Futboll Kategoria Superiore Sport

NDESHJA NDAJ KASTRIOTIT/ Trajneri Egbo: Objektiv kemi kalimin në finale, ja çfarë i thashë Licit

Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, i del në krah Alen Sherrit për golin e pësuar në sfidën me bardheblutë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Egbo flet për portierin e Vllaznisë, por edhe për takimin e sotëm me Kastriotin. Ja intervista e plotë me shqiptaro-nigerianin e bardhebluve.

Luani kundër Kastriotit. Duke përfshirë rezultatin e ndeshjes së parë, konsiderohet një sfidë e lehtë?

Ndeshja me Kastriotin është e vështirë dhe e sikletshme. Kastrioti është një kundërshtar i vështirë, pasi ata janë në vendin e parë të grupit të tyre në Kategorinë e Parë dhe pretendentë për të dalë në Kategorinë Superiore. Kanë lojtarë që luajnë në Superiore dhe po bëjnë një kampionat të mirë dhe që me shumë mundësi i kemi vitin tjetër në garë. Duhet ta vlerësojmë si kundërshtar. Ju e dini që unë jam një tip që nuk e shoh ekipin kundërshtar apo ndeshjen si të lehtë dhe të vështirë. Këtë filozofi ia kam transmetuar edhe ekipit. Të gjitha ndeshjet janë 90 minuta dhe njëlloj të vështira. Edhe sikur të luash me 19 apo 17-vjeçarët, ata kanë mundësi të të shënojnë dy gola apo të të dëmtojnë. Është një ndeshje që e kemi vlerësuar në maksimum, nga ajo do të marrim maksimumin dhe ata që do të jenë në fushë duhet ta vlerësojnë me seriozitet.

Është një shans për ekipin e dytë për të treguar veten në fushën e lojës?

Te Tirana nuk ka ndarje, ekip i dytë, ekip i parë. Të gjithë futbollistët janë për ekip të parë në skuadrën tonë. Në çdo ndeshje ne zgjedhim lojtarët që do të jenë në fushën e lojës. Kështu, ata që janë jashtë dhe nuk janë aktivizuar, janë lojtarë të ekipit të parë. Çdonjëri prej tyre është i rëndësishëm për ekipin. Do të marrin minuta ata që nuk kanë marrë si dhe disa nga titullarët.

Duke lënë mënjanë kampionatin, është objektiv real Kupa dhe a do t’i shkoni deri në fund?

Kupa është një objektiv real, sidomos për ekipet që janë sipër. Të gjitha këto skuadra do të luftojnë në dy frontet për të fituar. Kupa ka pak ndeshje për të arritur në finale dhe për ta fituar. Besoj se është diçka për t’u vlerësuar në maksimum dhe duam ta fitojmë si trofe.

sherri

Pak ditë më parë ju luajtët me Vllazninë. Fituat, tani në Shkodër kanë kryqëzuar Sherrin për një gabim në fushë?

Ia thashë edhe administratorit të Vllaznisë, një shokut tim të skuadrës, Suad Licit, menjëherë pas takimit. Për mua ajo nuk është gafë. Është një situatë e momentit. Kobinah ia ka dalë që të shënojë gol me anë të teknikës, duke kaluar disa lojtarë. Më saktë, kanë qenë dy mbrojtës përpara Kobinahs, i ka dribluar. Në atë moment Sherri nuk ishte gati për të reaguar. Përpara ka pasur dy mbrojtës dhe nuk ka pasur pamje. Për mua nuk është gafë dhe po sulmojnë kot. Gafë për mua është momenti kur portieri merr topin dhe do të driblojë një sulmues, por sferën ia merr kundërshtari apo kur topin e kalon mes shalëve. Sherri është një portier me perspektivë, shumë i mirë dhe që duhet vlerësuar. Djalit duhet t’i japin kohë për të marrë veten.

Related posts

DEKLARATA PAS HUMBJES NDAJ LIVERPOOLIT/ Sarri: Mendoj se po shkojmë në rrugën e…

Delo.autor

PAMJET E HELIKOPTERIT TË SHKATËRRUAR/ 9 metrat fatale që i morën jetën Kobe Bryant

F.autor

STRAKOSHA ME SY NGA SARRI/ Tekniku italian ka gati zgjedhjen për portën e Lazios

Delo.autor

Leave a Comment