Futboll Sport

NUK KRYESON GUARDIOLA/ Njihuni me trajnerët që shpenzuan më shumë në merkato

Jose Mourinho ka shpenzuar 1.3 miliardë £ (stërlina) për blerje lojtarësh gjatë karrierës së tij si trajner, ose rreth 300 milionë £ më shumë sesa kolegët e tij të “dorës së dytë”. Portugezi nuk ka pasur kurrë frikë t’i lajë me ar futbollistët e dëshiruar, qoftë te Chelsea, Real Madridi apo Manchester United. Hulumtimet e reja nxjerrin në pah se portugezi ka ka shpenzuar më shumë se çdo trajner tjetër.

Carlo Ancelotti është i dyti në listën e trajnerëve të mëdhenj, me më tepër shpenzime për blerje lojtarësh, por ky “rekord” i tij shpërndahet në disa klube, si Milan, Chelsea, PSG, Real Madrid dhe Bayern Munich, dhe është 300 milionë £ më i paktë se i Mourinho. Pra, asnjë nuk krahasohet në këtë drejtim me trajnerin aktual të Tottenham, blerja më e madhe e të cilit ishte kthimi prej 89.3 milionë £ i Paul Pogba te Manchester United, në verën e vitit 2016.

Mourinho gjithmonë ka kërkuar investime nga pronarët e klubeve që ka drejtuar, me blerje të tjera të dukshme, duke përfshirë Romelu Lukaku për 75 milionë £ dhe Fredi për 53 milionë £ gjatë kohës së tij në “Old Trafford”. Në dy periudha si trajner i Chelsea, ai nënshkroi me sulmuesit: Andriy Shevchenko për 40 milionë £, Didier Drogba për 35 milionë £ dhe Diego Costa për 34 milionë £. Ndërsa Mourinho ishte në krye të Real Madridit, ata nënshkroi me Luka Modric për 31.5 milionë £ dhe Angel Di Maria për 30 milionë £. Mbetet të shihet se si do të përmbushet ky trend i shfrenuar i “Special One” te Tottenham, një klub që harxhon para vetëm me dëshirë të presidentit Daniel Levy.

Trajnerët e mëdhenj, me më shumë shpenzime për blerje lojtarësh:
1. Jose Mourinho: Shpenzimet totale – 1.3 miliardë £ / blerja më e madhe – Paul Pogba për 89.3 milionë £
2. Carlo Ancelotti: 998 milionë £ / Gareth Bale për 85.3 milionë £
3. Pep Guardiola: 998 milionë £ / Zlatan Ibrahimovic për 57 milionë £
4. Manuel Pellegrini: 921 milionë £ / Cristiano Ronaldo për 80 milionë £
5. Massimiliano Allegri: 844 milionë £ / Cristiano Ronaldo për 99.2 milionë £
6. Arsene Wenger: 767 milionë £ / Pierre-Emerick Aubameyang për 56 milionë £
7. Roberto Mancini: 683 milionë £ / Sergio Aguero për 35 milionë £
8. Claudio Ranieri: 682.6 milionë £ / James Rodriguez për 38.5 milionë £
9. Rafa Benitez: 577 milionë £ / Gonzalo Higuain për 34.5 milionë £
10. Unai Emery: 591 milionë £ / Neymar për 200 milionë £

Trajneri italian, Ancelotti, tani në krye të Everton, zë vendin e dytë në listë, me një shifër shpenzimesh në karrierë prej rreth 1 miliard £. Blerja e tij më e madhe ishte anësori uellsian, Gareth Bale, për 85.3 milionë £, gjatë kohës së tij në krye të Real Madridit, më 2013. Ishte, gjithashtu, në drejtimin e Ancelottit, skuadra nga “Bernabeu”, kur nënshkroi me yllin kolumbian, James Rodriguez, për 67 milionë £, në verën e vitit 2014.

Edhe kur ishte në krye të Chelsea, “Carletto” nënshkroi me sulmuesin spanjoll, Fernando Torres, nga rivalët e Premier League, Liverpool, për 50 milionë £.

Ancelotti është afërsisht i barabartë me Pep Guardiolën, trajnerin aktual të Manchester Cityt dhe ish-in e Barcelonës e Bayern Munich, i cili gjithashtu ka shpenzuar në karrierë një total prej 1 miliard £ për blerje lojtarësh. Blerja e tij më e madhe në të vërtetë doli të ishte një “dështim”; Zlatan Ibrahimoviç, i cili u transferua nga Interi te Barcelona e Guardiolës për 57 milionë £, më 2009, teksa Samuel Eto’o mori rrugën e kundërt. Aventura e suedezit në “Camp Nou” zgjati vetëm një sezon. Guardiola me siguri nuk ka pasur frikë të shpezojë pa limit, gjatë kohës së tij si trajneri i Manchester City, duke paguar 60 milionë £ për Riyad Mahrez, 58 milionë £ për Aymeric Laporte, 52 milionë £ për Benjamin Mendy dhe 50 milionë £ për John Stones. Kjo i ka mundësuar atij të vazhdojë një karrierë shumë të suksesshme, me “qytetarët” që fituan dy tituj radhazi në Premier League dhe një seri kupash vendase.

Manuel Pellegrini është i katërti në listë, me shpenzime 921 milionë £ në total, nga të cilat, “pjesën e luanit” e mban rekordi i atëhershëm botëror prej 80 milionë £, që solli Cristiano Ronaldon nga Manchester United te Real Madridi, në vitin 2009.

Massimiliano Allegri është përgjegjës për shpenzimet në vlerën prej 844 milionë £, duke goditur me transferimin e Ronaldos për 100 milionë £ nga Real Madridi te Juventusi në verën e vitit 2018.

Arsene Wenger shpenzoi 767 milionë £ gjatë karrierës së tij si trajner me Arsenalin, duke e vendosur veten të gjashtin në listë, përpara italianëve Roberto Mancini (683 milionë £) dhe Claudio Ranieri (682 milionë £).

Rafa Benitez është i nënti, me 577 milionë £, ndërsa Unai Emery mbyll “top 10” e kësaj renditjeje me 591 milionë £. Ai shijoi transferimin rekord botëror si trajner i PSG, ardhjen e Neymar për 200 milionë £ nga Barcelona, verën e vitit 2017.

Vlen, gjithashtu, të përmendet se katër prej këtyre trajnerëve (Mourinho, Ancelotti, Ranieri dhe Benitez) kanë shpenzuar paratë e Roman Abramovich te Chelsea. Tre prej tyre (Guardiola, Pellegrini, Mancini) e kanë pasur në dorë pasurinë e investitorëve të Abu Dhabi te Man City, për të shpenzuar pa kursim në merkaton e lojtarëve.

Related posts

U RIKTHYE NË KOMBËTARE/ Klubi i Serie A bën një ofertë për Balotellin…

Isa.Autor

MIQËSORE/ Italia triumfon me “POKER” ndaj Estonisë. Mbrëmja e italo-gjermanit Grifo dhe debutimi i milanistit

Delo.autor

POLEMIKAT PËR KALIMIN E “PLESHTIT” TEK PSG/ Marquinhos “ndez” ëndrrat e tifozëve: Të shohim se çfarë do të ndodhë…

Delo.autor

Leave a Comment