Totti dhe Del Piero folën në “Sky” dje pasdite, duke treguar disa anekdota nga e kaluara dhe si po e përjetojnë këtë moment izolimi nga “Coronavirus”. Së bashku me ta, edhe Paolo Maldini e Javier Zanetti. Ky kuartet i famshëm i futbollit italian, ndër të tjera dha edhe këshilla për të qenë kapiten i shkëlqyeshëm.
Çfarë ju mësoi sporti?
Maldini: “Më mësoi frymën e ekipit, të mirën e përbashkët”.
Zanetti: “Frymën e ekipit, qëndrueshmërinë, bujarinë, të qenit gjithmonë i disponueshëm për të tjerët. Në këtë moment që po kalon njerëzimi, shpirti i ekipit duhet të jetë vendimtar. E gjithë Italia po lufton kundër “Coronavirus”, ne duhet të mbetemi të bashkuar”.
Totti: “Sporti ka qenë një pasion i madh për mua, ishte ëndrra e fëmijërisë. Unë jam përpjekur gjithmonë të jap 100%. Kjo lojë nuk luhet individualisht, por nga ekipi. Gjithkush shkon në fushë për të dhënë më të mirën. Sporti të bën të ndjehesh mirë”.
Del Piero: “Sporti është jeta për një lojtar. Në sport kam gjetur ekuilibrin e jetës: marrjen e vendimeve, respektimin e rregullave, bindjen me një grup. Pra, shumë ngjashmëri, që mund të gjesh në jetën e përbashkët. Kur luani sport me pasion, shumicën e kohës e kalon duke ndihmuar shokun tënd”.
Ndonjë këshillë për të qenë kapiten i shkëlqyeshëm?
Del Piero: “Unë kam qenë gjithmonë i frymëzuar nga njerëzit, që i kisha idhuj. Për mua, modelet ishin kapitenë të së kaluarës, por edhe njerëz ekstra-sportivë, që gëzonin respekt të madh dhe që bënë zgjedhje të shkëlqyera. Unë u përpoqa të rishpreh mesazhet e tyre në mënyrën time të të jetuarit dhe luajturit futboll. Ju duhet të keni forcën për të marrë vendimin e duhur, veçanërisht në momente të ndërlikuara”.
Maldini: “Kur grupi funksionon, ju ndjeheni krenar. Unë kam pasur shumë shembuj pozitivë. Sidoqoftë, secili prej nesh është unik”.
Zanetti: “Ju duhet të jeni vetvetja, të mos ndryshoni kur merrni shiritin. Gjithmonë duhet të keni respekt për bashkëlojtarët, që ndajnë shembuj të shumtë pozitivë”.
Totti: “Shiriti është gjithçka, nuk është e lehtë ta mbash atë. Duhet guxim, forcë, respekt. Gjithmonë duhet ta nderosh atë dhe gjithmonë duhet të jesh i pranishëm”.
Çfarë kapiteni ishte Maldini?
Totti: “Shembull”.
Del Piero: “Ai kurrë nuk bëri asgjë të gabuar, ishte gjithnjë i disponueshëm dhe i gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Paolo gjithmonë e jetoi rolin në një mënyrë fantastike, në parantezë me Trapattoni, por edhe me babanë e tij. Ai dhe babai kishin një sjellje shembullore”.
Si ndaleshin Totti dhe Del Piero?
Zanetti: “Ishte e vështirë t’i ndaloje ata. Të dy kishin kaq shumë cilësi, e kuptojmë këtë edhe kur luajmë tani. Ata gjithmonë e shpikën lojën, për 20 vite kanë qenë rivalët më të ndërlikuar. Janë dy kampionë të shkëlqyeshëm”.
Maldini: “Duhet të vuaje shumë (qesh). Megjithatë, kam pasur shumë të qeshura në fushë me Francesco dhe Alessandro”.
Episodi më i çuditshëm në fushë?
Totti: “Kur i thashë Paolos që do t’i “spërkas” holandezët. Ai ishte i tronditur”.
Një anekdotë me Gigi Riva, kur ishte trajner i kombëtares?
Totti: “Ai ishte një person i jashtëzakonshëm, gjithnjë i disponueshëm në çdo kohë të ditës. Ai ishte një pikë referimi në ekipin kombëtar. Ne do ta falënderojmë për tërë jetën, sepse është një legjendë e futbollit botëror”.
Maldini: “Tashmë, zgjedhja e tij për të qëndruar te Cagliari, duke refuzuar edhe Juventusin, na bën të kuptojmë dashurinë që kishte për të. Ai ishte gjithnjë i disponueshëm me të gjithë djemtë në ekipin kombëtar”.
