Futboll Seria A Sport

HIGUAIN NGRE ALARMIN/ Sarri ndryshon Juven në 4 lëvizje, të sigurt janë vetëm…

Në stërvitjen e djeshme të Juven tusit ka rënë në sy mungesa e Gonzalo Higuanit. Sulmuesi ankon një problem në shpinë, por që sipas burimeve pranë klubit bardhezi, prezenca e tij ndaj SPAL-it nuk është fort në dyshim. Me tri ditë kohë në dispozicion, argjentinasi mund t’ia dalë mbanë të riaftësohet. Përveç argjentinasit nuk ishte i pranishëm portieri i tretë Pinsolio dhe Adrien Rabio, i cili u stërvit veçmas sipas një programi personal.

Në listën e pacientëve, ai që shqetëson më shumë është Miralem Pjaniç. I bllokuar pas 7 minutave në fushë kundër Breshas, boshnjaku ka si synim rikthimin në dispozicion për ndeshjen e Champions-it kundër Olimpikut të Lionit, duke kapërcyer kështu takimin e fundjavës kundër SPAL-it në kampionat. Në transfertë ndaj Berishës me shokë nuk duhet të mungojë Xhorxho Kielini. Kapiteni tashmë ka lënë pas përfundimisht çdo shqetësim dhe synon të grumbullojë minuta për të qenë sa më në formë gjatë marsit, një muaj vendimtar për fatet sezonale të “Zonjës së Vjetër”.

MODULE DHE SULMI – Mbase nuk është kohë bilancesh, por kohë zgjedhjesh me siguri që është. Mauricio Sarri e di se me ditët e para të pranverës, skuadrës së tij do t’i duhet të japë përgjigje të qarta lidhur me kampionatin dhe Europën. Nëse deri më sot eksperimentet kanë qenë legjitime, tashmë Juventusit i duhet një identitet i saktë. Nga rolet e deri tek interpretuesit, trajnerin e presin vendime të rëndësishme, të cilat në disa raste mund të lehtësohen nga dëmtimet. Për javë të tëra bardhezinjtë kanë luajtur me modulin 4-3-1-2, por roli i fantazistit nuk ka dhënë garanci. Herë Ramsej e të tjera Bernardeski, është vënë re se asnjëri nuk është komod në atë territor, ndaj Sarri “ktheu” nga 4-3-3-shi. Pas provave me Ronaldo-Higuain-Dibala, “tredhëmbëshi” fitoi stabilitet kur në të u përfshi Kuadrado dhe Paulos iu besua roli i 9-shit fals, çka është edhe sot siguria “sarriane” për sa i përket vijës së parë. Me këtë skemë, Bernardeski dhe Duglas Kosta (kur të shërohet) do të konsiderohen rishtazi sulmues, teksa Higuain duket që rrezikon më shumë të sakrifikohet në stol.

sarri ronaldo2

SIGURI E BALOTAZHE – Riaftësimi i kapitenit Kielini, përpara afatit të parashikuar, ka ndodhur si me porosi. Veterani mund të rikthejë ekuilibrin në prapavijë ku Juventusi ka çaluar jo pak në këtë sezon. Është e pamendueshme që 35-vjeçari të luajë të gjitha ndeshjet, por në ato me peshë, prezenca e tij do të jetë një ndihmë e madhe, sidomos në çift me Bonuçin. Në korsitë anësore nuk do të ketë më eksperimente. Danilo është titullari në të djathtë teksa Aleks Sandro në të majtë, me De Shiljon që do të jetë një alternativë. Siç ka mbrojtja siguri te Bonuçi dhe Kielini, edhe mesfusha ka të paprekshmit e saj. Pjaniçi mbetet fari i manovrës së ekipit të Sarrit dhe pavarësisht se nuk prek 100 topa për ndeshje, kontributi i tij cilësohet si unik. Në krahët e boshnjakut nuk ka asgjë të sigurt dhe Bentankur, megjithëse ka qenë ndër më të mirët e sezonit, do të duhet të duelojë me Ramsejn për një fanellë titullari. “Derbi” francez në të majtë të Pjaniçit me Rabionë që po kërcënon jo pak vendin e maratonomakut Matuidi. Në “vallen e ndërrimeve” do të kërkojë vend edhe Khedira që me përvojën e tij ka qenë shpesh vendimtar për Juventusin.

Related posts

FITORE E MERITUAR/ “Kuqezinjtë” të “arnuar” kapin Championsin, Borini e Suso likuidojnë Genoan

Delo.autor

Edhe ITALIA njësoj si SHQIPËRIA/ Mancini: Më shqetëson fakti që futbollistët…

Isa.Autor

“ISHTE GARË E ÇMENDUR”/ Piloti Hamilton falënderon shiun për triumfin numër 100, titulli mbetet i hapur

Delo.autor

Leave a Comment