Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

REPORTAZHI/ “Përralla” e bukur e “dështakut” Berat Xhimshiti (FOTO)

Dje festoi 27-vjetorin e lindjes. Fati nuk ishte me të, sepse në nxehje, para ndeshjes së parë 1/8 finale të Champions-it, kundër Valencia, ai pësoi një tërheqje muskulare. Për pasojë, humbi mundësinë të ishte protagonist me Atalantën e tij, në fitoren e bujshme 4-1 në “San Siro”. Megjithatë, me këtë rezultat, me siguri që ëndrra vazhdon.

Tabloidi helvet, “Blick”, ka udhëtuar deri në Bergamo për të kontaktuar e fotografuar shqiptarin, i cili nga hiçi e sheh veten në “Olimp”, me shumë gjasa në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Një kapërcim pindarik, që nuk mbetet dot edhe jashtë vëmendjes së medias zvicerane, ku Xhimshiti ka lindur dhe ka luajtur futboll, para se të transferohej në Itali.

Ja shkrimi i “Blick”:

“Më 11 dhjetor 2019, Atalanta fitoi 3-0 në Donetsk dhe u kualifikua në raundin e parë me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve, kur merr pjesë për herë të parë. Pas tri ndeshjeve të para me zero pikë dhe një golaverazh tejet negativ 2-11, bergamaskët ishin akoma në vendin e katërt të grupit të tyre. Kur heronjtë zbarkuan në Bergamo, në orën tre të mëngjesit, ata janë përshëndetur nga rreth 2000 tifozë euforikë. Një natë e lavdishme e asaj të premteje, që vijoi këtë mesjavë.

Gazetat italiane, gjithashtu, festojnë me suksesin e “hirushes” së tyre. “Aty ku milionat nuk janë mjaftueshëm, mbizotërojnë idetë”, – shkruan “Corriere dello Sport”. Një titull tjetër është: “Nata e mrekullive”. Kryetari i bashkisë së Bergamos, Giorgio Gori, shkruan në Facebook: “Ju mendoni se përrallat nuk janë pjesë e botës reale, por futbolli ndonjëherë na jep disa mundësi. Atalanta historike!”

Unë kurrë nuk jam trajnuar aq shumë. Një mrekulli? Një përrallë? Ndoshta, për të gjithë të jashtmit, – thotë Berat Djimsiti dhe qesh, – por jo për ne lojtarët. Unë kurrë nuk jam stërvitur aq shumë sa këtu. Ka seanca stërvitore, ku unë vrapoj më shumë se tetë kilometra”. Djimsiti kalon një rrugë, në sfond “Città Alta”, qyteti i vjetër mesjetar, por magnet turistik, i Bergamos. Kalimtarët e “përkëdhelin” 27-vjeçarin në shpatulla, shoferët ulin xhamat e makinave dhe e urojnë. Entuziasmi për fitoren 2-1 ndaj Romës, të shtunën në mbrëmje, vazhdon edhe në ditët pasuese.

Djimsiti, lojtari i lindur në vendin tonë, Remo Freuler & Co., i dominuan romakët në shtëpi, në një fazë të caktuar. Ndonjëherë, madje, i likujduan ata dhe siguruan vendin e katërt në Serie A. “Ata përfunduan pa frymë në fund”, – thotë Djimsiti. Në fakt, nuk është vetëm forca dhe dinamizmi i Atalantës, që i mposhti romakët, por edhe sistemi i saj i lojës.

Sepse trajneri Gian Piero Gasperini (62 vjeç) nuk është vetëm një guximtar, por edhe një dhelpër taktike. Në Bergamo pëlqejnë ta thërrasin “magjistarin e tyre”. Me 3-4-2-1 e tij, bluzinjtë e ndjekin kundërshtarin në gjysmën e tij të fushës. Këtë sezon, Milani është turpëruar 5-0, Torino 7-0. Atalanta qëndron për spektaklin si asnjë klub tjetër i Serie A, duke shënuar 63 gola në 24 ndeshje. Askush tjetër nuk ushtron një presion kaq të fortë në lojë si ne, në Serie A”– thotë Djimsiti.

27-vjeçari ishte pa kontratë katër vite më parë. Ai shikon orën, sepse duhet të shkojë diku së shpejti. Kapiteni dhe “xhuxhi magjik”, Papú Goméz (165 centimetra i gjatë) i ftoi shokët e skuadrës në një restorant për ditëlindjen e tij të 32-të. Po pse me një nxitim të tillë? Përgjigjet Djimsiti: “Nëse nuk shkoj në orar, Remo do të jetë aty, më së shumti. Ne dy zviceranët jemi të vetmit, që tregohemi gjithmonë të përpiktë në raste të tilla…”

Festa e Goméz zgjat 90 minuta më shumë se ishte planifikuar. Kur Djimsiti shfaqet në “Città Alta”, tashmë ka nisur të errësohet. Rrugët e ngushta, butikët e vegjël dhe plot delikatesë, kafenetë shekullore, baret e verës… “Është fantastike këtu”, – thotë qytetari i dyfishtë, shqiptaro-zviceran.

Kur Djimsiti u paraqit këtu, katër vite më parë, në janar, nuk ia merrte mendja se do të shkonte kaq lart. Një pritshmëri e tillë nuk ekzistonte as për klubin dhe as për mbrojtësin qendror. Atalanta ishte një klub i ashtuquajtur “ashensor” në atë kohë, sepse prej vitesh udhëtonte mes Serie A dhe Serie B. Djimsiti ishte fare pa klub, kur e nënshkroi kontratën me bergamaskët.

Te FCZ, kontrata e tij u anulua, pasi trajneri Sami Hyypiä e largoi nga skuadra. “Me siguri isha i zhgënjyer në kohën që nuk isha më i kërkuar, – thotë Djimsiti, – por trajneri mendoi se nuk po të jepja gjithçka për klubin”. Ai nuk dëshiron të flasë më shumë për largimin e tij të keq nga klubi i tij zviceran. Djimsiti thotë: “Kisha luajtur disa ndeshje më të dobëta, ose mbase ishte koha për diçka të re”.

Kushdo që beson se Djimsiti dhe Atalanta ishte dashuri me shikim të parë, gabohet. Kur Gasperini u emërua trajner i Atalantës, në verën e vitit 2016, e huazoi ish-lojtarin e Cyrih tek Avellino në Serie B për një vit. 27-vjeçari më pas mbrojti fanellën e Benevento, sezonin e ardhshëm, i huazuar edhe atje.

Ai u zhduk gati përsëri

Në verën e vitit 2018, aventura e Bergamos dukej përfundimisht e mbyllur për të.“M’u tha se mund të largohesha nga klubi. Asokohe mund të kthehesha te Cyrih, por menaxheri im negocioi me klubet italiane. Edhe nga Rusia kisha një opsion”, – thotë Djimsiti. Megjithatë, për shkak se një mbrojtës i Atalantës u lëndua në përgatitjet parasezonale, gjithçka rezultoi ndryshe. Ndërkombëtari shqiptar urdhërohet të qëndrojë përsëri në Lombardi. Djimsiti ka qenë titullar i rregullt nga ajo kohë dhe vlera e tij e tregut është rritur dhjetëfish, në 11 milionë CHF (franga zvicerane).

Të mërkurën duhej të luante me Atalantën në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Champions-it, në “San Siro”, pasi stadiumi i tyre nuk i plotëson udhëzimet e UEFA-s.“Valencia është pa dyshim një ekip i fortë, por shorti mund të na kishte goditur më keq”, – thotë Djimsiti, duke menduar për Liverpool, Barcelona, Bayern Munich apo Real Madridi. Ndoshta, fati do ta vërë përballë njërës prej këtyre skuadrave kryesore në çerekfinale. Pse jo? Nuk kemi pse të trembemi nga Valencia. Kemi potencial, gjithçka është e mundur për ne…, – shton Djimsiti.

Kualifikohen apo jo në çerekfinale, futbollistët do të priten si heronj në qytet. Njerëzit këtu nuk janë aq të çmendur për sukses maksimal sa kudo tjetër, ata janë tashmë të kënaqur me atë që kemi arritur”, – nënvizon shqiptari. Në dallim nga “magjistari” Gasperini, “pleshti” magjik Papú Goméz dhe dy zviceranët, Djimsiti thotë me të qeshur: Ne gjithmonë duam më shumë, kjo është normale”.

Related posts

INTERI I RI/ Ja tre skemat e mundshme të Spallettit me VIDAL (FOTO)

Isa.Autor

SULMUESI KARIKARI/ Edi Rama: Duhet t’i qajmë hallin Shakos sepse…

Delo.autor

Rrëfimi tronditës i Douglas Costa-s: Humbëm qëllimisht, sepse do të kishim vdekur

Q.Autor

Leave a Comment