Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ LAÇIT/ Harmoni mes lojtarëve të “Demave” dhe stafit në stërvitje

Partizani duket në humor para ndeshjes me Laçin. Të paktën kështu të krijohet përshtypja kur ndjek stërvitjen e të kuqve në kompleksin “Internacional”, në Pezë. “Panorama Sport” vëzhgoi për dy orë dje seancën e radhës së kampionëve në fuqi dhe ajo që ra në sy ishte harmonia mes lojtarëve dhe stafit.

Trajneri Franko Lerda ka preferuar që në këtë periudhë dyjavore, kur dhe kampionati u ndërpre prej pauzës së Kombëtares, të zhvillojë stërvitjen gjatë paradites. Dje, që në orën 08:30, italiani bashkë me stafin e tij kishin mbërritur në ambientet e kompleksit. Nga kjo orë deri në 10:10, kanë nisur të vijnë me radhë lojtarët me makinat e tyre personale. 23 futbollistë ishin të pranishëm gjatë seancës, e cila ka nisur në 10:20. Vetëm portieri Aldo Teqja nuk është zhveshur për stërvitje, duke preferuar të qëndrojë me pjesëtarët në vijën anësore të fushës dhe të ndjekë shokët.

Pas incidentit në muajin e kaluar, portieri nuk është ende gati për të nisur stërvitjen, por gjithsesi shumë shpejt do të jetë në fushë. Për të kompensuar mungesën e portierëve, pasi edhe Livio Malaj nuk ishte kthyer ende nga angazhimi me Kombëtaren U-19, dje, krahas Alban Hoxhës, i gatshëm ishte edhe portieri i Partizanit B, Donald Zaimi. Në 20 minutat e fundit të seancës është paraqitur në ambientet e fushës stërvitore edhe drejtori i klubit, Olsi Rama. Në fund ka pasur edhe 15 minuta argëtim përmes lojërave, çka çliroi edhe vetë ata.

STËRVITJA DHE TITULLARËT Stërvitja e djeshme nisi me dy minindeshje me porta të vogla, ku 20 lojtarët u ndanë në 4 skuadra. Ndërkohë, dy portierët Hoxha dhe Zaimi stërvitshin veçmas. Pas lojës me porta të vogla, më pas e merr në dorë situatën përgatitësi atletik. Fillimisht punon me grupin, e më pas me lojtarë të veçantë që nuk ishin pjesë e formacionit të një ndeshjeje, që u improvizua, duke u ndarë me nga 11 lojtarë në gjysmëfushë. Mbrojtësi Dajçi dhe Ferrati, të cilët duket se vijnë prej problemeve fizike, stërviteshin nga përgatitësi Kofano.

Trajneri Lerda është munduar që pjesën e dytë të stërvitjes ta kryejë si një test kontrolli. Ai është munduar të provojë lojtarë të ndryshëm në disa pozicione për të krijuar një ide të qartë për ndërtimin e formacionit kundër Laçit. Sigurisht që i sigurt në portë është kapiteni Alban Hoxha. Ndërsa në mbrojtje Lerda pritet të përdorë variantin me katër. Në krahun e djathtë ka një balotazh mes Idrizajt dhe Bitrit, ndërsa treshja tjetër është e qartë, me Belicën e Boldor në qendër, si dhe Trashin në të majtë. Në mesfushë, italiani beson më tepër te treshja Telushi-Broja-Melo. Sigurisht që edhe këtu kishte mënyra prove edhe për lojtarët e tjerë, pasi u përfshi edhe Romero. Me skemën 4-3-3, maja e sulmit do të jetë me Solomon.

Nigeriani ka lënë pas dëmtimin dhe dje në stërvitje shfaqi një formë të shkëlqyer. Në një prej aksioneve në minitestin e kontrollit, ai shënoi një supergol, duke marrë edhe vlerësimet e drejtorit Olsi Rama. Ndërsa në dy krahët e sulmit, Lerda kërkon t’i besojë Asanit dhe Çinari. Kandidat potencial për formacionin është edhe Bardhi, por gjithashtu edhe Kote dhe Ekuban.

Related posts

Ish sulmuesi i Interit “turbullon ujërat” e merkatos në Argjentinë, edhe i vëllai i del kundër

Isa.Autor

Çudia në Japoni, 50-vjeçari Miura rinovon kontratën me Yokohaman

Q.Autor

Sanchez tek United, vjen reagimi i parë nga ‘Special One’

Q.Autor

Leave a Comment