Futboll Seria A Sport

“DOJA VETËM TË ZGJASJA PUNËN ME MILAN”/ Pioli: Uroj të vazhdoj me Ibrën edhe në të ardhmen

Stefano Pioli pak ditë më parë nënshkroi kontratën e re që do ta lidhë me Milanin deri më 30 qershor të vitit 2022. Ai do të paguhet 2 milionë euro në vit, teksa akordi përfshin edhe bonuse. Ai më i majmi ka të bëjë me renditjen e kuqezinjve mes katër të parave dhe në rast se ekipi e arrin këtë objektiv, atëherë trajneri do të përfitojë edhe 500 mijë euro të tjera shtesë në shpërblimin e tij sezonal, teksa po aq do të vlerësohet suksesi në Kupën e Italisë apo në Ligën e Europës. Sakaq, ai ka folur në konferencë shtypi pas takimit me Atalantën dhe përveç analizës së sfidës, i ka hapur rrugë edhe qëndrimit të Ibrahimoviçit te “Djalli”.

NDESHJA – “Skuadra është mirë dhe e konfirmuam. E dinim që na priste një ndeshje e vështirë, por deri në fund u munduam të fitojmë çka është edhe aspekti më i rëndësishëm. Nuk ka qenë e lehtë, por meritat u takojnë të gjithëve pasi vetëm me sakrifica dhe punë mund të arrijmë aty ku dëshirojmë”.

RINOVIMI – “Jam shumë i lumtur, por kam qenë gjithnjë i qetë. Doja vetëm që puna ime të zgjaste përtej 2 gushtit. Tani kemi edhe dy ndeshje e do të mendojmë të luftojmë deri në fund për të pasur renditjen që duam”.

NË SHTATOR – “Do të flasim përsëri me drejtuesit, por nga ekipi pres që në shtator të vijojmë me këto rezultate. Pas pandemisë filluam të kuptojmë vlerën dhe forcën tonë. Kemi luajtur 5 ndeshje në 12 ditë ndaj kam vetëm komplimente dhe urime për djemtë”.

IBRAHIMOVIÇ – “Se çfarë ka bërë Zlatani e kemi parë të gjithë dhe renditja është treguesi më i mirë. Uroj që të punoj edhe në të ardhmen me të, por temat që duhen diskutuar janë të shumta. Është një lojtar që mund të na japë edhe më shumë, por vendimi, siç thashë, varet nga disa faktorë.Stefano-Pioli-Milan

Nuk besoj se ai dhe klubi kanë folur, por takimi mund të ndodhë së shpejti. Më parë nuk dihej kush do të ishte trajneri dhe temat si kjo e Ibrës nuk ishin marrë nën shqyrtim”.

TË RINJTË – “Selemekers, Leao dhe ndonjë tjetër nuk janë rastësisht këtu. Ata kanë potencial dhe përvoja e sivjetshme do t’i nevojitet gjatë sezonit tjetër. Leao ndaj Atalantës luajti mirë, por mund të bëjë edhe më shumë. Ka filluar të jetë vendimtar edhe kur futet si zëvendësues dhe kjo është diçka e mirë. Mund të bëhet një lojtar që vendos ndeshjet, gjithsesi për mua është sulmues i dytë ose krahu”.

Related posts

LIVE/ Po luhet ndeshja eliminatore Angli-Bullgari. Rezultati 1-0

Delo.autor

Legjenda e Manchester United mbetet pa skuadër, ja ku përfundon lojtari i njohur

Sadik.Autor

Trajneri i Romës nuk dorëzohet: Shans i madh, nuk do të mjaftojë të luajmë mirë vetëm 45 minuta

Q.Autor

Leave a Comment