Futboll Seria A Sport

“TË GJITHË E DINË PSE U LARGOVA”/ Cannavaro dhe kthimi te Juventusi, një aventurë falimentimi…

Fabio Cannavaro i parë te Juventusi ishte mjaft i dashur për tifozët. I dyti, jo dhe aq. Një periudhë 2-vjeçare, në emër të epërsisë së dukshme, me fitimin e Kupës së Botës dhe shtrimin e rrugës drejt “Topit të Artë”. Më pas, një kthim gati i pakonceptueshëm, i përjetuar keq nga njerëzit bardhezinj.

Eksperienca e tri sezoneve te Real Madridi erdhi pas uraganit “Calciopoli”, i cili bëri që ish-mbrojtësi napolitan të largohej nga “Zonja e Vjetër”, në stuhi të plotë. Ishte e paimagjinueshme që ai të lunate në Serie B (ku përfundoi Juve), me statusin e qendërmbrojtësit më të mirë në botë. Eshte e paimagjinueshme, që Juventusi ta mbante “Topin e Artë” në atë situatë, me një pagë të madhe, bashkangjitur.

Ishin vitet e Giovanni Cobolli Gigli, Jean Claude Blanc dhe Alessio Secco. Por, ishin mbi të gjitha vitet e vështira për “Zonjën e Vjetër”, e karakterizuar nga rindërtim i ngadaltë dhe i ndërlikuar. Disa blerje, shumë të gabuara, me një situatë të keqe për sa i përket buxhetit. Kështu, në maj 2009, festa e kthimit të Cannavaro në Torino filloi.

Megjithë 35 vitet mbi supe, megjithë disponimin e keq të një tifozërie, që nuk ishte aspak e butë ndaj atyre që vendosën ta braktisin anijen që po fundosej, napolitani u mirëprit. U (ri)prezantua me fjalë nostalgjie, në kërkim të soliditetit shumë të dëshiruar menaxherial, që Juve u përpoq të rikthejë përmes Marcello Lippi.

Trajneri nga Viareggio, në fakt, u takua me Blanc për të vlerësuar fizibilitetin e një martese, që duhej ta kishte çuar Lippin në rolin e drejtorit teknik. Nga kjo rrugë, pra, lindi kombinimi me Cannavaro, një nga kolonat e ekipit kombëtar italian, të udhëhequr nga trajneri në fjalë në “Gjermania 2006”.

Projekti embrional parashikonte që Lippi të mbikëqyrte Ciro Ferrara, trajnerin e zgjedhur për t’i mbajtur gjërat e mira, të lëna nga Claudio Ranieri, i shkarkuar pak, ose aspak në mënyrë elegante, dy ditë pas përfundimit të kampionatit në zonën “Champions”.

Sidoqoftë, për një mijë arsye, eksperienca e tretë e Marcello te Juve nuk “ndezi”. “Tymi i bardhë” me Cannavaro, megjithatë, po. Një “shartim” ulëritës i përvojës me të rinjtë, i cili duhet të ketë shërbyer si një katalizator brenda dhomës së zhveshjes.

“Të gjithë e dinë pse u largova: ishte më shumë çështje stimulimi, sesa gjithçka tjetër. Në moshën 32-vjeçare akoma kisha pak kohë për të luajtur në nivele të caktuara dhe, sigurisht, nuk preferova një përvojë tjetër në Itali. Vendosa të shkoj jashtë vendit, sepse doja të shfrytëzoja vitet e fundit të karrierës në maksimumin e potencialit tim”, – justifikohej Fabio.

Nëse shkojmë të shohim operacionin që bëri Juve, ishte një marrëveshje shumë e mirë, që i solli klubit 10 milionë euro. Rifillimi ishte premtues: katër fitore radhazi në kampionat, nga të cilat në transfertë, kundër Romës. Në atë rezultat 1-3 shënuan Diego (dy gola) dhe Felipe Melo, fytyrat e reja të një merkatoje në dukje të përshtatshme.

Pas kësaj erdhën pasazhet e para bosh, një krizë e vërtetë, e cila çoi në largimin e Ferrara, të zëvendësuar nga Zaccheroni. Por, muzika nuk ndryshoi, me një dhomë zhveshjes në presion të madh, me rezultate të tmerrshme, që kulmuan me poshtërim-eliminimin në 1/8 finale të “Europa League”.

Në transfertë me Fulham, Juventusi u mposht 4-1. Një ekip i brishtë, i cili disa ditë më parë mori tre gola nga Siena. Dhe në kryeqytetin anglez, në thelb, u vendos akti i fundit i një projekti të çrregulluar. Në “Craven Cottage”, për më tepër, Cannavaro u ndëshkua me karton të kuq: shenjë e mëtejshme e një formacioni, që i kishte ardhur fundi.

Në fund të sezonit, “Zonja e Vjetër” e mbylli në vendin e shtatë. Revolucioni ishte jetik, edhe pse pothuajse spontan, karakterizuar nga ardhja e Andrea Agnelli, i cili menjëherë vendosi të rimarrë zonën sportive. Në selinë e vjetër të “Corso Galileo Ferraris”, njerëzit e merkatos së Juventusit vendosën të mos e përdorin opsionin e rinovimit (vjetor) të Cannavaro, duke i dhënë fund një akti të dytë, të karakterizuar nga 33 paraqitje.

Një fotografi melankolike, e cila e çoi “Topin e Artë” të hiqte dorë nga futbolli i vërtetë, duke i dhënë epërsinë eksperiencës në Emiratet e Bashkuara Arabe. Një përvojë e ftohtë, e dyta në kryeqytetin e Piemonte, përfundoi shpejt dhe në harresë. Ndonjëherë, ju e dini, kthimet nuk janë një gjë e mirë dhe e duhur…

Related posts

SHOKUESE DHE SKANDALOZE/ Alegri nuk e merr Ronaldon në fazën përgatitore

Isa.Autor

“NDJEVA KAVILJEN TË RROTULLOHEJ”/ Ronaldo tremb Juventusin. “Buletin lufte” te bardhezinjtë

Delo.autor

DO QËNDROJË 4 JAVË JASHTË FUSHËS/ Ja ndeshjet që do të humbë Hazard

Delo.autor

Leave a Comment