Futboll Kategoria Superiore Sport

BËRI NDËRHYRJEN E VITIT/ Albi Doka: Si e shpëtova derbin e kryeqytetit

Djali i “Instagramit”. Albi Doka po e mbyll ashtu siç e nisi aventurën te Tirana. Me 200 km në orë. Gjatë gjithë sezonit ka shkëlqyer, duke treguar se ka bërë hapin e madh dhe është pjekur për një aventurë jashtë Shqipërisë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Albi Doka rrëfen sezonin e tij, Tiranën dhe çfarë lë pas te bardheblutë, duke nisur një aventurë të re jashtë Shqipërisë. Për më tepër që mbrojtësi i djathtë ishte një nga lojtarët më të dalluar të Tiranës në sfidën ndaj Partizanit dhe Bylisit. Ky do të jetë sezoni i fundit për të me fanellën bardheblu, pasi ka firmosur kontratë me klubin kroat të Goricës.

U kualifikuat në finalen e Kupës dhe ishit më i miri në derbi, duke shpëtuar rezultatin në rastin e Bardhit?

Barazimi në derbi ishte më mirë se humbja, pavarësisht se ne donim ta fitonim atë ndeshje. Realisht donim ta fitonim jashtëzakonisht shumë atë takim dhe në fund dolëm barazim. Jemi të kënaqur, sepse kjo pikë që morëm këtë herë do të na vlejë shumë në fund të kampionatit.

Si ishte të luanit një ndeshje pa tifozë për më tepër një derbi Partizani-Tirana?

Derbi pa tifozë ishte për mua si një miqësore. E kemi diskutuar edhe me shokët e ekipit: ishte një ndeshje pa shije, pa gjak.

Ama ishit nga më të motivuarit, sepse 10 minuta nga fundi i keni hequr topin Bardhit në momentin e goditjes së topit?

E pashe Bardhin që mori topin dhe nisi vrapin. U futa edhe unë në sprint. Isha i bindur që do ta arrija Bardhin. E mendova që me atë ndërhyrje do të bëja penallti. Thashë: do t’ia heq topin. Ndërhyra pastër dhe ia hoqa topin, që mund të sillte golin e dytë kundër nesh. Për fat të mirë, ekipi u shkund dhe Muçi ia doli të shënonte golin.

E keni ndier shumë ndeshjen derbi. Si do të jetë sezoni i Dokës pa ndeshjen derbi?

Është keqardhje e madhe, sepse derbin ne tironsit e ndiejmë shumë. Do të më mungojë shumë, por s’kam çfarë të bëj më. Bëra një zgjedhje që karrierën ta vazhdoj jashtë Shqipërisë.

Pse vendosët që të firmosni me një skuadër jashtë Shqipërisë dhe jo për Tiranën?

Vendimin e mora për karrierën time dhe për t’u rritur. Kam pasur shumë dëshirë të firmos me Tiranën, por kisha ofertë nga jashtë. Dëshira ime ishte të vazhdoja karrierën jashtë, se është më mirë për mua personalisht. Kjo stemë do të më mungojë, ngjyrat bardheblu, se jam rritur dhe do të jetë gjithmonë në zemrën time.

Si e konsideroni këtë sezon të radhës dhe përfundimtar si profesionist te Tirana?

Është viti që e dua më shumë. Po fitojmë kampionatin dhe Kupën. Këtë dua, është maksimumi. Shyqyr, po kalojmë një formë të mirë. Gjëja më e bukur që dua para se të iki është të fitoj kampionatin dhe Kupën.

doka trashi

Si kanë qenë këto vite te Tirana. Më duket se janë 11 së bashku me akademinë?

Kanë qenë vite shumë të bukura, pavarësisht se nuk kemi shkuar mirë. Është ky viti më i mirë, që zbukurohet edhe me trofetë. Jeni edhe djali i “Instagramit”. Shumë aktiv, madje me postime që bëjnë bujë? Ç’të të them. Si djem të rinj që jemi, lëvizim pak edhe andej nga “Instagrami”.

Jemi pak aktivë me postime. Më thuaj, ç’të bëjmë?!

Çfarë do t’ju mungojë nga Tirana? Si fillim, tifozët, derbi dhe ndjesia që po luaja me Tiranën.

Do të jeni kampion për disa ditë, por lotët në Shkodër ishin shumë të rëndë për një djalosh që në sezonin e parë në Superiore ndjeu shijen e rënies nga kategoria?

Kështu është jeta. Para tri vitesh qaja se ramë në Kategorinë e Parë. Ishte shumë e rëndë për mua dhe për të gjithë. Tani lotët do të jenë gëzimi, sepse do të qaj për titullin.

U kualifikuat edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë. Tani mund të fitoni të dy trofetë?

Pavarësisht atyre që na akuzuan, e treguam se kjo është Tirana dhe shkuam në finale. Ia dolëm me sukses. Për ne, si Tirana që jemi, e vogël është vetëm gjysmëfinalja, gjithmonë duhet të jemi në finale.

Jeni mësuar me premio. Këtë herë kishte diçka apo ajo e madhja në fund të sezonit?

Për këto ndeshjet e vogla nuk kemi premio ne, marrim vetëm për ndeshjet e mëdha. Për Tiranën, e vogël është gjysmëfinalja, gjithmonë duhet të jetë në finale.

Egboja nuk ndryshoi skuadrën, por edhe Albi Dokën, që prej kohësh po shkëlqen në fushë?

Egbo më ka dhënë shumë besim mua dhe shumë djemve të tjerë të rinj. Do të fitojmë Kupën dhe kampionatin. Edhe Ahmataj na ka dhënë besim. Unë kam qenë i dëmtuar kur ai erdhi në stol.

Related posts

Federer në raundin e tretë të Wimbledon, kualifikohen edhe Raonic e Monfils

Isa.Autor

FUTBOLLI URUGUAJAN VAZHDON NË ZI/ U vetëvra mbrojtësi 38-vjeçar, ndërpritet kampionati

Delo.autor

LIVE/ Kastrioti-Kukësi, Shpërthen festa në “Redi Maloku”. Braziliani Roxher vendos baraspeshën

Delo.autor

Leave a Comment