Bundesliga Futboll Sport

“KAPIM KREUN DHE NUK E LËSHOJMË MË”/ Flet trajneri Flik: Leverkuseni luan si ne, por pres të dëfrehemi…

Katër ndeshje, 16 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Hansi Flik e ka nisur në mënyrë mahnitëse aventurën e tij në stolin e Bajernit të Mynihut dhe ndoshta zgjedhja e drejtuesve të klubit për t’ia lënë atij në dorë skuadrën, ka qenë ajo e duhura. Ndërkohë, mbrëmjen e sotme, 54-vjeçari do të kërkojë fitoren e pestë radhazi, pse jo, me perfeksionin e shfaqur në katër takimet paraardhëse, edhe pse ndeshja e “Allianz Arena”-s ndaj Bajer Leverkusenit është mjaft delikate, ndonëse Bajerni që u pa në skenë në Beograd ishte thjesht madhështor, siç pranon edhe vetë Flik në konferencën e djeshme për shtyp.

Hansi, skuadra që u pa në Beograd ishte thjesht fantastike. Mendoni se aktualisht keni luksin e zgjedhjeve, duke parë se nuk ka as dëmtime? 

Për mua, ndeshja e luajtur në Beograd për Champions-in ndaj Crvena Zvezdës ishte më pozitivja që kemi bërë gjatë të gjithë këtij sezoni. Jam i lumtur mbi të gjitha për lojtarët, të cilët i pashë shumë të relaksuar në fushë, dhanë indicie tepër pozitive, por të njëjtën gjë pres edhe nesër (sot), pasi vetëm kështu mund t’i japim vazhdimësi paraqitjes fantastike në Serbi. E di gjithashtu se disa lojtarë meritojnë më shumë minuta dhe mezi presin që të luajnë. Mund ta kuptoj dhe ta pranoj edhe pak mërzi nga ana e dikujt, por as për mua nuk është e lehtë që të bëj zgjedhjet e mia, ndonëse në fund të gjithë këtu jemi për të punuar dhe sakrifikuar për Bajernin.

Kjo javë ishte fantastike për skuadrat gjermane. Sipas jush, e ka gjetur Bundesliga ritmin e duhur edhe në arenën ndërkombëtare? 

Bundesliga është nga ato kampionate, që prej vitesh ofron një futboll të bukur, një futboll ndryshe nga çdo vend tjetër, pasi edhe trajnerët kanë ditur të sjellin forma të reja loje dhe zbatimi të saj në vitet e fundit. Unë shpresoj që rezultatet e skuadrave gjermane të vazhdojnë të jenë po aq pozitive edhe në vazhdim, për t’i dhënë vazhdimësi forcimit të markës së futbollit gjerman edhe në Europë.

Flik

 Flik, keni ndërtuar në kokën tuaj një plan parakalimi të shpejtë në kampionat ndaj Mynshengladbahut?

Të shohësh renditjen në këtë moment është diçka sekondare, pasi më e rëndësishmja është që Bajerni të rigjejë dhe të shtojë sa më shumë idenë për të qenë sa më i uritur, tani e në vazhdim. Jemi vetëm një pikë larg kreut dhe situata mund të ndryshojë javë pas jave. E detyrueshme nga ana jonë është që nëse do të marrim vendin e parë, ta mbrojmë atë deri në javën e fundit. Dhe do t’ia dalim, nëse të gjithë do të vëmë në funksion cilësitë që kemi. Dhe Bajerni ka shumë cilësi.

Si e shpjegoni momentin magjik të Levandovskit? 

Roberti është një ndër sulmuesit më të kompletuar në botë, në mos numri 9 më i fortë në qarkullim. Ka gjithçka që i nevojitet një sulmuesi: goditje me kokë, i saktë me këmbë, jo vetëm në goditje, por edhe në pasime, di të kundërsulmojë… Është shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe punon shumë me topin. Në stërvitje kërkon që të përmirësohet çdo ditë dhe ideon mënyra të reja të lojës që kërkon të zbatojë në fushë.

Kanë nisur t’ju krahasojnë me Hajnkesin. Si ndiheni?

Jup ka qenë trajneri më i mirë që kam hasur në karrierën time, sidomos për mënyrën se si dinte të ballafaqohej me futbollistët. Pa dyshim, të pasurit gatishmërinë apo ta fitosh vëmendjen e futbollistëve të tu, ky është ndoshta aspekti kryesor që i nevojitet një trajneri për të pasur sukses. Hajnkes ishte dhe do të mbetet si një ndër strategët më të mirë në histori, ndër ata që kanë pasur më shumë sukses në Gjermani dhe në Europë, prandaj jua kërkoj me xhentilesë, që mos më krahasoni me atë. Unë sapo e kam nisur një udhëtim timin, ai ka shkruar historinë, ndonëse mund ta pranoj se kam folur shpesh me atë në javët e shkuara dhe i kam marrë ndonjë këshillë.

Flik2

Ju keni nisur që të bëni edhe pak rrotacion, ndonëse disa mendojnë se mund të ishte edhe më i gjerë. Jeni ju ai tip trajneri që mendon se “skuadra fituese nuk ndërrohet”? 

Jo. Një skuadër përbëhet nga 23 lojtarë, jo nga 11, pasi të gjithë që janë pjesë e grupit janë zgjedhur për cilësi të caktuara dhe ka të drejtën që të luftojë për të merituar hapësirë. Thënë këtë, dua të nënvizoj se futbolli nuk është një arenë ku spektakli duhet të jetë individual, por një spektakël në grup. Sigurisht që në një skuadër ka liderë të caktuar, por kushdo do ta ketë hapësirën dhe besimin tim, nëse e tregon se e meriton atë.

Nesër (sot) ju pret Leverkuseni. Çfarë ndeshje prisni dhe cilat mund të jenë vështirësitë që mund të fshihen pas saj?

Pikësëpari jam i bindur se do të jetë një paraqitje emocionuese, spektakolare. Skuadrën e kam parë mjaft mirë, kemi përgatitur gjithçka në detaje, sepse e dimë mjaft mirë rëndësinë dhe forcën e një skuadre si Leverkuseni. Unë kërkoj nga lojtarët e mi që të mendojnë të luajnë futboll, të jemi kurajozë dhe të dëfrejmë veten e tifozët. Më pas, nëse do ta meritojmë ose jo fitoren, do ta tregojë fusha.

Është Leverkuseni pretendente për titullin? 

Unë di të them se Leverkuseni është një skuadër shumë e fortë dhe mjaft e zonja në gjetjen e hapësirave në zona të ngushta. Janë tepër agresivë në kundërsulm dhe mbrojnë shumë lart kundërshtarin. Pak a shumë siç bëjmë edhe ne, ndaj do të jetë një sfidë e bukur.

Related posts

Lukaku tremb Man United: Më pëlqen të luaj në Serinë A, ja skuadra e preferuar

Isa.Autor

REALI I “FRIKSHËM”/ Ky do të jetë formacioni pas 3 blerjeve të çmendura

Delo.autor

I THEU HUNDËN KËNGËTARES/ Futbollisti i Barcelonës rrezikon 12 vite burg

Isa.Autor

Leave a Comment