Futboll Gossip Sport

RRËFIMI DRITHËRUES/ Gruaja shtatzënë e Ruganit: Covid-19? Bota u shemb mbi ne… (FOTO)

Burri i saj ishte lojtari i parë nga Serie A që u sëmur me Covid-19. Edhe ajo rezultoi e infektuar.

Frika qe e madhe, aq më tepër se ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë.

Patjetër, nuk ishte një situatë e lehtë për Daniele Rugani dhe partneren e tij, Michela Persico, e cila është sot kopertinë e “Sportweek”. Ajo tregoi për ankthin, frikën dhe, më në fund, lehtësimin e përjetuar.

Një periudhë që daton nga fillimi i marsit, kur Daniele, mbrojtësi i Juventusit, rezultoi pozitiv me koronavirus, deri para disa javësh, kur u larguan të gjitha shqetësimet, pas tamponëve negativë.

Ajo ka marrë sigurinë e mjekëve për shëndet të plotë edhe të djalit, lindja e të cilit pritet në shtator.

SITUATA – “Unë jam shumë me fat, jemi mirë. Daniele ka filluar stërvitjen rregullisht, vogëlushi po rritet në bark. Ai është i gjatë 28 cm dhe peshon 750 gram. Ndihem mirë, nuk kam pasur vjellje, dhimbje koke apo lëkundje të humorit. Me pak fjalë, asnjë nga simptomat tipike të shtatzënisë. Daniele nuk mund të ankohet…”

COVID-19 – “Kur rezultuam pozitivë, u dëshpëruam shumë. M’u duk sikur na ra bota mbi kokë. Kishim frikë për foshnjën tonë, aq pak dihej për virusin. Unë qava, telefonova gjinekologun tim, të gjithë mjekët që njihja. Ata më siguruan, megjithëse kishte shumë të panjohura. U përpoqa të merrja frymë thellë dhe i thashë vetes: Zoti do ta bëjë mirë!”, raporton telesport.

RUGANI POZITIV – “Ishte ora dhjetë e mbrëmjes, unë po shikoja televizor. Ai më telefonoi tre sekonda para se ta jepnin lajmin mediat, për fat të mirë. Po ta kisha mësuar nga televizioni do të kisha kaluar traumë të madhe. Kam shpërthyer në lot, u përfshiva nga paniku. Disa ditë më parë ndjehej i lodhur, kishte pak ethe, dukej si grip. Si masë paraprake vendosëm se ishte më mirë të shkonte në “Continassa”, ku të gjithë lojtarët e Juves kanë nga një dhomë në dispozicion. Por, ne kurrë nuk mund ta imagjinonim që ishte “Coronavirus”. Kur rezultoi kështu, bota u shemb mbi ne. Daniele mbeti në atë dhomë gjumi për 35 ditë. Me ethe, përgjumje, gulçim dhe dhimbje kudo. Ai më tha: Nuk mund të bëj asgjë, djersitem me përpjekjen më të vogël. Pastaj, për fat të mirë simptomat u larguan dhe ai u rikuperua. Ngadalë filloi të stërvitej përsëri, gjithmonë në dhomë”.

KUR RUGANI E MORI VESH PËR FËMIJËN – “Ishte shkurt, festa e Shën Valentinit. Ai ishte në grumbullim, ndërsa unë në shtëpi. Daniele duhej të luante (Juve-Brescia) dhe nuk i thashë asgjë para ndeshjes, në mënyrë që të mos e shpërqendroja. Përgatita një surprizë për të, ku përfshihej edhe ekoja e fëmijës së vockël. E prita të kthehej në shtëpi. U desh një kohë për ta kuptuar, pastaj shpërtheu me lumturi! Covid-19 nuk e lejoi atë të marrë pjesë në të gjitha ekot që kam bërë, por unë regjistrova gjithçka. I sheh ato dhe sytë i shkëlqejnë. Po, ai është në qiellin e shtatë. Ngrihet në mëngjes dhe ka një vendosmëri të jashtëzakonshme, dëshirën për të shkuar në stërvitje, për të luajtur. Jam shumë e lumtur”.

RUGANI NË MERKATO – “Ka 5 sezone që dëgjoj çdo gjashtë muaj se duhet të ndryshojmë qytetin. Jam super e trajnuar për këto thashetheme. Në fund të fundit, ai vendos për më të mirën”.

RIKTHIMI I FUTBOLLIT – “Kemi frikë, do të ishte budallallëk të mendonim ndryshe. Rinisja e kampionatit nga njëra anë është e drejtë, ka interesa shumë të larta ekonomike. Nëse drejtuesit dhe klubet kanë vendosur kështu, është sepse besojnë që ekzistojnë kushtet. Por kontaktet në terren janë të pashmangshme, gjithashtu edhe gjatë udhëtimeve. Daniele është imun, megjithatë unë nuk i zhvillova antitrupat, kështu që mund të infektohem sërish. Shpresoj që gjithçka të jetë në rregull”.

Related posts

Gjermania publikon para kohe listën me 23 lojtarët për Kupën e Botës mungon…

Sadik.Autor

NUK PO GJENË QETËSI/ Dëmtohet NEYMAR, ja kur rikthehet në fushë braziliani

Isa.Autor

Uefa Champions League/ Stambolli do të presë finalen e vitit 2020

Sadik.Autor

Leave a Comment