Nëse jo të gjithë, shumë do të donin ta mbanin në Itali. Sepse Zlatan i ndez projektorët në fushë dhe jashtë saj, provokon vazhdimisht me gjërat që thotë, tërheq skuadrën dhe argëton. Tashmë dihet që Ibrahimoviç nuk i ka mirëpritur disa prej vendimeve të administratorit të deleguar, Ivan Gazidhis, dhe në ndonjë rast, tonet në Milanelo kanë qenë të larta. Por tani misioni i trajnerit Pioli dhe i lojtarëve të tij është ta mbyllin sezonin sa më mirë.
SHIFRA DHE BATUTA – “Jam plak, dihet, por mosha është vetëm një numër”, tha suedezi pas fitores ndaj Juves. Me suedezin në skuadër, Milani ka shënuar më shumë gola dhe ka pësuar më pak. Ka përmirësuar pikët mesatare (28 në 14 ndeshjet e fundit). Kundër SPAL-it Zlatan hyri në fushë dhe shkundi skuadrën. E njëjta gjë ndodhi në Kaljari, në fillim të aventurës së tij të dytë kuqezi. Nuk ka shok skuadre që nuk nënvizon se sa i rëndësishëm është ai për përmirësimin e grupit. Mendimi i vetëm është: “Milan, mos e humb”! Por mund të jetë vetë Ibra ai që mund të përgjigjet “jo faleminderit” ndaj një oferte të re.
OBJEKTIVAT – Pengesa e parë mund të jetë një çështje private, përditshmëria larg Stokholmit, ku është vendosur familja pasi u rikthye nga Kalifornia. Jeta e Ibrahimoviçit nuk është më ajo e 10 viteve më parë. Ka ende shumë gjëra për të zgjidhur, por mbi të gjitha janë djemtë e tij, që tashmë janë rritur. Për këtë arsye Zlatan mbeti vetëm në Milano, edhe kur kaloi nga suita e një hoteli në një shtëpi në qendër të qytetit.
Pandemia e Koronavirusit i vështirësoi gjërat për të, me izolimin italian që ishte më i ashpër se i të tjerëve, duke bërë që stili i jetës milaneze të ndryshojë. Një tjetër motiv reflektimi janë edhe objektivat: “Po të kisha ardhur më parë, do të kishim fituar titullin”. Ndoshta jo, por kjo frazë ishte një tjetër sinjal i qartë. Zlatan dëshiron që të vrapojë për vendin e parë.
JO VETËM PARA – Një arsye e fundit, edhe pse jo pak e rëndësishme, janë paratë: sepse hapësira për t’u dakordësuar është akoma, por sigurisht që Zlatan duhet të ambientohet me një rrogë më të ulët. A do ta bënte, mbi të gjitha, nëse do t’i leverdiste që të niste një tjetër sezon, me 39 vitet që i rëndojnë mbi supe? Vetëm ai e di. Sigurisht që sinjalet e dashurisë për Milanin këto muaj nuk kanë munguar. Për këtë, me bekimin e Rangnikut, klubi mund të tentojë përsëri. Tërheqja për Ibrahimoviçin është ende fatale.