Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

RRËFIMI NË 360 GRADË I SADIKUT/ Nga kombëtarja tek eksperienca spanjolle

Armando Sadiku ka dhënë një intervistë të gjatë për mediat spanjolle, duke analizuar situatën që po kalon vetë dhe ekipi ku bën pjesë.
Kur Sadiku shënon, Malaga fiton…
Shpresoj të vazhdoj kështu edhe në 15 ndeshjet që mbeten. Ne kemi nevojë për pikë. Është e vërtetë që me cilësinë e ekipit nuk duhet të jemi aty ku jemi tani, por do të japim gjithçka në këto ndeshjet e mbetura.

A do të kishit nënshkruar në fillim se do të shënonit dhjetë gola gjatë gjithë sezonit?
Kam shumë besim te vetja. Qëllimi im i parë ishte të luaja çdo ndeshje, të kisha shumë minuta në fushë, për shkakl se vija nga një dëmtim i madh. Ky ishte qëllimi im, për të luajtur të gjitha ndeshjet dhe për të shënuar gola. Këto dhjetë gola janë rezultat i punës që kam bërë dhe i gjithë skuadrës, e cila më ka ndihmuar. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të shënojë më shumë.

Sa më shumë…
Do të shohim. Dua të shënoj çdo ndeshje, por gjëja më e rëndësishme është skuadra. Është koha për të qenë gati, kur të më vijnë mundësitë. Nga zemra them që do të doja të shkoja në “play off”. Dua të lë shenjë këtu te Malaga. Le të provojmë deri në fund.

Rondón dhe Sandro ndajnë rekordin e shënuesve më të mirë te Málaga, me 14 gola në një sezon. I keni ju këto mundësi?
Shpresoj të vazhdoj me shënimin e golave deri në fund.

Quico Catalán, presidenti i Levante, ish-skuadrës suaj, zakonisht iu uronte sa herë që shënonit gol…
Nganjëherë po. Ruaj një marrëdhënie të mirë me presidentin e Levante, por jo vetëm me atë. Komunikoj edhe me menaxhmentin sportiv, me ish-shokët e skuadrës. Më duhet ta falënderoj presidentin që më besoi. Ai më ripërtëriu për një vit, më dha besim, tha se ishte i sigurt që do të bëja mirë. Më ka dhënë një shans duke më huazuar te Malaga dhe jam duke bërë mirë. Kjo është e mirë për mua, gjithashtu edhe për Levante.

Të ka mbetur edhe një vit me klubin valencian…
Po, kam kontratë deri në vitin 2021. Huazimi im te Malaga është vetëm për një vit dhe nuk përfshin asnjë mundësi blerjeje. Nuk mund të përfshinim asgjë tjetër, duke pasur parasysh problemet që ka klubi.

Nëse Malaga arrin t’i tejkalojë problemet e saj, do të dëshironit të vazhdoni këtu?
Do të më pëlqente vërtet. Unë jam mirë këtu, familja ime është rehat, por do të shohim se si shkojnë gjërat në fund. Atëherë do të ulemi dhe do të flasim.

Këtë janar refuzuat një ofertë nga futbolli izraelit për të qëndruar këtu…
Përfaqësuesi im foli me një klub izraelit. Edhe unë, gjithashtu, mora një ofertë të mirë nga një vend arab, por isha shumë i qartë: nuk doja të largohesha. Dua ta përfundoj sezonin këtu. Erdha të luaja më shumë se 30 ndeshje dhe arrita të shënoj një numër të mirë golash. Kam nevojë për këtë hapësirë dhe besim. Te Malaga jam shumë i lumtur, si unë, edhe familja.

Sadiku është një sulmues që jeton kryesisht në zonë…
Unë jam një qendërsulmues. Më pëlqen të jem në zonë, të luftoj, të finalizoj. Mendoj se godas mirë me të dyja këmbët edhe nga jashtë zone. Një sulmues varet nga skuadra dhe mënyra se si ajo luan. Këtu kishte nevojë për një sulmues zone si unë.

Ju, gjithashtu, i godisni mjaft mirë penalltitë…
Penalltitë janë çështje besimi.

Dy të fundit janë gjuajtur nga ju dhe Adrian…
Adrián godet shumë mirë. Ne kemi një marrëdhënie të mirë dhe më përkrah, më jep besim. Ai ka treguar se është një kapiten i shkëlqyeshëm, një udhëheqës dhe unë e falënderoj. Penalltitë? Gjëja e rëndësishme është që të kemi sa më shumë të tilla në favor. Pastaj, godet Adrian apo unë, e rëndësishme është të shënojmë.

Situata e klubit është delikate, por skuadra po e mban kokën lart…
Malaga është e formuar nga një grup shumë i mirë lojtarësh. Kalojmë shkëlqyeshëm brenda dhe jashtë fushe. Kemi pasur disa vështirësi, një ndryshim të trajnerit, por shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund.

A keni vërejtur shumë ndryshime nga trajneri Victor te Pellicer?
Ata janë të ndryshëm. Pellicer dëshiron një futboll më të drejtpërdrejtë, për të arritur në finalizim me pak pasime. Me Victor përdornim më shumë posedim topi, më tepër pasime, për të krijuar raste të qarta shënimi. Në këtë drejtim janë të ndryshëm. Pellicer flet shumë, është afër lojtarëve, jep pak udhëzime, por flet shumë qartë. Kjo i bën gjërat më të lehta.

Ju keni pasur shumë kthesa, para se të mbërrinit te Malaga…
Kam 12 vite karrierë profesionale dhe një përvojë të madhe mbi shpinë. Në Zvicër luajta gjashtë vite e gjysmë, jam i lumtur që ndodhem në Spanjë tani. Shpresoj të qëndroj këtu për shumë vite, sepse më pëlqen kampionati, më pëlqejnë stadiumet, tifozët …

Mund të thoni që Málaga ju ka rikthyer në jetën sportive?
Sigurisht që po, e sigurt. Dhe unë do të vazhdoj të jap gjithçka në fushë për ta ndihmuar.

Me ju luan edhe Keidi Bare. Málaga është skuadra më shqiptare në Spanjë. A ju ndjekin shumë në vendin tuaj?
Na ndjekin shumë. Kur shënoj gol, ose Keidi luan shumë mirë, atje mediat shkruajnë me superlativa për ne. Edhe unë jam shumë i lumtur për këtë, që në vendin tonë na ndjekin të dy.

Një tjetër shqiptar, Rey Manaj, sapo ka nënshkruar me Barcelonën. A është kaq i mirë?
Po. Nuk e njoh shumë, kemi luajtur pak së bashku në ekipin kombëtar. Por, ai është një djalë që ka të ardhme shumë të mirë përpara.

Njiheni mirë me Keidi Bare, çfarë thuhet për transferimin e tij të mundshëm?
Ai është shumë i lumtur te Malaga. I pëlqen të jetë këtu, po luan shumë mirë dhe ka arritur në kombëtare. Keidi është i qetë, shumë i ri, vetëm 22 vjeç. E gjithë karriera e tij është përpara. Ai është pothuajse një lider për ne. Do të shohim se çfarë ndodh në fund të sezonit, por ka një të ardhme shumë të mirë.

Çfarë kujtimesh keni nga Kampionati Europian?
Këto janë kujtime, që do t’i mbaj me vete për tërë jetën. Kampionati Europian ndryshoi jetën time. Para se të shkoja në “Francë 2016” isha i katërti sulmues në kombëtare dhe nuk ishte e qartë nëse do të përfshihesha në listë. Ndryshova skuadër gjashtë muaj para finaleve të Europianit, shkova në Vaduz dhe atje luajta shumë mirë. Shënova në tri miqësitë e fundit me kombëtaren, para Kampionatit Europian, dhe u bëra startues. Unë shënova golin e fitores ndaj Rumanisë. Ai gol ndryshoi karrierën time për mirë. Pastaj vazhdova të shënoj gola me kombëtaren dhe kjo më lejoi të arrij te Levante.

Të dielën është koha për të vizituar fushën e kryesyesve. A mund ta mundni Cadiz?
Me përjashtim të ndeshjeve kundër Huesca dhe Elche, dhe pjesës së dytë ndaj Rayo, në pjesën tjetër të lojërave kemi mbizotëruar, kemi pasur raste. Cádiz është në krye, por kemi treguar se mund të luajmë mirë dhe të fitojmë ndaj të gjitha skuadrave rivale. Kjo është një ligë shumë e vështirë. Me pak fat mund të fitoni disa ndeshje radhazi dhe të kapni kreun.

Në mars janë datat e lira të FIFA-s për kombëtaret. A do të kthehet Sadiku te Shqipëria?
Nëse më thërrasin, do të shkoj me vrap.

Related posts

Roma shfaq interes për mesfushorin e Portos

Sadik.Autor

THUR ELOZHE PËR YLLIN E MANCHESTER UNITED/ Trajneri Giggs: Nuk mendoja se ishte kaq i fortë

Delo.autor

I PAPËRMBAJTSHËM/ Marquez “FLUTURON” në Austri, ndjekin dy pilotët e Ducati, Rossi i…

Isa.Autor

Leave a Comment