Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, ka zbuluar se si u arrit marrëveshja me Federatën për të luajtur derbin në stadiumin e ri “Air Albania” në kryeqytet, si dhe për faktin se minimalisht 50% e të ardhurave nga kjo sfidë, do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti.
Në një prononcim për “Top Channel”, numri një i klubit të kuq foli edhe për kompleksin, ku beson se në fund të janarit ekipi i tij do i luajë atje takimet, si edhe të kryejë stërvitjet. Ka një thirrje për tifozeritë e të dy ekipeve, ndërkohë që çon edhe një mesazh për stafin teknik, ku me një sistemim më të mirë të punëve beson se Partizani i tij mund të mbrojë titullin kampion.
STADIUMI I RI – Ishte një marrëveshje që e kishim lënë mes Federatës dhe nesh. Ata na bënë propozimin e tyre, ne i bëmë propozimin tonë. U morëm vesh në fund. Është marrë drejtori me këtë punë, më shumë nuk di. Di që minimumi 50% e të ardhurave do jetë për të ndihmuar të dëmtuarit e tërmetit. Këtë e kemi vendos ne klubi i Partizanit, në bashkëpunim me Federatën. Ka edhe Federata për të marrë të ardhura.
DERBI – Derbin e shoh si çdo ndeshje, si ndeshjen me Ballshin. E pres me kënaqësi, sepse derbi është derbi. Është herët për të folur për mbrojtjen e titullit kampion. Kam besim, kemi ekip të mirë, me pak oshilacione. Ndoshta me një sistemim më të mirë të punëve të stafit teknik, kam besim se do ecim përpara.
KOMPLEKSI I PARTIZANIT – Që të jem korrekt, puna e kompleksit është më e rëndësishmja për mua. Por, siç e dinë të gjithë, unë vetëm një stemë i kam marrë Partizanit. Kështu që, jemi në fund, dhe unë po merrem vetë direkt me këtë punë. Shpresoj të ecim mirë. Në fundin e janarit besoj t’i bëjmë ndeshje atje, por minimalisht të stërvitemi në akademinë tonë.
THIRRJE PËR TIFOZËT – U bëj thirrje që të tregojnë një edukatë të dyja tifozeritë, sepse do ketë shumë familjarë këtë herë. Jo vetëm për derbin, por edhe për kuriozitetin për të parë stadiumin.