Futboll Seria A Sport

NGA IDHULL NË ARMIK/ Conte kthehet në “Allianz”, Juve është veç e kaluara…

Jo, nuk do të jetë një ndeshje si çdo tjetër; gjithashtu dhe mbi të gjitha për kontekstin. Antonio Conte rikthehet në “Allianz Stadium”, pikërisht aty ku ndërtoi hegjemoninë e Juventusit, duke fituar tre tituj të Serie A dhe dy Superkupa të Italisë si trajner. Ai hapi një shteg suksesi plot kënaqësi e lavdi, që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Antonio Conte shkruhet, Juventus lexohet. Këtë e konfirmon edhe deklarata e numrit një të bardhezinjve, Andrea Agnelli, i cili foli ditët e fundit për mikrofonat e “Tutti Convocato” në “Radio 24”: “Antonio është një flamur i Juventusit, ai është vetë Juventusi nga ky këndvështrim. Me të marrëdhënia është e përzemërt, e qetë”.

Nga ana tjetër, 13 sezonet si futbollist dhe 3 të tjerë si trajner nuk harrohen. As duke pasur parasysh aktualitetin, që e sheh 50-vjeçarin nga Salento në stolin e Interit. Një pasazh që nuk tretet kollaj nga “tifozët zebra”, gjithsesi, të cilët, në rastin e derbit të parë të Italisë, nga sektori i miqve nuk i kursyen koret plot helm. Decibelët e lartë pritet të mos ekzistojnë gjatë derbit të kthimit, me sfidën e afërt, që thuhet se do të luhet pas dyerve të mbyllura të stadiumit “Allianz”, si rezultat i alarmit “Coronavirus”.

Profesionalizmi është “fjalëkalimi” te trajneri Conte, i cili, që nga koha e “Zonjës së Vjetër”, kurrë nuk e ka mbajtur sekret moslidhjen emocionale me një ekip të vetëm. Aq shumë vlen kjo, sa ai bëhet tifozi i parë i klubit që përfaqëson. Lecce dhe Juventus, ndoshta thonë diçka më shumë për të, si ish-futbollist. Arezzo, Bari, Atalanta, Siena, Juve, kombëtarja e Italisë, Chelsea dhe Inter, janë “dashuruar” njësoj e maksimalisht prej tij, në pankinat e tyre. E thënë thjesht: profesionalizëm e qëndrueshmëri. Prandaj nuk është për t’u habitur që ish-lojtari i Juventusit gjatë verës vendosi të pranojë ofertën e pasur të “Suning”.

Nga njëra anë, një grup kinez i madh biznesi. Nga ana tjetër, një nga trajnerët më të mirë, që mund të merret. Shkurt, natyraliteti në fuqi për të krijuar kushtet e një “martese” të lumtur. Dhe fillimi, në këtë drejtim, nuk zhgënjen. Me zikaltrit që kanë gjetur identitetin e kohërave më të mira. Vetëm në dy merkato, Beppe Marotta ka bërë përfundimisht që zikaltrit ta thonë fjalën e tyre me të madhe. Një skuadër e madhe, për një trajner të shkëlqyeshëm.

Kujtimet mbesin, gjithsesi. Si për shembull, Liga e Kampionëve në vitin 1996. E fundit e fituar nga “Zonja e Vjetër”, me Conte në fushë, ndër të tjerë. Dhe titulli i datës 5 maj 2002, gjithashtu, mbetet, me Juventusin që e siguronte ndaj Interit. Tani, megjithatë, ai është zikaltër, një realitet i plotë dhe i pashmangshëm. Me makthin e makthit për tifozët e Juventusit. Conte synon t’i ngjisë përsëri zikaltrit në “çatinë” e Italisë. Kuptohet, duke shkurorëzuar bardhezinjtë. Mision që materializohet, mbase, nga sfida e afërme në “Allianz Stadium”. Aty ku u bë idhull dhe do të kthehet si “armik”.

Related posts

Kreu i Borussia Dortmund i jep fund spekulimeve: Rikthimi i Mkhitaryan, thjesht imagjinar!

Q.Autor

REFUZON SUPER OFERTËN E ARSENALIT/ Vlahovic: nuk flitet për para, por ambicje

Delo.autor

Zbulohen formacionet: Barcelona-Chelsea (FOTO)

Q.Autor

Leave a Comment