Futboll Sport

POSEDIMI I TOPIT NË FUSHËN E LOJËS/ Ja kush i dominon “top 5” ligat europiane (FOTO)

Ardhja e Quique Setién te Barça dhe numrat e premierës së tij kundër Granada kanë rihapur debatin për zotërimin e topit në futboll. Ndeshja e fundjavës në “Camp Nou” vendosi rekord sezonal në pesë ligat kryesore të kontinentit në këtë aspekt. Ekipi katalanas nuk ishte ndoshta “mbreti” europian i javës, por dha më shumë pasime (1.006) dhe pati më tepër posedim topi, 83% të lojës. Referencë e afërt për këto statistika të pazakonta të Barça-Granada, në sezonin aktual, është Tottenham-Newcastle. Skuadra e atëhershme e Pochettino arriti deri në 80% posedim topi dhe humbi 0-1. Pra, ky është futbolli dhe kapriçiot e tij.

10 rastet kryesore të ligave të mëdha
La Liga rishfaqet midis 10 ndeshjeve me më shumë zotërim topi nga një skuadër. Më herët ishte po Barcelona, që ngjitej shumë lart në këtë drejtim, gjatë vizitës në fushën e Leganés. Skuadra e Ernesto Valverde e zotëroi topin 76% të lojës, statistikë e mjaftueshme për të marrë fitoren (1-2) kundër Javier Aguirre.

969 pasimet e skuadrës së Klopp
1.006 pasimet e skuadrës katalanase, në debutimin e trajnerit Setién, nuk kanë asnjë të ngjashëm te rivalët e pesë ligave të mëdha të Europës. Askush nuk e kishte tejkaluar shifrën 1000. I dyti është Liverpool aktual, i cili e pasoi topin 969 herë Brenda ndeshjes kundër Sheffield United. Më tej, diçka më mbrapa, listohen dy ndeshje të Borussia Dortmund, me 942 dhe 886 pasime, kundër Fortuna Dusseldorf dhe Augsburg. PSG shfaqet në këtë klasifikim me sfidën kundër Angers, kur Neymar & CO regjistruan 885 pasime. Në përllogaritjen e javës, ndjekësi më i afërt i Barçës së Setién ishte një skuadër tjetër e së njëjtës shkollë, Manchester City i Guardiolës, që në ndeshjen me Crystal Palace e zotëroi topin gjatë 72% të lojës. Rivali i radhës i Real Madridit në Ligën e Kampionëve nuk mori më shumë se një pikë nga ky dominim posedimi, sepse barazoi 2-2 kundër një rivali më të vogël.

Renditja e poseduesve më të shumtë të topit të kësaj fundjave tregon se nuk ka ekuivalent midis këtij faktori dhe rezultatit pozitiv. Skuadra e tretë me më shumë zotërim të topit ishte Villarreal (69%), por humbi ndaj Espanyol të Abelardo. E njëjta gjë ndodhi me Napolin e Gattuso (69%), i cili u dorëzua në shtëpi ndaj Fiorentinës (0-2). Edhe Athletic (66%), i cili e “pushtoi” fushën e Celta, nuk shkoi më larg se barazimi (1-1).

Nga “Cholo” te Bordalás
Të dhënat javore në këtë drejtim janë edhe indikacione të tjera. Atlético Madrid duhej të mbizotëronte në “Ipurúa”. Skuadra e Simeone e zotëroi topin gjatë 64% të lojës, por nuk shënoi dot. E kundërta ndodhi me Getafe dhe Espanyol. Skuadra e Bordalás kishte nevojë për posedim topi vetëm 38%, që ta “shtypte” Leganes në derbi. Espanyol i Abelardo nuk e kaloi 31% e posedimit të topit për të dalë triumfues në stadiumin “La Cerámica”. Në këtë rast u kalua edhe pengesa e të luajturit me dhjetë lojtarë në njëfarë kohe.

Bayern Munich, më poseduesi në sezon
Skuadra më e padepërtueshme në Europë, Liverpool i Klopp e zotëroi topin në masën 55% dhe mposhti Manchester United në klasiken e Premier League. Skuadra e trajnerit gjerman është njëra nga ato, që së pari shënon e pastaj mbrohet. Në këtë fundjavë të ligave më të mira europiane, Real Madridi mbizotëroi ndaj Sevilla (56%-44%). Ekipi europian, që ka më shumë posedim mesatar të topit në këtë sezon, është një emër befasues. “Mbreti” është Bayern Munich (67%), në një sezon me rezultate të parregullta dhe shkarkim të një trajneri, i ndjekur nga Barcelona (65%), PSG (64.9%), Manchester City (64.6%), Bayer Leverkusen (63.6) dhe Liverpool (61.9). Juventusi, lider në Itali, arrin në kuotën 59.3%, ndërsa Real Madridi qëndron te 58.01% . 10000 pasimet dhe 83% e zotërimit të topit mbeten një pengesë e vështirë për t’u kapërcyer. Veç Barça e Setién duket një kandidat për ta tejkaluar vetveten e fundjavës së kaluar.

Related posts

Lamtumirë Tottenham, Erik Lamela mund të kthehet në Serie A

Sadik.Autor

E BUJSHME/ De Ligt arrin marrëveshjen me Juventusin, ja kur mbërrin në Torino (FOTO)

F.autor

“EXTREME E”/ Rosberg mposht Hamilton në raundin e parë të kampionatit

Delo.autor

Leave a Comment