Sport Tennis

TENIS/ Djokovic vendimtar, Serbia triumfon në ATP Cup

Novak Djokocic u shfaq përcaktues për vendin e tij, duke fituar dy ndeshje në harkun e vetëm tre orëve, për t’i dhënë Serbisë trofeun e edicionit hapës të ATP Cup. Në Australi serbi madje përmbysi disavantazhin e ndeshjes së parë dhe një meritë e jashtëzakonshme i takon pikërisht 32-vjeçarit, që fillimisht mposhti në vetëm dy sete rivalin e tij të përjetshëm, numrin 1 të botës Rafael Nadal, ndërsa në vazhdim Djokovic bashkoi forcat me mikun e tij Viktor Troicki, për të mundur Spanjën në lojën dyshe, ndeshje që përfundoi në orën 1 pas mesnatës, në këtë skaj të globit.

Në Bregun Perëndimor të Australisë, më saktë në Sydney, në Ken Rosewall Arena fillimisht zbritën në fushë zgjedhjet e dyta të skuadrave respektive dhe Roberto Bautista – Agut mundi në vetëm dy sete numrin 34 të botës Dusan Lajovic. Seti i parë ishte edhe seti më i rivalizuar i këtij takimi dhe në setin hapës numri 10 i botës i rrëmbeu shërbimet kundërshtarit pikërisht në momentin që të gjithë po prisnin një tie break ndërmjet tyre. Në setin pasardhës 29-vjeçari nga Beogradi u thye në servis edhe tre herë të tjera dhe Bautista – Agut mbylli përfundimisht ndeshjen me rezultatin 7-5, 6-1, në diçka më tepër se një orë e gjysmë lojë.

Radhën e patën më pas në duelin e shumëpritur pikërisht dy tenistët më të mirë të botës për momentin, Rafael Nadal dhe Novak Djokovic, që renditen respektivisht edhe në vendin e parë dhe të dytë në klasifikimin e përgjithshëm ATP. Nole siç dihet ka dominuar sfidat ndërmjet tyre duke fituar plot 15 nga 19 përballjet e fundit, për më tepër Rafa nuk e mund rivalin e përjetshëm në sipërfaqe të shpejtë që nga shtatori i vitit 2013, kur tenisti spanjoll e mposhti Djokoviç-in në finalen e madhe të New York-ut, në US Open.

Në fakt gjërat nuk ndryshuan as këtë herë dhe Nadali që deri ditën e premte kishte pësuar vetëm 1 humbje në 31 ndeshje në “singles” me fanellën e përfaqësueses, statistika ku natyrisht nuk përfshihen sfidat në Lojërat Olimpike, këtë radhë pësoi disfatën e dytë në harkun e vetëm pak ditëve, sepse siç dihet të premten në mesditë numri 1 i botës u thye gjithashtu në vvetëm dy sete edhe nga belgu David Goffin. Rafa u dominua që në start dhe Nole jo vetëm që nuk u përball me asnjë mundësi për break, por gjithashtu në setin hapës i rrëmbeu plot dy herë shërbimet kundërshtarit të tij. 33-vjecari nga Majorka u shfaq nervoz, madje u ankua te kryesori suedez Mohamed Lahyani për ngacmimet dhe shpotitë nga tribuna, të tifozëve serbë.

Të vetmet mundësi për ta thyer rivalin e tij në servis Nadali i pati në game-n e gjashtë të setit të dytë, megjithatë tenisti nga Serbia ia anuloi që të pesta mundësitë që pati në dispozicion tenisti më i mirë i vitit 2019. Në tie break Nole rekuperoi disavantazhin e një minibreak-u në fillim, për të mbyllur gjithë takimin me shifrat 6-2, 7-6, në afërsisht dy orë lojë. Pasi përmirësoi bilancin me tenistin iberik në 29-26 Djokovic zbriti sërish në fushë, në duelin përcaktues, atë në lojën dyshe, ku gjithsesi këtë herë vendosi për të mos luajtur Rafa, që e justifikoi mungesën e tij me konsumimin e tepërt të energjive në ndeshjet e tjera gjatë javës.

Çifti spanjoll Pablo Carreno Busta – Feliciano Lopez e nisi takimin menjëherë me epërsinë e një game me break, megjithatë dyshja Novak Djokovic – Viktor Troicki e mblodhi shpejt veten dhe ia doli të përmbysë disavantazhin 3-1, për të fituar plot pesë game rresht. Në setin pasardhës dyshja serbe u mjaftua thjesht me game-n me break që siguroi që në game-n hapë, për të mbyllur krejt takimin me shifrat 6-3, 6-4. Përfundimisht mund të thuhet me plot gojën se Novak Djokovic mundi Spanjën në finale me rezultatin e përgjithshëm 2-1 dhe në këtë mënyrë Serbia e mbylli aventurën australiane duke triumfuar në edicionin inaugurues të ATP Cup.

Related posts

MBYLLEN VOTIMET/ Topi i Artë përçan elitën e futbollit: E meriton Ronaldo, jo Moric!

Isa.Autor

MOU APO ZIDANE? Në Francë të bindur, zbulojnë favoritin për stolin e PSG

F.autor

KATAR 2022/ Pas një SUPER ASIST nga Jordi Alba, sulmuesi Torres ndëshkon Gjeorgjinë (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment