Futboll Sport

KLOPP-DIEGO SIMEONE/ Dueli i dy fituesve të lindur. Cili do të kualifikohet?

22 lojtarë të dorës së parë kontinentale, dy skuadra të projektuara për “pushtime” të mëdha, do të përballen sonte në “Anfield” për të caktuar të kualifikuarin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Do të ketë një fitues të vetëm midis Jurgen Klopp dhe Diego Pablo Simeone. Ata janë dy nga trajnerët më të mirë të momentit. Të paktën, po rivalizojnë me Guardiola, Zidane dhe Mourinho. Argjentinasi dhe gjermani do të përdorin sfidën e kthimit të 1/8 finale të Champions-it për të treguar se cili është më i miri në duelin direkt. Një mëtues i trofeut më të rëndësishëm në Europë për klubet, “El Cholo”, do të sfidojë njeriun që e mban kurorën e kompeticionit, Klopp.

Ky i fundit e ngriti lart “kupën veshëgjatë” thuajse një vit më parë, ndërsa Simeone ra në finalet e vitit 2014 dhe 2016, përballë Real Madridit. Në ndeshjen e parë në “Wanda Metropolitano”, aty ku Jurgen Klopp arriti në kulmin e karrierës, argjentinasi ia doli t’i neutralizojë virtytet e panumërta ofensive të Liverpool-it. Ai befasoi me pozicionin e Lemar dhe plani i shkoi në mënyrë perfekte. Atletico Madrid shënoi një gol dhe e mbajti portën e vet të paprekur, diçka që askush nuk e kishte arritur në muajt e fundit ndaj skuadrës së Klopp. Gjermani nuk ishte në gjendje ta kalonte “pëlhurën” e endur nga Simeone. Në mes të vështirësive kaluan edhe dy yjet e tij, Mané dhe Salah.

Ne duhet të mësojmë nga përvoja e ndeshjes së parë kundër Atletico Madrid. Kemi më shumë shpejtësi në periudha të ndryshme të lojës, por nevojitet guxim. Duhet të luajmë më thellësisht. Nëse luani në një mënyrë shumë të qartë, është shumë e lehtë për Altetico Madrid të mbrohet. Na duhet të përgatitemi për situata të ndërlikuara, të gjejmë mënyrat për të luftuar kundër tyre. E përsëris, duhet të tregojmë se kemi mësuar nga ndeshja e parë. Eliminimi është i mundur, por nëse keni frikë prej tij, mund ta pësosh”, – parashikon gjermani, duke pasur disavantazhin 1-0 të muajit të kaluar.

Klopp-Simeone? Duel mes dy fituesve të lindur. Duke ditur genin konkurrues të Jurgen, me siguri ai do të bëjë gjithçka për ta kthyer situatën. “El Cholo” nuk është trajneri i parë, që e vendos Liverpool-in e tij në vështirësi, në Champions. Në fazën e grupeve, edhe Napoli e dha shembullin në këtë drejtim. Sidoqoftë, atmosfera në “Anfield” mund të jetë vendimtare, që kjo betejë të anojë nga ana e gjermanit. Klopp shton: “Atletico Madrid ka një grup shumë të pjekur në garat europiane. Ka lojtarë, që nuk kanë luajtur në një stadium si “Anfield”, me një mjedis të tillë. Shpresojmë se mund ta përdorim atmosferën në favorin tonë”.

Diçka që nuk do ta befasojë “El Cholo”. Ai tashmë e di se çfarë e pret sonte: “Me siguri do të përballemi me një rival të madh, që ka në krye një trajner të zotin, me shumë variante taktike, me mjaft rekorde. Do të duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për të garuar si duhet dhe shpresuar te kualifikimi”.

Related posts

ZYRTARE/ Ja fjalët e para të Shaqirit si lojtar i Liverpoolit

Isa.Autor

LIVE/ Po luhet ndeshja Atletico Bilbao-Barcelona. Starton sfida

Delo.autor

E PAZAKONTË/ Disfata e skuadrës së zemrës, tifozët “MASAKROJNË” POLICINË duke hipur…(VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment