi të ndryshëm.

Te Junajtid zëvendësuat Ibrahimoviçin e dëmtuar. Ju pëlqen ta sfidoni në Serinë A? 

Zllatan është luftëtar. Jashtë fushe është një nga tre lojtarët më inteligjentë që kam takuar. Më ndihmoi shumë te Junajtid. Ulej në fund të autobusit me mua, më fliste vazhdimisht dhe më jepte këshilla. Të mos ishte dëmtuar, një dyshe me të do ishte perfekte. Mendoj se do rikthehet në Serinë A.

Related posts

Këputi ligamentet e gjurit/ Shkëndija humbet për një kohë të gjatë Radeskin

Isa.Autor

Lewandowski e paralajmëron Madridin: “Ekipi është perfekt…”

Sadik.Autor

Ish-shoku i ekipit: Trajneri i Premier League e ka zërin e ngjirur pasi ka ngrënë shumë krimba

Q.Autor

Leave a Comment