Futboll Kategoria Superiore Sport

STADIUMI I RI I KUKËSIT/ 3.2 milion euro të investuara, Duka është penduar?

Shpenzimet në stadiumin e Kukësit kanë arritur në gati 3.8 miliardë lekë të vjetër dhe në Federatën Shqiptare të Futbollit ka shqetësim për rentabilitetin e impiantit. Investimi madhor besohet se është kryer me ndikim politik.

Besohet të jetë gati në nisje të sezonit të ardhshëm. Stadiumi i Kukësit është një kantier i madh ndërtimi, ndër më të rëndësishmit në Shqipëri, por burime në Federatën Shqiptare të Futbollit shprehen se investimi përbën edhe një shqetësim.

Deri tani, Federata ka shpenzuar rreth 3.2 milionë euro, apo rreth 3.8 miliardë lekë të vjetër, të paktën sipas këtyre burimeve, që do të thotë diçka më pak sesa buxheti vjetor i këtij institucioni, që arrin afërsisht 8 milionë euro.

Po nga këto burime, mësohet se investimi në stadiumin e Kukësit u kërkua nga qeveria shqiptare, me gjasë për ta pasur si ndihmë në zgjedhjet lokale që u zhvilluan vitin e kaluar. Besohet se pritej garë e fortë për Bashkinë e Kukësit, e cila vazhdimisht është fituar nga demokratët, pavarësisht se në përfundim zgjedhjet nuk patën konkurrim.

Ndërkaq, burime në ish-stafin teknik të skuadrës së Kukësit pohuan për ABC News se vetë presidenti Duka u shpreh privatisht i pakënaqur për shpenzimin e madh në një stadium, që nuk pritet të ketë mundësi të nxjerrë fitime të rëndësishme.

Presidenti, sipas këtij pjesëtari të ish-stafit teknik kuksian, u shpreh se me 2 miliardë lekë të vjetër, sa ishin harxhuar deri në atë kohë, mund të ndërtoheshin shumë fusha futbolli në të gjithë Shqipërinë.

Në përfundim, stadiumi padyshim që do të ketë kushte shumë të mira për të luajtur futboll, madje edhe ndeshje ndërkombëtare, por nuk pritet që të nxjerrë të ardhura, për vetë gjendjen ekonomike të krahinës së Kukësit, dhe e vetmja shpresë, siç është diskutuar në Federatë, është që ta përdorë skuadra e Prizrenit për ndeshjet e saj në Kosovë.

Related posts

LIVE/ FA Cup: Mbyllet ndeshja Manchester United-Liverpool. Rezultati 3-2

Delo.autor

Rekordi “negativ” i sulmuesit të Francës, u shpall kampion bote, por nuk arriti asnjëherë që…

Isa.Autor

Roberto Mancini optimist/ Pas një viti edhe ne si Franca

Sadik.Autor

Leave a Comment