Futboll Sport

NGA PËRQESHJA E PEP TEK “SHENJTËRIMI” I JOSE/ ja deklaratat e jashtëzakonshme të Ibrës

Zlatan Ibrahimovic vazhdon të luajë futboll në Milano, edhe pse 38 vjeç, ndonëse shumë prej kryeveprave të tij të shkëlqyera kanë hyrë në histori. Ndoshta suedezi nuk do të pensionohet atje, mbase do të bëjë ndonjë zgjedhje që fare pak e mendojmë. Ndoshta ka më shumë foto dhe histori për të treguar. Në fushë ka “pikturuar” futboll. Deklaratat bombastike kanë qenë të vazhdueshme dhe të të gjitha formave e ngjyrave, sa herë ka hapur gojën. Rikujtimet e tyre zbulojnë se Zlatan është Zlatan dhe ka vetëm një si ai. Shumë gjenial.

Guardiola, “frikacaku dhe filozofi” që shkurtoi aventurën e tij te Barcelona
“Problemi im te Barcelona ishte një njeri, filozofi. Unë e gjeta veten në një situatë absurd, ku trajneri nuk më fliste dhe kjo ishte diçka e re për mua. Nuk e di se çfarë ndodhi. Edhe sot ende nuk e di se cili ishte problem”. Kështu e shpjegonte Ibrahimoviç arsyen e statusit të tij si kalimtar te Barça. Një sezon që filloi mirë, por u shkatërrua, kur Guardiola ndërhyri në rrugën e tij: “Gjashtë muajt e parë gjithçka ishte e jashtëzakonshme, pastaj ndodhi diçka. Unë ende jam duke e pritur përgjigjen… Nja dy muaj pas vitit të ri, Guardiola nuk më foli kurrë më”. Kështu, Ibra filloi të kalojë shumë kohë në pankinë dhe një ditë në dhomën e zhveshjes nuk u përmbajt para Guardiolës. Sulmuesi goditi një kuti dhe i tha në fytyrë trajnerit: “Ju nuk dini të silleni. Je një m** para Mourinho. Ik q***!”: “Pasi u konfrontuam, Guardiola po fshihej nga unë. Ai ishte një frikacak. Po prisja që të takoja para se të dilja nga dhoma e zhveshjes, por jo. Si teknik është një fenomen, por si njeri…
Problemi im te Barcelona ishte filozofik. Ai më sakrifikoi për Messin dhe nuk pati guximin të më tregonte. Fjalimi i tij filozofik është një m** për mua”. Ibrahimoviç u largua nga Barcelona me një armik të ri, Pep Guardiolën, mjeshtër i Barcelonës, teksa në dhomën e zhveshjes duheshin respektuar të gjitha mësimet e tij. Diçka që nuk shkoi me Zlatan: “Xavi, Iniesta dhe të gjithë të tjerët ishin miqësorë, të thjeshtë për t’u marrë me të, por gjithnjë ishin dakord kur Guardiola thoshte diçka. Silleshin si nxënësit e shkollës para mësuesit”.

Mourinho ishte special
Marrëdhëniet e Ibrahimovic me Guardiolën janë në kundërshtim me raportet që pati me José Mourinho. Portugezi e trajnoi Zlatan tek Interi dhe më pas te Manchester United: “Mourinho është si unë. Ai gjithmonë dëshiron të provojë stimuj të rinj dhe të fitojë, për të qenë gjithmonë numri një. Mund të dilja dhe të vrisja për të. Mou ka marrë përsipër gjithmonë sfida të vështira, ndërsa Guardiola i shmang ato. Mourinho nuk ka nevojë të luajë një rol, thjesht dëshiron të jetë perfekt”.

“Nuk doja të largohesha nga Milani”
Milani “shpëtoi” Ibrën nga Barcelona dhe, pas dy vjetësh, suedezi fluturoi në Paris, për të luajtur pranë Kullës Eifel… Milani ia shiti PSG-së dhe Zlatan përfundoi duke e përmbushur dëshirën e kuqezinjve, të cilët kishin vështirësi financiare. E bëri këtë, sepse ai ishte dhe është një njeri i fjalës së mbajtur: “Kur fola me Mino Raiola, i thashë se duhet t’ia bëjmë të vështirë PSG-së, sepse nuk dëshiroja të largohesha nga Milani. Ishte një mënyrë për t’i detyruar ata të refuzonin firmën me mua. Por, Mino më thirri dhe më tha se pranuan, kështu që asgjë nuk do të kthehej mbrapsht”.

“Franca është një vend i ndyrë që nuk e meriton PSG-në”
“Nuk njoh asnjë lojtar në ligën franceze, por të gjithë e dinë se kush jam unë. Erdha si mbret këtu dhe po largohem si legjendë”.

“Futbolli vazhdon me Ibrën”
“Ata thanë se po shkoja në Premier League i vjetër, por i vendosa të gjithë në rresht për një. Ka ish-lojtarë që flasin për mua dhe unë nuk ua mbaj mend emrat. Ata do të më kujtojnë pjesën tjetër të jetës së tyre”. Ibrahimoviç e tha këtë kur nënshkroi me Manchester United, kur hodhi hapin tjetër pas PSG-së.

“Tani shikoni përsëri bejsboll”
Suedezi më pas kaloi oqeanin për të zbritur në SHBA, duke i vendosur emrin e vet futbollit atje. Duke folur për tifozët e LA Galaxy tha: “Ata e donin Zlatan dhe unë ua dhashë Zlatan. Historia vazhdon edhe pa mua…, por tani shikoni përsëri bejsboll”.

Telesport

Related posts

KËRKOJNË PËRFORCIME TË MËDHA/ Real Madrid revolucion në mbrojtje me dy yje të Serisë A…

Delo.autor

VIDEO/ Një ndeshje e çmendur. Betisi ngushton diferencën

Q.Autor

“TOPI I ARTË”/ Nis numërimi mbrapsh, “France Football” publikon emrat e parë

Delo.autor

Leave a Comment