Futboll La Liga Sport

ZBULOHEN NEGOCIATAT E PLOTA MES PALËVE/ Ja si ndryshoi mendje De Ligt për Barcelonën

Receptorët e Barcelonës e kanë një gjë shumë të qartë: lojtarët e menaxhuar nga Mino Raiola, zakonisht përfundojnë duke luajtur aty ku preferon ai. Ndoshta ka ndonjë përjashtim. I tillë mund të jetë Zlatan Ibrahimovic (i cili u zyrtarizua dje te Milani), por edhe edhe ca të tjerë. Rasti më i dukshëm, që kryqëzoi rrugët e menaxherit të njohur me Barçën ishte ai i Matthijs de Ligt. Duke negociuar me Raiola dhe me lojtarin, përfaqësuesit e klubit katalanas panë se si vullneti i agjentit iu imponua qëllimit të vendosur nga Matthijs për t’u bashkuar me mikun e tij, Frenkie de Jong në “Camp Nou”. Rendi i negociatave midis Barçës, Raiolës dhe De Ligt tregoi gjithë fuqinë e të dytit.

“Mundo Deportivo” ka zbuluar sot negociatat e plota mes palëve, që nisën me “po” e lojtarit dhe përfunduan me “jo” e tij, i ndikuar nga Raiola: Barcelona e kishte objektiv përparësor për vitin 2019 nënshkrimin e Frenkie de Jong. Ajo kishte negociuar me mesfushorin holandez që në vitin 2018. Lojtari dhe agjenti i tij, Ali Dursun, iu kishin bërë një pritje të shkëlqyeshme katalanasve. Prandaj, Barça nisi paralelisht kontaktet me De Ligt, me qëllimin për të firmosur edhe me atë në vitin 2019. Mosha e Pique (32 vjeç), statusi i gjurit të Umtiti dhe rinia e Todibo (19 vjeç) e detyruan klubin të kërkonte alternativa për mbrojtjen.

Por, kur katalanasit kontaktuan për herë të parë me Raiola, duke prezantuar interesin për lojtarin e tij, menaxheri ishte i qartë. Ai donte një shumë të konsiderueshme për vete, në formë komisioni, që Barça nuk ishte e gatshme ta paguante. Flitet për rreth 8 milionë euro. Raiola e bëri të qartë që në fillim: nëse nuk do t’i garantoheshin këto para, nuk udhëtonte drejt Barcelonës për të negociuar. Dhe në fakt nuk udhëtoi.

Përballë kësaj situate tensioni, Barça tentoi sërish përmes një takim në Milano me Raiola. Agjenti këmbënguli në kërkesat e tij. Ai donte komision, çka ia kishin garantuar klubet e tjera të interesuara. Në një takim të dytë, Raiola dha më shumë detaje: ai dëshironte që De Ligt të luante për Juventusin dhe kjo ndodhi. Barça mbeti me “gisht në gojë”, sepse qendërmbrojtësi firmosi me bardhezinjtë deri më 2022.

Pastaj, pasi menaxheri nuk bëri lëshime, drejtuesit e Barçës i dërguan një mesazh vetë lojtarit: “Me Raiola nuk mund të negociojmë, jemi larg. Ai na thotë se keni përparuar shumë në bisedimet me Juventusin. Na premtoni që përpara se të merrni një vendim, do të na thoni. Nëse mundemi, do të përputhemi me ofertën e Juventusit për ju, ose do ta tejkalojmë atë”. Vetë lojtari i kishte siguruar: “Mos u shqetësoni, unë dua të vij te Barça”. Pavarësisht se De Ligt dëshironte t’i bashkohej skuadrës kampione të La Liga-s, drejtuesit e saj nisën punën për nënshkrimin me De Jong, i cili ishte tunduar nga Pep Guardiola (Manchester City) dhe Thomas Tuchel (PSG). Duke parë se Barça po zyrtarizonte marrëveshjen me mikun e tij, De Ligt pyeti përfaqësuesit nga “Camp Nou”: “Si është situata ime, nuk di asgjë”. Nga klubi katalanas iu tha e vërteta: “Mino ka kërkuar shumë para dhe ne nuk mund t’i paguajmë”. De Ligt këmbënguli: “Për mua, paratë nuk janë problem. Ëndrra ime është Barça dhe dua të vij atje”.

Me këtë garanci të fuqishme në nivelin e negociatave, Barça telefonoi Raiolën. Agjenti u tregua mirëkuptues: “Unë e di që lojtari dëshiron të vijë te Barça dhe nuk interesohet për para. Do të diskutojmë, edhe unë nuk do të kërkoj komision. Çfarë ndodh është se tani jam në një moment delikat dhe do të jem jashtë Europe për një muaj”. Barcelona e besoi. Me siguri, ishte strategji e tij për “ta kaluar lumin”. Ai ishte me të vërtetë keq me negociatat në atë kohë, sepse u pezullua nga FIFA në maj, për të mos punuar si agjent në Itali. Këtë penalizim, Raiola e dinte muaj më parë dhe i kushtoi kohë për ta kontestuar.

Dhe së fundi, samiti u mbajt në Amsterdam, më 10 maj. Aty ishin presidenti Josep Maria Bartomeu, Jordi Mestre, Pep Segura dhe Eric Abidal. Dhe befasia ndodhi. Vetë De Ligt e mori fjalën dhe, duke lënë mënjanë përbetimet e tij të mëparshme, tha se nuk ishte ndier i vlerësuar nga Barça. Pra, u pozicionua në një linjë me agjentin e vet. Katalanasit kuptuan se nuk kishin më asgjë në dorë. Përfundimi? Agjenti kishte ndryshuar vullnetin e një tjetër ylli, prej lojtarëve të tij. Një tjetër komision i artë për të, marrë nga Juventusi; një tjetër triumf i Mino Raiola.

Related posts

TOTTENHAM-MANCHESTER UNITED/ Trajneri Solskjaer: Na lënduan krenarinë, duam hakmarrje

Delo.autor

EUROPA LEAGUE/ Finalja mes Interit dhe Sevillas, UEFA cakton arbitrat

Delo.autor

INTERVISTA/ Cristiano Ronaldo prezantohet dhe flet për herë të parë si lojtar i Juventusit: S’kam ardhur këtu me…

Sadik.Autor

Leave a Comment