Futboll Kategoria Superiore Sport

“DUA TË QENDROJ TEK TIRANA”/ Torasa: Kam besim te kjo skuadër, titullin e morëm me sakrifica

Agustin Torasa ishte autori i golit të vetëm të Tiranës në humbjen e fundit në Laç. Mesfushori me tipare ofensive realizoi në minutën e fundit të kohës së rregullt, një gol që shërbeu vetëm për statistika, ku në total ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar gjashtë asiste. Në një intervistë për “Panorama Sport”, argjentinasi tregon si ishte ky sezon titulli me bardheblutë, ndjesinë që ka krijuar me ekipin dhe kryeqytetin si dhe dëshirën e tij për të ardhmen, duke qenë se i përfundon kontrata pas ndeshjes së Kupës ndaj Teutës më 2 gusht.
TORASA
Shënuat një gol që nuk i vlen ekipit, por vetëm juve personalisht për statistika. Si ishte ndeshja në Laç?
Po, në të vërtetë është një gol që shërben vetëm për moralin dhe si të thuash statistikat e mia. Për fat të keq, jo për skuadrën për faktin se humbëm. Mirëpo, unë mendoj se e treguam në fushë se luajtëm të gjithë me 100% të mundësive tona. Jemi tashmë kampion dhe mendoj se ishim edhe pak më të relaksuar dhe pa tensionin e zakonshëm të ndeshjeve. Mirëpo, dhamë maksimumin dhe për fat të keq nuk morëm një rezultat pozitiv. Gjithsesi, jemi të qetë sepse e dimë që kemi dhënë gjithçka në fushë.

Si ka qenë ky sezon për ju personalisht?
Ka nisur disi në mënyrë të vështirë. Nuk kam gjetur hapësira në ekip në rreth katër apo pesë muajt e parë. Më pas, që nga momenti kur Egbo u bë trajneri ynë, kam luajtur më shumë dhe mbi të gjitha kam luajtur në rolin tim. Mendoj se kam luajtur mirë në përgjithësi. Ekipi u shpall kampion pas një kohe të gjatë dhe personalisht edhe për mua është diçka e veçantë dhe emocionuese. Ishte jo vetëm një objektiv i ekipit, por edhe imi personal, pasi doja që të fitoja një kampionat në Shqipëri dhe jam shumë i lumtur që arrita ta realizoj.
tIRANA
Sa rëndësi ka një titull i fituar?
Unë kam punuar shumë që të vijë një moment i tillë dhe për ta fituar një titull. Siç e thashë, në muajt e parë nuk ishte aspak e lehtë për mua. Pikërisht për këtë, është akoma edhe më shumë i rëndësishëm fitimi i këtij kampionati. Më vjen mirë që jemi duke e përfunduar në mënyrën më të mirë, pasi përveç kampionatit ku na ka mbetur edhe ndeshja e fundit, jemi edhe në finalen e Kupës. Tani duam që ta fitojmë edhe Kupën, meqenëse është edhe një përvjetor i veçantë për skuadrën, 100-vjetori i themelimit.

E ardhmja juaj ku do të jetë, duke qenë se nuk keni rinovuar ende?
Nuk e di ende, sepse kontrata ime përfundon pas finales së Kupës, që është edhe ndeshja e fundit për këtë sezon. Duhet që të flas me klubin për të parë nëse do të jemi dakord të dyja palët për të vazhduar më tej. Unë personalisht jam i qetë sepse kemi arritur që të realizojmë objektivin e klubit, por edhe ato personale që kam pasur në fillim të sezonit. Duhet të flas me presidentin nëse jemi dakord për të qëndruar ende një tjetër sezon te Tirana.
agustin-torasa1-232141a5fe5aecae54802f62990882d0_1920x1080
Dëshira juaj personale cila është?
Do të më pëlqente që të qëndroja. Më pëlqen që të qëndroj te Tirana sepse kam shumë besim te ky ekip dhe mendoj se mund të vazhdojmë në këtë rrugë që ia dolëm këtë sezon. Ndihem mirë edhe në Tiranë, më pëlqen shumë qyteti, më pëlqejnë shumë gjëra dhe mbi të gjitha më pëlqen atmosfera këtu dhe klubi. Tirana dëshiron të rritet gjithnjë e më shumë dhe unë dua që të jem ende pjesë e historisë së këtij klubi.

Pjesëmarrja në kualifikueset e Champions-it, çfarë nënkupton për ju?
Champions-in e dimë të gjithë që nuk është e lehtë të luash dhe të kesh suksese në këtë kompeticion, por dimë edhe që çdo futbollist ka dëshirë të jetë në vendin tonë. Këto lloj ndeshjesh të shërbejnë shumë për të treguar se ku jemi, ku është Tirana dhe për këtë është një mundësi shumë e rëndësishme. E dimë që është e vështirë, por ne duam të japim maksimumin.

Related posts

REALI MPOSHT VALLADOLIDIN E “FENOMENIT”/ Vinicius zëvendëson dështimin dhe i dhuron fitoren

Delo.autor

EMOCIONET E FUTBOLLIT/ Ronaldo shfaqet i përlotur gjatë himnit kombëtar të Portugalisë

F.autor

ATALANTA PREK HISTORINË/ Heroi i mbrëmjes ka kushtuar vetëm 1 milion euro

F.autor

Leave a Comment