Futboll La Liga Sport

NAPOLI-BARCELONA/ Messi në “mbretërinë” e Maradonës, ja formacionet e mundshme

Skena do të jetë pothuajse e tëra për të, pas provës gjenerale me katër gola ndaj Eibar. Lionel Messi përgatitet t’i mahnisë sërish tifozët e futbollit, kësaj here në të parën vizitë në “San Paolo”. Përplasja Napoli-Barcelona, e vlefshme për 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, premton emocione të shumta. Argjentinasi është njeriu më i mirëpritur në “Fuorigrotta”, mbretërinë e vjetër të bashkatdhetarit të tij të shquar, i cili la gjurmë të pashlyeshme në ato anë, duke shkruar historinë jo vetëm të një skuadre futbolli, por edhe të një qyteti të tërë, që ka nevojë për shëlbim social.

Sidoqoftë, mikpritja e publikut napolitan nuk ka të bëjë me fushën e blertë. Aty, ylli argjentinas do të tentohet të ndalet në çfarëdo mënyre të mundshme nga Gennaro Gattuso dhe të tijtë. Trajneri i Napolit ka bërë të ditur se nuk ka përgatitur ndonjë trajtim të veçantë për gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë”, edhe pse mbetet rreziku numër një i një ekipi të fortë në çdo repart. Ekziston një dëshirë e madhe për t’i parë blutë në një sprovë të vërtetë si kjo, megjithëse e kaloi shkëlqyeshëm një test të tillë në fazën e grupeve. E kemi fjalën për suksesin ndaj Liverpool-it, kampion i Europës në fuqi.

Napoli do të përdorë skemën klasike 4-3-3, me Mertens në qendër të sulmit, Callejon dhe Insigne në pozicione më të jashtme. Demme do të jetë në “dhomën e kontrollit”, i ndihmuar nga Fabian Ruiz dhe Zielinski. Mbetet jashtë, siç është njoftuar, Koulibaly. Në mbrojtje ka vend për Maksimovic, që do të çiftohet me Manolas në qendër. Di Lorenzo dhe Mario Rui pritet të luajnë në dy krahët e prapavijës vendëse. Pra, pritet që shqiptari ynë, Elseid Hysaj, ta nisë nga stoli. Konfirmim merr edhe portieri Ospina, tani titullar në kurriz të Meret.

Barcelona pritet të startojë me një vendosje taktike paksa të ndryshme. Lëndimet e Suarez dhe Dembélé mund ta shtyjnë Setien të përdorë 4-3-1-2, me Vidal në rolin e krijuesit, pas Messi dhe Griezmann. Arthur është në epërsi ndaj Rakitic për një vend në mesfushë. Në mbrojtje, me Piqué duhet të jetë Lenglet, ndërsa në stol qëndron Umtiti. Junior Firpo do të luajë në vend të Jordi Alba, i padisponueshëm për shkak lëndimi.

Këto janë formacionet e mundshme të Napoli-Barcelona:
NAPOLI (4-3-3): Ospina; Di Lorenzo, Manolas, Maksimovic, Mario Rui; Fabian Ruiz, Demme, Zielinski; Callejón, Mertens, Insigne.
BARCELLONA (4-3-1-2): Ter Stegen; Semedo, Piqué, Lenglet, Junior Firpo; F. De Jong, Busquets, Arthur; Vidal; Messi, Griezmann.

Related posts

BOMBASTIKE/ Barku dhe të PASMET, dy pjesët e preferuara të Carol (FOTO)

Isa.Autor

NEWCASTLE-LIVERPOOL/ Salah kthen në avantazh “Të Kuqtë”, ja golat (VIDEO)

Delo.autor

HAKMARRJA E ISH-DREJTUESIT “KUQEZI”/ Fasone HEDH në GJYQ MILANIN, zbulohet arsyeja…

Isa.Autor

Leave a Comment