Futboll Sport

CHELSEA-BAYERN MUNICH/ 8 vite pas finales. Lampard e sfidon Muller nga pankina

Duket sikur kanë kaluar disa muaj, por në fakt janë tetë vite. Në pranverën e vitit 2012, Chelsea dhe Bayern Munich u takuan në “Allianz Arena”, shtëpinë e bavarezëve, për finalen e Champions-it. Një pritje e madhe nga vendësit, me shpresën se heronjtë e tyre do të triumfonin. Megjithatë, asgjë për t’u bërë. Blutë e Londrës u ngjitën në “çatinë e botës”. Tani, të dyja skuadrat do të përballen sërish, në 1/8 finale.

Asokohe ishte viti 2012, finalja që kurorëzoi Chelsea e Di Matteo në Champions, për herë të parë. Diçka unike. Bayerni do të ishte në gjendje ta shpengonte veten një vit më vonë, kundër bashkatdhetarëve të Borussia Dortmund. Sidoqoftë, ajo sfidë kundër londinezëve nuk është harruar kurrë. Rikujtohet me tërë përmasat e saj në këtë fundshkurti, së pari për sfidën e “Stamford Bridge”, mbas dy javësh për kthimin në “Allianz Arena”.

Çfarë ka ndryshuar nga ajo kohë dhe çfarë ka mbetur e njëjtë? Që atëherë, Chelsea ka fituar në Premier League, por asnjëherë nuk ka arritur të thotë me të madhe zërin në Ligën e Kampionëve. Në anën tjetër, Bayerni ka qenë vazhdimisht në mesin e favoritëve në Europë, por nuk ka arritur më në finale, pas viteve magjike 2012 dhe 2013. As me Pep Guardiolën në pankinë.

Lampard e ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve si mesfushori thelbësor i Chelsea, në qiellin e Mynihut. Tani e sfidon Bayernin si trajner (pasi u përball me bavarezët edhe me fanellën e Manchester City, por kjo është një histori tjetër). Një evolucion i veçantë nga ajo finale, ndërsa në anën tjetër do të ketë disa prej kundërshtarëve të tij të vjetër të fushës.

Boateng, Muller dhe Neuer ishin në fushë, me ngjyrat e bavarezëve, tetë vite më parë. Një shenjë se si ata e përfaqësonin Bayernin edhe në dekadën e kaluar. Ata do të jenë më në fokus, më të etur për hakmarrje, pavarësisht suksesit në vitin pasardhës të asaj finaleje, siç është përmendur tashmë.

Muller doli nga loja në minutën e 87-të, Boateng ishte menduar të godiste më vonë. Midis pesë goditësve të penalltive, megjithatë, shkoi Neuer, i cili arriti të marrë më të mirën ndaj Cech, por jo skenën e “Allianz Arena”. Disa nga lojtarët aktualë të Chelsea ishin shumë të rinj në atë kohë. Ata ëndërronin të ishin si Lampard dhe tani stërviten prej tij.

Lampard, nga ana tjetër, po shikonte përpara, për të ardhmen, në pankinë. Neuer, Muller dhe Boateng shikojnë të tashmen, për t’u hakmarrë. Dhe për të ardhmen: Finalja e Ligës së Kampionëve iu ka munguar të dyja palëve prej shumë kohësh.

Related posts

REAL MADRID-ALAVES/ “Los Blancos” dyfishon shifrat, shënon Vinicius

Delo.autor

“OPERACIONI MESSI”/ Projektohet rikthimi në “Camp Nou”, mediat zbulojnë formulën “magjike”

F.autor

FINALJA E KUPËS SË SHQIPËRISË/ FSHF cakton çmimet e biletave, ja sa do të kushtojnë

Delo.autor

Leave a Comment